Bizneset në Serbi Vështirë Marrin Kredi

Pasi kohëve të fundit ka nisur rimëkëmbja ekonomike në eurozonë, rritja potenciale e normave të interesit për kreditë në euro do të mund të vendosë një ngarkesë shtesë për ekonominë e trazuar të Serbisë.

Norma referencë e interesit më të cilën bankat evropiane huazojnë para për njëra-tjetrën, e njohur si euribor, është ende larg nivelit të saj të parakrizës.

Një euribor gjashtëmujor tani ka vlerën 0.4 për qind, 5 për qind më pak se në fillim të krizës ekonomike në vjeshtë të vitit 2008. 

Pasi ekonomitë evropiane po shërohen, euribori, ose normat e referencës po ua afrohen niveleve të parakrizës. Vlera e euriborit është pjesë e çmimit të kredisë dhe rritja e tij mund t’i shttrenjtojë kreditë në euro. 

Për kompanitë serbe që janë në “luftë” për kredi, rritja e normave të interesit mund të jetë si një ngjitje përpjetë.

Në këtë shtet gjithnjë e më shumë klientë nuk po mundin t’i shlyejnë borxhet e tyre, kreditimi po ngadalësohet dhe bankat janë duke u bërë më të kujdesshme me kërkesa të kredisë.

Në fund të shkurtit, sipas Shoqatës së Bankave Serbe, pothuajse një e treta e kompanive nuk ishin në gjendje të paguajnë kreditë e tyre me kohë. 

Kreditë me probleme në masën 29 për qind

Norma e kredive me probleme për kompanitë tani është 29 për qind .

Shuma e përgjithshme e kredive të lëshuara ndërkohë ka rënë me rreth 126.3 miliardë dinarë (1.09 miliardë euro) që nga shkurti i vitit të kaluar.

E përditshmja Danas pohoi se banka qendrore në Serbi tërhoqi rreth 1 miliard euro nga vendi gjatë vitit të kaluar.

Duke konfirmuar këtë informacion, zyrtarë nga Banka Kombëtare e Serbisë (NBS) theksuan se sektori bankar në këtë vend ka mbetur i qëndrueshëm dhe likuiditeti i tij ka qenë mbi minimumin ligjor. 

Likuiditeti paraqet shpejtësinë me të cilën një pasuri mund të shndërrohet në para të gatshme, pa humbur shumë nga vlera e saj. 

“Modelet e biznesit të bankave të Evropës janë duke ndryshuar në drejtim të reduktimit të ekspozimit ndërkufitar”, vunë në dukje përfaqësues të bankës.

“Në fillim të krizës globale financiare, degët lokale … kryesisht u mbështet në burimet e jashtme të financimit, por duke filluar në vitin 2008, ekspozimi i bankave evropiane në Serbi është zvogëluar, siç është rasti me vendet tjera të rajonit”, thanë më tutje ata.

Ekspertët thonë se frika që kreditë me probleme do të rriten është arsyeja kryesore se pse bankat janë duke marrë një qëndrim më të rreptë ndaj kompaniveqë kërkojnë kredi.

Shumë pak projekte të mira

Vukoje Muhadinoviq, menaxher i përgjithshëm në Industrisë e Mishit në Topola, tha se mungesa e likuiditetit nuk është arsyeja e vetme pse kompanitë janë gjetur në vështirësi për të marrë kredi.

“Afarizmi që kemi pasur në sektorin bankar, me mbylljen e disa bankave  ka kontribuuar në klimë më të ngurtë dhe më të rreptë të biznesit”, tha ai.

“Kjo merr më shumë kohë, përpjekje dhe burokraci tani për të marrë një kredi, ndërsa prodhimi nuk mund të presë për lëndët e para që të vijnë”, shpjegoi ai.

Slavko Cariq, kryetar i bordit ekzekutiv në Erste Bank, tha se dy grupe të faktorëve ndikuan në ekspozimin e reduktuar të bankave.

“Njëri është zvogëlimi i kërkesës – dhe mungesa e projekteve të qëndrueshme dhe me cilësi që do të financohen “, tha ai, duke shtuar se bilancet e kompanisë në përgjithësi ishin përkeqësuar për shkak të situatës së përgjithshme ekonomike.

Arsyeja tjetër, sipas Cariq, është niveli i lartë i kredive të këqija, e cila kërkon bashkëpunimin e shtetit, bankave dhe ndërmarrjeve në kërkimin e një zgjidhje sistematike.

“Kur një kompani ndalon shlyerjen e borxheve të saj, ajo ndikon shumë te kompanitë e tjera”, vuri në dukjeCariq.

Veroljub Dugaliq, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave Serbe, këmbënguli se problemi kryesor qëndron në ekonomi, e jo te bankat.

“Ekonomia jonë është tashmë në zonën e paaftësisë paguese, kur shumë kompani nuk mund të paguajnë faturat e tyre fare”, tha ai.

“Bankat … janë të gatshme për të mbështetur çdo projekt të mirë dhe klientin, por problemi është … në situatën e dobët të përgjithshme në ekonomi, sidomos në industri”, shtoi Dugaliq.

Zoran Grubishiq, profesor në Akademinë Bankare të Beogradit, shtoi se vendimi i bankave “amë” për të riinvestouar një pjesë të fitimeve të tyre jashtë Serbisë është edhe pjesë e shpjegimit për rrjedhjen e parave.

“Ata kanë vlerësuar se rreziku [i dhënies së kredive] është më i lartë në Serbi, për shkak të peshës më të lartë të kredive të këqija,” tha Grubishiq.

Ai shtoi se edhe pse bankat mund të fitojnë më shumë kur huazojnë para për kompanitë, blerja e obligacioneve qeveritare është më pak e rrezikshme, por megjithatë një biznes fitimprurës.

Skllavëria e borxhit

Ndërsa rimëkëmbja e ekonomive në eurozonë mund të hapë mundësi të reja për eksportuesit serbë në afate të gjata, në vitet e ardhshme do të mund të rrisë normat e interesit.

“Një rritje në normën evropiane të referencës mund të jetë një kërcënim potencial, por kjo nuk do të ndodhë brenda natës, pasi procesi varet nga rimëkëmbja e ekonomive të BE-së”, tha Dugaliq.

“Por është reale të pritet që do të rritet gradualisht me kalimin e kohës dhe të reflektojë mbi normat e interesit në tregun tonë”, shtoi ai, duke vënë në dukje se efekti mund të neutralizohet në qoftë se në ndërkohë erbia përmirëson normën e saj të kreditit.

Nga ana tjetër, normat e interesit për kreditë në dinarë kanë një shans të fortë të rënies, në qoftë se Banka Qendrore shkurton normën referencë në përputhje me normën e inflacionit.

“Megjithatë, ne duhet të jemi realë në pritjet tona, interesi ndoshta do të reduktohet me vetëm 1 deri në 1.5 për qind”, tha Grubishiq.

Megjithatë, siç nxjerr në pah Muhadinoviq, kompanitë serbe rrallëherë marrin kredi në dinarë, dhe shumë prej tyre janë të detyruara ndërkohë që të hyjnë në kredi të reja për të paguar për të mëparshmet.

Nikola Paviçiq, president nderi i Tarkett Sintelon, paralajmëroi se bankat dhe kompanitë janë aktualisht të lidhura me njëra-tjetrën në një formë të “skllavërisë së borxhit ” që kërcënon të shkatërrojë të dy palët, nëse nuk ka reforma të sistemit financiar dhe monetar.

“Qeveria nuk është duke ecur në këtë drejtim, megjithatë, për shkak se ajo gjithashtu u akuza për sigurimin e fondeve në tregun e brendshëm financiar për të mbuluar deficitin”, tha ai.

” Problemet kryesore që pengojnë ekonominë serbe nuk janë shkaktuar nga problemet në eurozonë, por janë prodhuar këtu, me një normë të mbivlerësuar të këmbimit dhe normat e larta të interesit”, shtoi Paviçiq, duke kujtuar se norma mesatare e interesit të vitit të kaluar ishte rreth 18 për qind.

“FMN-ja dhe Banka Botërore mund të na ndihmojnë, por ata nuk mund të zgjidhin problemet tona”, përfundoi ai.