Padia Kundër Shqiptaro-Amerikanit të “Vetëvendosjes” për Hidrocentralin

Deputeti i Vetëvendosjes dhe ish-privatizuesi i Hidrocentralit të Kozhnjerit, Florin Krasniqi po ua sheh sherrin dy fletëgarancioneve të nënshkruara me dorën e tij më 25 nëntor të vitit 2004.

Me to ai është zotuar dhe u ka premtuar Naim Haradinajt dhe Hasan Cacajt se të dy janë aksionarë prej 10 për qind në fitimin neto (dividentën) e hidrocentralit.

Kompania e Krasniqit,  “Triangle General Contactors Ink”,  mori në shfrytëzim hidrocentralin më 2004,  pas një marrëveshje të lidhur me KEK-un.

Një vit më vonë kompania përfundoi të gjitha punët e rinovimit të hidrocentralit.

Sipas faqes zyrtare të TGC-së, kompania me hidrocentralin e Kozhnjerit është licencuar si prodhuesja e vetme private e energjisë elektrike në Kosovë në përputhje me Ligjin për Energjinë dhe normat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZrrE).

Por Krasniqi dhe kompania TGC u paditën në Gjykatën Themelore të Pejës më 2010.

Palët u ballafaquan më 2 prill në seancën gjyqësore të mbajtur në degën e kësaj gjykate në Deçan.

Duke u bazuar në fletëgarancionet e lëshuara nga Krasniqi, Naim Haradinaj nga Gllogjani dhe Hasan Cacaj nga Deçani po pretendojnë se biznesmeni shqiptaro-amerikan u ka borxh 10 për qind të aksioneve të hidrocentralit, pasi që pa dijeninë e tyre ia kaloi menaxhimin e këtij aseti kompanisë Kelkos të George Weber-it.

Haradinaj edhe para privatizimit  ka punuar si planifikues i Hidrocentralit, ndërsa Cacaj ka qenë menaxher i degës për Kosovë të kompanisë Triangle.

Në pjesën e fundit të këtyre fletëgarancioneve, aty ku shkruhen komentet, thuhet se: “nëse presidenti i TGC INK Florin Krasniqi nuk i plotëson detyrimet e marra, atëherë ky garancion mund të përdoret në organet komptente dhe gjyqësore si dëshmi…”.

Por Krasniqi mohon se hidrocentrali Lumbardhi, si quhet pas privatizimit ky prodhues energjie me ndihmën e ujit, është shoqëri aksionare.

“Ma së pari ne nuk kemi qenë shoqëri aksionare, por shoqëri me përgjegjësi të kufizume. Unë ju kam dhanë një letër-premtim atyne [Haradinajt e Cacajt] se kur të pavarësohet Triangle… e do të bahet shoqëri aksionare unë kam me i ba pjesë-aksionerë me të drejta dhe obligime të barabarta”, shpjegon Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në anën tjetër te shoqëritë aksionare, ortakët nuk janë përgjegjës vetëm për investimet që bëjnë në kompani, por edhe për kapitalin tjetër që kanë jashtë saj.

Krasniqi, kompania e të cilit zyrtarisht pas emrit ka shtesën ndërmarrje me përgjegjësi të kufizuar, tregon se Cacaj e Haradinaj nuk kanë investuar në hidrocentral, për të qenë aksionarë.

“Për me qenë aksioner duhet me dhanë kontribute, me dhanë pare, duhet me i regjistru fletat e aksioneve”,  thotë Krasniqi.

Ai ia shiti kontratën e shfrytëzimit të hidrocentralit kompanisë “Kelkos ShPK” me seli në Prishtinë dhe pronar George Weber-in për 2 milionë e 129 mijë e 323 euro.

Nga këto para, Krasniqi sipas gjykatëses Safete Tolaj ia dha Naim Haradinajt 90 mijë e 932 euro, ndërsa Hasan Cacajt 70 mijë euro të tjera, por të dy paditësit thonë se 10 përqindëshi i fitimit neto që pretendojnë se u takon, është më i madh se paratë që kanë marrë.

Krasniqi i tha Gazetës Jeta në Kosovë se këto para ia kishte dhënë Cacajt e Haradinajt për shkak të kontributit që kishin dhënë në hidrocentral.

Krasniqi thotë se nuk i ka njohur këta si aksionarë, por fletëgarancioni tregon të kundërtën  e këtij deklarimi.

Padia: Krasniqi ka borxh 262 mijë e 932 euro

Megjithatë 10 përqindëshi i mbi 2 milionë eurove sa u shit leja për shfrytëzimin e hidrocentralit ka vlerën e 211 mijë e 932 eurove.

Haradinaj e Cacaj së bashku i kërkojnë edhe këto para.

Ata kërkojnë  nga Krasniqi nëpërmjet rrugës gjyqësore edhe shumën prej 262 mijë e 932 eurosh.

121 mijë euro sipas padisë i takojnë Haradinajt, ndërsa 141 mijë e 932 euro Cacajt.

Të mërkurën e 2 prillit u mbajt seanca e radhës për këtë rast në Gjykatën Themelore të Pejës-dega në Deçan. Cacaj e Haradinaj përveç Krasniqit, akuzojnë edhe Veberin e “Kelkos ShPK-së” në padinë e tyre. Aty Veber figuron si i paditur i dytë.

Seanca e parë është mbajtur në vitin 2009, ndërsa ajo e fundit është mbajtur në vitin 2012, dhe mosmbajtja e seancave deri në këtë kohë është si pasojë e vdekjes së gjyqtarit të lëndës Haki Balaj vitin e kaluar.

Cacaj e Haradinaj ngrenë këtë padi më 15 prill të vitit 2009.

“I padituri i parë Florin Krasniqi si president i firmës TGC INC, paditësve Hasan Cacaj, dhe Naim Haradinaj për shkak të angazhimeve të tyre dhe kontributit të përbashkët ua kishte pranuar të drejtën e aksionit të shitjes së hidrocentralit, çdonjërit nga 10 për qind”, tha gjyqtarja Tolaj, derisa lexonte padinë.

Si provë e padisë merret fletëgarancioni i nënshkuar nga Krasniqi.

Sipas aktakuzës “i padituri i parë Florin Krasniqi, pa dijeninë e paditësve Hasan Cacaj dhe Naim Haradinaj, i ka shitur të paditurit të dytë George Weberit hidrocentralin, me ç’rast paditësve nuk u është pranuar pagesa e aksioneve të mbetura gjatë shitjes së këtyre hidrocentraleve”.

Në seancë ishin të pranishëm përfaqësuesit ligjorë të palëve të përfshira në kontest, të cilët shfaqën ato që i konsiderojnë argumente të tyre.

Mbrojtësit: Padia pa fakte

Armand Krasniqi, mbrojtësi i kompanisë TGC INK dhe Florin Krasniqit, padinë e vlerësoi joprofesionale.

“Nuk ka asnjë provë relevante dhe si duket mungon edhe përgatitja profesionale në lëmin e çështjeve të ekonomisë dhe të biznesit për të komunikuar juridikisht, gjë që sjell shtrembërimin e gjendjes faktike, duke e bërë këtë padi një konstruksion të paqartë juridik, duke lënë përshtypje në tentativë për të manipuluar këtë gjykatë”, tha Krasniqi gjatë seancës.

Avokati i deputetit të Vetëvendosjes më tutje shtoi se kompania TGC INK nuk është shoqëri aksionare, por shoqëri me përgjegjësi të kufizuara.

Pikërisht të kundërtën e argumentoi me fletëgarancion Isa Osdautaj, avokat i Cacajt dhe Haradinajt.

“Posaçërisht dua të theksoj se në fletëgarancion është zotuar presidenti i kompanisë Florin Krasniqi që në pikën 2 thotë se në bazë të aktivitetit të tij Hasan Cacaj  do të jetë aksionar 10 për qind në fitim neto”, thotë përfaqësuesi ligjor i paditësit Cacaj.

Por vetë Florin Krasniqi ka mendim tjetër për fletëgaranconet që ka nënshkruar.

“Ata nuk e kanë kuptu se çka don me thanë [fletgarancioni], kanë menu se ky na ka dhanë një letër dhe tash na jem aksionerë”, tha Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por kryetarja e gjykatës në Deçan Safete Tolaj tha në seancën e së mërkurës se edhe paditësit të parë Krasniqi, por edhe të dytit George Weber-it u mungon vullneti i mirë për të bërë pagesën e këtyre aksioneve.

Ibrahim Dobruna, përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Kelkos ShPK”, duke e konsideruar aktakuzën si të pabazuar dhe të pafaktuar tha se “kompania që ai përfaqëson nuk bart asnjë përgjegjësi për raportet në mes të ish-pronarit të “Lumbardhi-t” dhe pretendentëve të tij si askionarë, të cilët e ngarkojnë si borxhli ndaj tyre”.

Këtë e kundërshtoi avokati Armand Krasniqi, mbrojtës i kompanisë TCG INK me fjalët se kompania e George Weberit nuk ka blerë hidrocentralin, por vetëm lejen për shfrytëzimin e tij.

Avokati Krasniqi përmendi edhe një detaj në favor të asaj që nuk i bën aksionarë të kompanisë që mbron, Naim Haradinajn dhe Hasan Cacajn.

“Paditësit Cacaj dhe Haradinaj ishin punonjës me rrogë në hidrocentral deri me datën 29 prill të vitit 2008. Është e pakuptimtë që dikush ta quaj veten aksionar të një ndërmarjeje, e në anën tjetër të marrë rrogë në atë ndërmarrje”, tha Krasniqi.

Të njëjtën e tha edhe shqiptaro-amerikani në Vetëvendosje.

 “Hasani o kanë administrator gjatë asaj kohe, e Naimi o kanë bashkëpunëtor. I kanë marrë rogat tanë kohën. Prej momentit që kanë fillu punën e deri sa janë largue, ata për çdo muj kanë marrë rrogë ka një mijë euro e pak ma shumë”, tha Krasniqi, pa e mohuar kontributin për ndërmarrjen të dy bashkëpunëtorëve që e kanë hedhur në gjyq.

Ndërkaq sipas avokatit të tyre Isa Osdautaj, këta të dy nuk kanë marrë rroga në hidrocentral, pasi që këta të dy sipas tij kanë qenë aksionarë.

Më 27 maj të këtij viti do të vendoset nëse ky shqyrtim gjyqësor do të marrë formë të prerë.