Dështimi i Prokurimeve Qendrore

Çmimi i naftës e benzinës që institucionet shtetërore blejnë nga kompanitë private shpeshherë është i ndryshëm.

Autoritetet kontraktuese kanë të drejtë ligjërisht që të ndërmarrin këtë veprim dhe të vendosin për ofertën më të favorshme në mesin e konkurrenteve kur hapin tender publikë. 

Por ligji i prokurimit publik krijon mundësi që të evitohet kjo situatë. 

Në sistemin e prokurimeve të Kosovës ekziston Agjencia Qendrore e Prokurimeve e cila sipas ligjit ka për detyrë që të bëjë prokurimet qendrore për shtetin.

Kjo nënkupton që agjencia mund të përgatis dhe organizoj një prokurim, për shembull të naftës ose benzinës, për të gjitha institucionet e Kosovës. 

Kjo do të ndikonte që institucionet shtetërore të furnizoheshin me derivate me çmim të njejtë dhe të kenë një kontratë të përbashkët të furnizimit.

Por AQP-ja nuk ka kryer ende asnjë prokurim të centralizuar përkundër që morri këtë mandat prej tetorit të vitit 2011 me ndryshimet e bëra në Ligjin e Prokurimit Publik.

Mursel Rracaj, ushtrues detyre i AQP-së, thotë se ka kryer pjesën e tij të punës. 

 “Agjencia ka kryer detyrën e saj. Sipas ligjit, ne kemi përpiluar listën e artikujve të përdorimit të përbashkët dhe ia kemi dërguar ministrit të financave”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka parë dokumentin e përgatitur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) dërguar Besim Beqajt, ministrit të financave më 28 shkurt 2014.

Dokumenti përbën listen e shtatë artikujve që sipas AQP-së janë artikujt që mund ti kryejë kjo agjenci për 171 autoritete kontraktuese (AK) apo organizata buxhetore në vend.

Lista përfshin: derivatet (benzinë e naftë), materiale për zyre, prokurim i IT-së, produkte higjienike, prokurimi i automjeteve, prokurim i ushqimit dhe shërbimet e telekomunikimeve.

AQP ka përgatitur këtë listë në bazë të  planifikimeve përfundimtare të autoriteteve kontraktuese që kanë dorëzuar për vitin fiskal 2014.

Rracaj thotë se ende nuk ka marrë përgjigje nga ministria e financave e udhëhequr nga Besim Beqaj.

AQP kishte dërguar lista të tilla në ministrin e financave edhe në vitet e tjera, si në mars 2013 dhe shkurt 2012, por pa sukses.

“Nuk e di pse”, thotë Rracaj për mungesën e aprovimit të listës së tyre.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, ministria e financave propozon listën e artikujve në qeveri për tu aprovuar.

Ministria e financave nuk është përgjigjur ende në pyetjet e Gazeta Jeta në Kosovë se pse nuk është aprovuar lista e artikujve që sipas AQP-së duhet të prokurohen në mënyrë të centralizuar.

Rracaj shpjegon se prokurimet qendrore sjellin shumë përfitime për shtetin si kursimi i buxhetit por edhe mbikqyrja e kontratës është me efikase.

“Përfitimet janë të shumta si kursimi i mjeteve buxhetore, zhvillimi i vetëm një aktiviteti të prokurimit për shumë autoritete kontraktuese, mundësia më e lehtë për tu monitoruar një aktivitet i prokurimit dhe eliminimi i difirencave në çmime për të njëjtin produkt”, tha Rracaj.

“Shpresoj se do ta shoh një prokurim qendror”

Laszlo Ketszeri, ekspert i prokurimit i angazhuar nga Banka Botërore që të këshillojë AQP-në, po ashtu thekson se prokurimet qendrore kanë shumë përparësi për vendin.

Ai thotë se në vendin e tij, Hungari, prokurimet qendrore funksionojnë shumë mirë.

Ketszeri ka filluar të bashkëpunojë me AQP-në që nga maji i vitit 2013 dhe kontrata i përfundon më 30 qershor 2014.

“Unë shpresoj se do të jem ende këtu kur do të filloj një prokurim qendror dhe të shoh se si një kontratë është nënshkruar”, Ketszeri i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Edhe ai thekson se vendi do të përfitonte shumë nga këto prokurime qendrore duke pasur parasysh kursimet e buxhetit.

Ai shtoi po ashtu se duhet parë se si do të ndikojnë këto prokurime qendrore në tregun kosovarë nëse këta tender do të kenë ndikim tek bizneset e vogla.

“Por, megjithatë një prokurim i tillë duhet të ndodh për të parë se si po ndikohet tregu”, tha Ketszeri.

Sipas dokumentit të përgatitur nga AQP-ja dhe eksperti Ketszeri , thuhet se prokurimet qendrore mund të ndahen në lote që mundëson përfshirjen e sa më shumë kompanive në tender. 

Në fund, eksperti nga Hungaria theksoi se ekspertiza e tij do të ishte më e mirëseardhur për Kosovën po që se prokurimet qendrore do të kishin filluar më herët.

Megjithatë, ai theksoi se gjatë tërë kësaj kohe, ai së bashku me zyrtarët e AQP-së kanë përgatitur dosjet e tenderit, si për naftën po ashtu edhe për furnizimin me letër.

“Sot të fillohet një tender i tillë, AQP është e gatshme”, tha Ketszeri duke shtuar përsëri se do të dëshirontë të shihte një tender të tillë deri sa nuk i përfundon kontrata në qershorin që vjen. 

Prokurimet qendrore ndihmojnë kursimin e buxhetit 

Sipas raportit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për vitin 2013 janë shpenzuar më shumë se 440 milionë euro në prokurime të ndryshme publike nga të gjitha autoritetet kontraktuese. Përveç kësaj shifre gjatë vitit 2013 një shumë prej 210 milionë eurosh është shpenzuar për prokurimin më të madh publik në vend- ndërtimin e autostradës “Ibrahimn Rugova”.

Agjencia Qendrore e Prokurimit ka bërë një analizë se sa është shuma që do të kursehej në rast se do të aplikoheshin prokurime të centralizuara. 

AQP, më 28 shkurt të këtij viti,  bashkë me listën e artikujve për të cilat duhej të aplikoheshin prokurime të centralizuara  i dërgoi ministrit Beqaj edhe analizën për kursim të buxhetit nëse lista do të miratohej në qeveri. 

Në dokumentin e përgatitur nga AQP dhe Laszlo Ketszeri eksperti nga Hungaria, theksohet se një shumë prej 530 mijë e 475 eurosh do të kursehej nëse do të aplikohej tenderë i centralizuar i furnizimit me naftë për të gjitha autoritetet kontraktuese në vend. 

Po ashtu një shumë tjetër 1 milionë e 810 mijë e 727 euro do të kursehej nëse do të aplikohej një tenderë i centralizuar i furnizimit me benzinë për të gjitha autoritetet kontraktuese që janë 172 të tilla. 

Po ashtu, agjencia ka paraparë se kursime do të ketë edhe për tenderët e furnizimit të materialeve për zyre. 

AQP-ja thotë se kontratat për furnizim me letër kanë treguar një model të ndryshëm të vlerave të kontraktuara, të paketave prej 500 fletëve të formatit A4 letër për kopjim, me çmime që variojnë prej 1,9  deri në 3,99 euro. 

Agjencia thekson se mund të arrijë një kontratë të përbashkët me me çmim prej 2.65 euro për paketë.

“Ky rast përbrenda fushëveprimit të njëjtë prej (31) Autoriteteve Kontraktuese, AQP mund të arrijë vlerën e kursimit në 59,289.50 euro dhe e cila do të shkojë përbrenda 172 Autoritete Kontraktuese, kursimet mund të jenë 172,258.29 Euro”, thuhet në analizën e AQP-së.