10 Mijë Eurot e Fshehura të Drejtorit të Ujërave

Naser Bajraktari, zyrtar i lartë qeveritar, ka përfituar vitin e kaluar një shumë prej 10 mijë eurosh  nga angazhimi si ekspert në një projekt të Shoqatës së Ujërave dhe Kanalizimit (ShUKOS) të mbështetur financiarisht nga organizata gjermane për kooperim ndërkombëtar “GIZ”, por nuk e ka deklaruar atë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Bajraktari mban dy pozita të rëndësishme shtetërore. 

Është drejtor i Departamentit të Ujërave në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor  dhe në të njëjtën kohë është kryetar i Bordit të Drejtorëve në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor- Prizren”.

Ai është angazhuar prej datës 19 qershor 2012 deri më 30 qershor 2013 në projektin “Rrjeti rajonal për menaxhimin më të mirë të ujërave të zeza”, të mbështetur financiarisht nga organizata gjermane GIZ. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar dokumente që tregojnë realizimin e transfereve bankare nga ShUKOS-i te Bajraktari. 

ShUKOS është një asociacion i kompanive rajonale të ujësjellësve rajonal që ka në bord të saj kryeshefët ekzekutiv.

Dy pagesa janë kryer më 29 korrik të vitit të kaluar. Një është në vlerë prej 8 mijë eurove, ndërsa tjetra në vlerë prej 2 mijë e 400 eurosh. 

Agjencia Kundër Korrupsion ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me mosdeklarimin e kësaj shume nga Bajraktari në formularin e deklarimit të pasurisë më 2014. 

Bajraktari, sikurse të gjithë zyrtarët tjerë të lartë, obligohet që të deklarojë të gjitha të ardhurat e përfituara nga muaji mars i vitit 2013 deri në të njëjtin muaj të këtij viti. Zyrtarët e lartë deklarojnë përvitshëm pasurinë e tyre në muajin mars në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Vetë Bajraktari nuk ka dashur të flasë lidhur me këto pagesa, duke  vlerësuar se po i bëhen pyetje joprofesionale. 

“Po kaloni në çështje personale dhe duhet të keni kujdes se çfarë po bëni”, tha Bajraktari duke shtuar se nuk dëshiron që të përgjigjet. 

Por ai në deklarimin e pasurisë ka shënuar tri angazhimet tjera të tij prej të cilave merr 12 mijë e 152 euro në vit. 

Ka deklaruar se merr 5 mijë e 954 euro në vit për punën si drejtor i Departamentit të Ujërave në Ministrinë e Mjedisit, përfiton 4 mijë e 950 euro në vit nga angazhimi si kryetar i Bordit të Kompanisë Rajonale të ujit “Hidro-Regjioni Jugor” dhe se merr 1 mijë e 248 euro tjera si ligjërues në Universitetin e Prishtinës.

Fidaim Jashari, drejtor ekzekutiv  i Shoqatës së Ujësjellësve dhe Kanalizimit, nuk dha përgjigje për arsyet se pse është vendosur që pikërisht Bajraktari të angazhohet si ekspert, por tha vendimmarrja u përket organeve të brendshme të shoqatës. 

 “Sa i përket vendimeve të shoqatës është çështje e brendshme e ShUKOS-it.  ShUKOS-i ka organet e saj udhëheqëse Kuvendin, Bordin e Drejtorëve dhe  Drejtorin Menaxhues dhe me aktet e brendshme i kanë të rregulluara  kompetencat e tyre”, tha Jashari. 

Ndërkohë, sipas tij, i takon organizatës qeveritare gjermane GIZ që të mbulojë shpenzimet e ekspertit të angazhuar. 

Gazeta i ka shkruajtur zyrës së GIZ-it në Kosovë dhe zyrës kryesore të GIZ në Gjermani, mirëpo asnjëra ende nuk kanë komentuar lidhur me angazhimin si ekspert të një zyrtari të lartë qeveritar i cili nuk i deklaroi të ardhurat e tij në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në muajin shkurt 2012 për konfliktin e mundshëm të interesit të Naser Bajraktarit në ushtrimin e dy funksioneve publike. 

Ai ishte emëruar drejtor në Ministrinë e Mjedisit dhe Palnifikimit Hapësinor më 9 shkurt 2009, ndërsa dy muaj e gjysmë më vonë, më 23 prill 2009, kryesues i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes “Hidroregjioni Jugor” në Prizren. 

Agjencia Kundër Korrupsion kishte hapur rast për të. Në muajin qershor 2012 AKK-ja konstatoi se nuk ka konflikt interesi.

Sipas vendimit të AKK-së nuk kishte mospajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik, pasi që pozita e tij si kryetar i Bordit të “Hidroregjionit Jugor-Prizren” është punë dytësore.

“…punë dytësore me honorar dhe nuk paguhet me rrogë të përhershme, por i paguhen vetëm mëditjet për takimet e mbajtura”, shkruan në vendimin  e AKK-së.

Por AKK-ja e ka lënë të hapur mundësinë  që të rihapë rastin ndaj tij nëse paraqiten rrethana të reja.

Bajraktari nuk e mbikëqyr mirë veten 

Përveç mosdeklarimit të të ardhurave nga Bajraktari, Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar po ashtu se Departamenti i Ujërave që udhëhiqet nga ai nuk ka arritur të inkasojë borxhet që kanë kompanitë rajonale të ujërave ndaj Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në bazë të përshkrimit të punës në faqen zyrtare të Ministrisë, Naser Bjraktari që udhëheq Departamentin e Ujërave mbulon “shfrytëzimin e ujërave, mbrojtjen e ujërave dhe mbrojtjen nga veprimet e dëmshme të ujërave”. 

Ndër të tjera departamenti lëshon leje ujore, bën planifikimin për shfrytëzimin e resurseve ujore, bën propozimin e projekteve kapitale dhe propozimin e buxhetit për financimin e projekteve dhe nevojave tjera për zhvillimin e resurseve ujore.

Megjithëkëtë, “Hidroregjioni Jugor-Prizren” ku Naser Bajraktari është kryetar i bordit i ka borxh Ministrisë së Mjedisit përkatësisht Departamentit të Ujërave.

Ligji për Ujërat e Kosovës parasheh pagesë për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujërave. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një dokument intern të Ministrisë së Mjedisit të vitit 2013 në të cilin figuron se “Hidroregjioni Jugor-Prizren” ka borxhe ndaj autoriteteve qendrore. 

Borxhi i kësaj ndërmarrjeje publike ndaj Ministrisë së Mjedisit përkatësisht Departamentit të Ujërave është 112 mijë e 861 euro. 

Ky borxh është grumbulluar përgjatë viteve 2008-2013. 

Bajraktari ende nuk ka kthyer përgjigje për borxhin që kompania në të cilën ai është kryetar bordi –“Hidroregjioni jugor Prizren”- ka ndaj Ministrisë. 

Por Arben Çitaku sekretari i MMPH-së tha se Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Hidroregjioni Jugor” nga Prizreni ka paguar vetëm një pjesë të vogël të obligimit që ka.

“Për periudhën për të cilën është shprehur interesimi, kjo kompani ka paguar vetëm 5 mijë euro sipas dëftesës nr 17882 te datës 28.10.2011”, tha ai.

Dokumenti i siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë tregon se po ashtu edhe tetë kompanitë tjera publike nuk janë paguese të rregullta të taksës për ujin e shfrytëzuar. 

Borxhin më të madh del ta ketë Kompania Rajonale e Ujërave “Ujësjellësi Prishtina” prej 315 mijë eurosh, e përcjellë nga “Hidrodrini” me 287 mijë euro , “Radoniqi” me 166 mijë euro  si dhe “Ibër- Lepenci”  me 129 mijë euro borxh. 

“Drini i Bardhë” ka borxh prej 104 mijë eurosh, “Hidromorava” ka 47 mijë e 681 euro, “Bifurkacioni” ka mbi 33 mijë euro si dhe “Radoniqi&Dukagjini”  ka afër 30 mijë euro. 

Naser Bajraktari, drejtori i Departamentit të Ujërave dha një përgjigje me shkrim lidhur me borxhet e ndërmarrjeve publike. 

Ai tha se në lejen ujore me të cilën janë të pajisura kompanitë, i kanë po ashtu  të precizuara edhe kushtet të cilat duhet t`i përmbushin ndaj MMPH-së.

Sipas tij, për borxhin e akumuluar, MMPH-ja disa herë ka adresuar shkresa zyrtare njoftuese mbi shumën e obligueshme për pagesë, po ashtu ka bërë edhe inspektime përmes inspektoratit të MMPH-se.

“Sa për dijeninë tuaj, përgjegjëse mbi mënyrën e menaxhimit të buxhetit, borxhet dhe aspektet e tjera financiare të kompanive publike është Ministria e Zhvillimit Ekonomik konkretisht Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NjPMNP) ”, tha Bajraktari në një përgjigje për gazetën.

Megjithatë, bazuar në përshkrimin e punëve të Departamentit të Ujërave të Ministrisë së Mjedisit figuron se përgjegjësinë e mbulimit të shfrytëzimit të ujit e ka pikërisht ky organ qeveritar.