Tender Milionësh për Ish-Truprojën dhe Nipin e Sami Lushtakut

Kompania në pronësi të njerëzve të afërt të Sami Lushtakut, kryetarit të Skenderajt, ka arritur të fitojë për herën e tretë tenderin për sigurimin fizik të objekteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

“Security Code” me bazë në Prishtinë është në pronësi të Esat Tahirit, që shërbeu si truprojë e Lushtakut në vitet 2000-2001 kur ai ishte gjeneral i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, dhe të Milazim Lushtakut, djalit të vëllait të kryetarit të Skenderajt. 

Por edhe pse e gjendur nën hetime nga EULEX-i lidhur me një tender të ngjashëm të fituar nga Korporata Energjetike e Kosovës që peshonte rreth 6 milionë euro, “Security Code” arriti të fitonte në AKP  tenderin ku ofertoi me 1 milionë e 800 mijë euro për të ruajtur objektet e ndërmarrjeve shoqërore për dy vjet: 2014-2016.

AKP-ja që njoftoi më 11 prill në faqen zyrtare të saj se kompania doli fitues pasi që ofroi çmimin më ulët të përgjegjshëm krahas konkurrentëve tjerë, nuk komentoi të qenët nën hetime të “Security Code” lidhur me tenderin e KEK-ut dhe vërejtjet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm lidhur me dy kontratat e mëhershme për ruajtjen e objekteve të ndërmarrjeve shoqërore.

Auditori kishte konstatuar se kompania ishte paguar për punë të pakryera më 2010, ndërsa më 2012 ishte paguar pa pasur kontratë të lidhur me AKP-në. 

“Gjithçka ka shkuar sipas ligjit”, tha Veton Hajdini, shef i Zyrës për Informim të AKP-së. 

Agjencia… nuk ishte e gatshme të lejonte qasje në dosjet e tenderit. 

Sipas Hajdinit një gjë e tillë  do të mundësohej vetëm pas lidhjes së kontratës mes palëve. 

Data 25 prill është paracaktuar si datë e mundshme e nënshkrimit të kontratës për shërbimet e sigurimit fizik për hapësirat e AKP- se dhe të ndërmarrjeve të rëndësishme shoqërore nën administrimin të Agjencisë, siç janë “Trepça” e  hoteli “Grand”. 

Ligji i Prokurimit nuk sheh ndalesë për kompanitë që janë nën hetime dhe eliminon vetëm ato që janë të dënuara me vendim të formës së prerë.

Cezary Michalczuk, prokuror i EULEX-it, në gusht të vitit të kaluar nisi hetimet bazuar në denoncimin e bërë nga “Besa Security” se KEK-u kishte vendosur kundërligjshëm kur kishte shpallur fitues në nëntor të vitit 2012 konzorciumin Security Code-ËDG që ofertonin me 6 milionë euro dhe kishte anashkaluar ofertën e tyre më të favorshme në vlerën prej 3 milionë eurosh. 

Përveç drejtuesve të kompanisë Esat Tahiri e Milazim Lushtaku, është duke u hetuar edhe Hysni Hoxha, kryesues i Organit Shqyrtues të Prokurimit që kishte refuzuar ankesën e “Besa Security” dhe Arben Gjukaj, drejtor i KEK-ut.

Ata dyshohet se iu nënshtruan presionit të Sami Lushtakut për të shpallur fituese kompaninë “Security Code”. 

Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it, ka konfirmuar se hetimet në këtë rast janë duke vazhduar.

Po ashtu edhe Hoxha, kreu i OShP-së, ka konfirmuar që gjendet nën hetime. I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë deklaroi se “ të hetuarit nuk i lejohet qe te prezantohet publikisht dhe atë per faktin e ‘mosprishjes’ se hetimeve”.

Pas një zvarritje gjashtë muajshe ai u mandatua sërish në këtë pozitë nga parlamenti i Kosovës në mars të këtij viti përkundër që më herët ishte asamblist i PDK-së në Prizren dhe po ashtu gjendet në hetime.

Zyra e BE-së në Prishtinë në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë deklaroi se “BE-ja është e brengosur rreth procesit të emërimit të anëtarëve të OSHP-së, dhe është për të ardhur keq që ky proces ka shkaktuar pezullim të gjatë të aktiviteteve të OSHP-së”. 

Ndërkaq Gjukaj i tha Gazetës Jeta në Kosovë se asnjëherë nuk kishte pasur presion nga askush dhe se është i gatshëm të përgjigjet para gjyqit.

“Kam qenë, jam dhe do të mbes në shërbuim të organëve të drejtësisë”, tha Gjukaj.

Ndërkohë Esat Tahiri, drejtor i Security Code, thotë se oferta e tyre ishte 6 milionë e 237 mijë euro ndërsa e Besa Security ishte më e lartë se sa e tyre-6 milionë e 306 mijë euro.

“Gjatë vlersimit të tenderit poashtu është vërtetuar se “Besa Security “ i mungon licenca për frekuenca për radiolidhje që e lëshon ART-ja e cila ka qenë kriter obligativ në dosje të tenderit,dhe është e papërgjegjshme”, thotë Tahiri.

 


Eset Tahiri | Foto: Facebook

Ankesat e kompanive konkurrente 

Milazim Lushtaku ende nuk ka komentuar lidhur me tenderin e fituar para dhjetë ditësh nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, por  Esat Tahiri, aksionar dhe drejtor gjeneral në këtë kompani,  tha se “Security Code” prezantoi ofertën më të mirë në tenderë.

Tahiri thotë se kompania ofertoi me 1 euro 97 centë për një orë punë të një punëtori të saj. 

“AKP-ja në bazë të kësaj oferte më paguan kaq mua (kompaninë) për një orë punë të punëtorit tim. Unë pastaj me paratë e AKP-së e siguroj veshmbathjen për punëtorin, pagën e tij dhe një fitim të kompanisë prej 3-4 centë përbrenda 1.97 centëshit”, thotë Tahiri.

Vlera totale e ofertës së dorëzuar në AKP  për dy vjet peshon 1 milion e 872 mijë euro. 

Tahiri thotë se nuk ishte Sami Lushtaku urë-lidhëse për ta njohur Milazim Lushtakun, nipin e tij. 

Ai thotë se më 2001 kur nuk ishte më truprojë e Lushtakut kishte nisur të punonte si trajner i karatesë në një klub lokal në Skenderaj. 

“Milazimin e kam pasur nxënës të karatesë. Aty e kam njohur”, tha Tahiri duke shtuar se me sportin e karatesë është marrë që nga vitet e 80-ta. 

Ai tha se hetimet e zhvilluara ndaj tij nuk mund të pengojnë që të fitojë tenderë. Por, thotë se hetimet e kanë dëmtuar kompaninë e tij.

“Në raste kur po e humbim tenderin nuk po bëj ankesë në OShP sepse po besoj që nuk na marrin parasysh për shkak se jemi nën hetime”, thotë ai. 

Dyshimet e prokurorit të EULEX-it i quan të pabaza pasi që sipas tij  “Besa Security” nuk ka të drejtë në pretendimet e saj. 

Megjithatë përveç tenderit në KEK, e njëjta kompani pretendon se i është bërë e padrejtë edhe në tenderin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Granit Hasani, drejtor gjeneral i “Besa Security”,  tha se AKP-ja pa të drejtë konstatoi se kompania e tij nuk plotësoi kriterin e pagës së punëtorëve. 

AKP-ja kishte kërkuar nga operatorët që në ofertën e tyre të përllogaritnin që pagat e punëtorëve të mos jenë më të ulëta se sa 250 euro bruto dhe kishte konkluduar se oferta e kësaj kompanie parasheh pagesë më të vogël për punëtorët. 

“Besa Security” kishte ofertuar me 1 euro 69 centë për një orë punë të një punëtori dhe sipas Hasanit në këtë ofertë ishin përllogaritur edhe pagat ashtu siç janë kërkuar nga AKP-ja. 

Më pak sesa “Security Code” që kërkon 1.97 centë për një orë punë kishin kërkuar edhe kompania “Luani” dhe “Delta Security”. 

Abdyl Beqiri, drejtor menaxhues në kompaninë “Luani”, deklaroi se brenda ofertës së tyre -1.5888 centë për një orë punë përfshiheshin edhe pagat e punëtorëve- jo më të ulëta sesa 250 euro bruto.

“Do të ankohemi në OShP kundër AKP-së’, tha Beqiri. 

Edhe Ekrem Dreshaj, drejtor menaxhues në “Delta Security” që ofertoi me 1 euro e 70 centë për një orë punë, tha se për të njëjtën pikë do të parashtrojnë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. 

Miliona për “Security Code”

Kompania “ Security Code” tenderin e parë në AKP e kishte fituar  me 19 shkurt të vitit 2010. 

Në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik shënon se kjo kompani kishte ofruar çmimin më të ulët të përgjegjshëm duke kërkuar  0.80 centë për një orë punë.  Por aty nuk përmendet vlera totale e kontratës. 

Ndërkohë tenderin e dytë kjo kompani e kishte fituar më 16 mars të vitit 2012. 

Kishte kërkuar 1 euro e 65 centë për një orë punë dhe vlera totale e kontratës ishte 1 milion e 32 mijë euro. 

Përderisa AKP-ja thotë se gjithçka kishte shkuar bazuar në ligj, është Zyra e Auditorit të Përgjithshëm që kishte konkluduar parregullsi në zbatimin e kontratave të vitit 2010 e 2012. 

Raporti  i auditimit për AKP-në që i referohet vitit 2010 konludon se kontraktuesi (“Security Code”) kishte faturuar më shumë sesa punët e kryera. 

“…në dy raste kontraktuesi kishte faturuar më shumë për 568 euro sesa punët (shërbimet) e kryera. Ne kemi vërejtur që nuk përputhet raporti i orëve të rojeve të kontraktuesit dhe faturës përkatëse. Nuk kishte kontroll funksional për të siguruar se pagesat përputhen me punën e kryer”, thuhet në raport.

Lidhur me këtë gjetje të auditimit, drejtuesi i kompanisë private Esat Tahiri tha se nuk e ka parë më herët raportin, por se beson se auditorët kanë mundur të gabojnë.

“Sigurisht kanë gabuar në përllogaritjen e orëve të punës, sepse kjo nuk ka mundësi të ndodhë”, tha Tahiri.

Ndërkaq në raportin e auditimit për AKP-në që i referohet vitit 2012 konkludohet se kontraktori është paguar pa pasur kontratë të lidhur mes palëve.

“AKP-ja ka pranuar shërbime për sigurim fizik për hapësirat e AKP-së për 23 ditë, përkundër kontratës së skaduar paraprakisht. Kontrata e mëhershme kishte përfunduar në fund të muajit shkurt 2012, ndërsa shërbimet kishin vazhduar deri në fund të muajit mars 2012. Pagesa e shërbimeve për periudhën sa nuk kishte kontratë valide ishte bërë sipas kushteve të kontratës së re me datën 23.03.2012”, thuhet në raport. 

Tahiri nga “Security Code” tha se vazhdimi i punës në mungesë kontrate ka qenë i nevojshëm. 

“Nuk mund të lihen objektet pa sigurim. Duhet të vazhdojë puna deri në zgjedhjen e kontraktorit të ri”, tha Tahiri.