Propozimi Që Dëshmon Krizën e PTK-së

“Monaco Telecom International” ka kërkuar nga Posta dhe Telekomi i Kosovës që të lidhin një marrëveshje e cila do ta shpëtonte këtë ndërrmarrje publike nga kriza. 

“Monaco Telecom” në këtë propozim që i bëri PTK-së, ka treguar se koorporata publike mund të humbasë 120 milionë euro gjatë vitit 2014 dhe sipas këtij trendi, kontributi i PTK-së në buxhetin e shtetit të Kosovës mund të jetë minimal.  

“Telecom Monaco” në këtë propozim thotë se PTK-ja duhet të paguajë 3 milionë euro në vit në këmbim të ndihmës për të dalë nga kriza.

Aktualisht PTK-ja paguan “Monaco Telecom-in”  pasi që përdor kodin e saj që mundëon lidhjen me rrjetet ndërkombtare.

Ejup Qerimi, kryeshefi i PTK-së, në një intervistë për Emisionin Jeta në Kosovë thotë se këto janë vetëm propozime dhe mund të mos miratohen. 

Ai ka thënë se ky propozim i është bërë i ditur Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes.

Propozimet e “Monaco Telecom-it” të bëra në prill të këtij viti për PTK-në, Qerimi i quan analiza të brendshme reale. 

“Qëllimi i kësaj analize është për me mujtë me përmirsu punën tonë të brendshme”, tha ai.

Qerimi gjatë intervistës tregoi për kontributin që ka dhënë PTK-ja në buxhetin e shtetit prej vitit 2011 deri në vitin 2013. 

“Në vitin 2011, kemi ndarë 46 milionë, në vitin 2012 kemi ndarë 38 milionë, në vitin 2013 i kemi ndarë 41 milionë euro”, tha Qerimi. 

“Monaco Telecom” në këtë dokument, thotë se ndërrmarrja publike ka pasur rënie në të hyra, rënie në treg dhe rënie në numrin e konsumatorëve. 

Në këtë dokument thuhet se të hyrat në “Vala” nga viti 2011 deri në 2012, kanë rënë për 12 milionë, ndërsa në vitin 2013 për 15 milionë euro.  

Po ashtu edhe numri i konsumatorëve të humbur ka qenë 143 mijë për këta dy vjet. 

Bazuar në dokumentin e MTI-së rënie janë shënuar në të gjitha segmentet e korporatës publike.

Posta dhe Telekomi i Kosovës ka pasur rënie edhe në rrjetin e internetit. 

Vetëm gjatë viteve 2011 dhe 2012 të hyrat nga interneti kanë rënë për 2.3 milionë euro, ndërsa në vitin 2013 kjo rënie ka qenë për rreth 3 milionë euro. 

Numri total i konsumatorëve në këtë segment ka rënë nga rreth 86 mijë në vitin 2011 në rreth 81 mijë në vitin 2013. 

Ejup Qerimi, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, këtë rënie në të gjitha shërbimet e ndërrmarrjes që ai  udhëheq nga viti 2011, e ka arsyetuar si një trend normal që ndodh në gjithë botën. 

“Ky trend nuk është vetëm në PTK, por në të gjitha kompanitë tradicionale”, ka thënë Qerimi të enjten për emisionin “Jeta në Kosovë”. 

“Tashti me burimin e internetit dhe shërbimet speciale që i ofrojnë aplikacionet si ‘Viber’ dhe ‘What’sUpp’, të cilat janë pa pagesë, ndikojnë edhe në humbje”.

Konkurrenca agresive

MTI-ja në rekomandimet që i ka bërë PTK-së, ka treguar se rëniet e këtij gjiganti ekonomik kanë ndodhur edhe shkaku i konkurrencës agresive të operatorëve “Z Mobile” dhe “IPKO”. 

“Pjesëmarrja e ‘Valës’ nga 71% në 2011 ka rënë në 54.5% në vitin 2013, për shkak të konkurrencës agresive nga ‘Z Mobile’ dhe ‘IPKO’”, thuhet në propozimin e “Monaco Telecom-it”. 

Gazeta Jeta në Kosovë e ka pyetur edhe “Monaco Telecom-in”, pse është dashur të presin kaq gjatë për këto rekomandime, duke parë dështimet e PTK-së, por ata akoma nuk kanë dhënë përgjigje rreth kësaj çështjeje. 

Ndërkaq Ejup Qerimi ka përmendur shumë arësye që gjatë kohës sa ai është duke e udhëhequr me PTK-në kanë pasur  20 milionë euro më pak të hyra. 

“Ka shumë arësye pse ne kemi pasë 20 milionë më pak të hyra, kemi qenë në një situatë komplekse, nuk ka qenë situatë që ne jemi aty vetëm me bë biznes”, ka thënë Qerimi.  

Qerimi ka thënë se në kohën kur ai ka ardhur në pozitën e kryeshefit ekzekutiv, PTK-në është dashur ta ndajnë në dy kompani- prej Postë-Telekomunikacionit në Postën e Kosovës dhe Postë-Telekomunikacionin e Kosovës.

“Ne kemi pas përmbi procesin e privatizimit, i cili i ka pasur kufizimet e veta në investime dhe në operime, edhe e kemi pasë realizimin e planit te biznesit”, tha Qerimi. Sipas tij krejt këto kanë krijuar një situatë komplekse.

“Nuk ka qenë kjo situatë e thjeshtë, që je biznes privat i ke duart e lira dhe bën biznes siç ka qenë rasti i IPKO-s”.