Vazhdojnë Telashet për Lokalin që Shiti AKP-ja

Janë liruar të gjashtë të shoqëruarit në polici të cilët janë përleshur për arsye të kontestimit të pronësisë së një lokali që gjendet në lagjen “Lakrishte” të Prishtinës.

Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës, ka konfirmuar se Lavdim Mehmeti dhe Blerim Potera kanë qenë të përfshirë në përleshje, por nuk ka dhënë informata për katër të tjerët.

Sipas saj personat e përfshirë në përleshje janë liruar në procedurë me urdhër të prokurorit dhe ndaj tyre do të vazhdojnë hetimet. 

Lavdim Mehmeti thotë se ka zgjedhur të dëgjojë këshillat e policisë që të mos shkojë në lokal deri sa të bëhet një zgjidhje për rastin.

“Unë kam vendosur që të ndjek rrugët ligjore për të rikthyer pronën time,” thotë ai.

Ai kishte blerë këtë lokal nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin 2011, por deri javën e kaluar nuk kishte mundur të hyjë në pronën e tij. 

Pas raportimit të Gazetës Jeta në Kosovë se prona e tij po mbahet e uzurpuar, Mehmeti ka arritur që të bindë një qiradhënës për t’ia liruar lokalin e tij.

“Me të marrë vesh se prona që ata po e shfrytëzojnë është e uzurpuar nga personat të cilët aty po paguanin qira, këta shfrytëzues kanë vendosur që të lirojnë pronën”, i kishte thënë Mehmeti Gazetës Jeta në Kosovë.

Siç thotë Mehmeti, prona e tij po shfrytëzohej nga persona të cilët i kanë paguar qira Hasan Poterës.  

Por, ngjarja nuk përfundoi me kaq.  Siç tregon Mehmeti,  pasi që ka hyrë në lokal me të gjithë familjen e tij, është sulmuar në mbrëmje nga Blerim Potera, djali i Hasan Poterës  dhe siç thotë ai, dy pjesëtarë të sigurimit personal të Poterës.

Lokali në të cilin Lavdimi arriti të hyjë së bashku me familjen e tij, që nga dita e premte është duke qëndruar i mbyllur.

Blerim Potera nuk ka komentuar rastin. Pasi Gazeta i dërgoi pyetje atij, u lajmërua babai, Hasan Potera që kishte paralajmëruar më herët se Lavdim Mehmeti duhej të largohej, sepse përndryshe do të dërgonte në lokal djemtë e tij dhe punëtorët e sigurimit. 

Hasani tha se djemtë e tij dhe një kushëri i tyre kanë shkuar deri te lokali për të parë se çfarë po ndodh me të. 

“Por atë ditë u bë një gabim, Policia ka bërë gabim, sepse nuk është dashur me lan me pas qasje as mu e as Lavdimin, kur e ka pa situatën e tensionuar,” ka thënë Potera

Sipas tij, ai është i gatshëm që të takohet dhe të zgjidh problemet me familjen e Lavdim Mehmetit.

“Unë sot ja kam cingrru ne telefon, prej ndjenjave prindërore, por nuk ma ka çel telefonin. Kam dashtë me e thirrë ata edhe babën e vet për  kafe, kjo është më e mira, i qetësojmë këto edhe ndreqen punët, sepse familja jem nuk varet prej një lokali.  Unë kam kapital me ble 500 lokale”, ka thënë Potera.

Mehmeti mohon se është thirrur në telefon nga Potera.