Ankesa Misterioze dhe mungesa e 3G-së së VALA-s

Ejup Qerimi që udhëheq PTK-në, ndërmarrjen më të madhe të telekomit në vend, nuk mund të shfrytëzojë shërbimet e avancuara 3G nëpërmjet telefonit të tij që ka numër të Vala-s. 

Ai mund ta bëjë këtë vetëm nëse shfrytëzon numër telefoni të IPKO-s, ku kishte punuar si menaxher i Zyrës së Projekteve nga janari i vitit 2009 e deri në të njëjtin muaj të 2011-ës. 

Qerimi është i paqasshëm për të dhënë shpjegime se pse ndërmarrja publike e telekomit që udhëhiqet nga ai ende nuk ka filluar të ofrojë shërbime të avancuara të gjeneratës së tretë 3G.

Interneti me cilësi të lartë e shpejtësi të madhe në telefona të menqur mobil, që ofron edhe shërbimet si -telefonata me video,  TV në celular, është në dispozicion në disa nga shtetet më të varfëra dhe më të dhunshme në botë, duke përfshirë Somalinë dhe Afganistanin. 

Por edhe pas katër muajsh pasi që 3G arriti në Kosovë, në dhjetorin e kaluar, operatori më i madh në vend i telefonisë mobile, Vala e Postë-Telekomit të Kosovës, ende nuk e ka këtë shërbim në ofertë. 

Data 1 dhjetor ishte përcaktuar nga Agjencioni Rregullativ për Komunikime Elektronike e Postare (ARKEP) si kohë kur mund të fillonin të ofronin këtë shërbim të dy operatorët.

Arsyet për vonesën e PTK-së janë të shumëfishta. 

Vetë PTK-ja mbajti veten jashtë investimeve në teknologjitë e kërkuara për të zbatuar shërbimin, duke parashikuar se pronari i ri i kompanisë së privatizuar do ti bëjë vetë ato. 

Por shitja e PTK-së për konzorciumin gjermano-amerikan, ACP Axos Capital Partners, për 277 million euro ka dështuar, pasi që Kuvendi i Kosovës refuzoi të miratoj shitjen, dhe mbetet e paqartë nëse dhe kur do të ndodh ndonjë përpjekje tjetër për privatizim. 

Në dhjetor dukej se PTK-ja lëvizi me shpejtësi për të zhvilluar infrastrukturën për shërbimet e saj në 3G dhe 4G për të qenë në konkurrencë me IPKO-në që ka lansuar 3G, duke zgjedhur me kujdes dy kompanitë që njohin sistemin e saj ekzistues për ta përfunduar avancimin në teknologjinë më të re.  

Por kjo u godit nga një pengesë misterioze. Kompania Infinite Solutions-KAD, e themeluar në Prishtinë në prill të vitit 2012,  pa ekspertizë të demonstruar në telekomunikacion dhe indirekt në pronësi të një oxhak fshirësi nga New Jersey, u ankua në vendimin e PTK-së që aplikoi procedura të negociuara me kompanitë e zgjedhura për zbatimin e 3G-së, duke kërkuar që tenderi të shkoj me procedura konkurruese. 

Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi se biznesmeni Visar Jakupi nga New Jersey, pronar i GV Consulting që zotëron kompaninë Infinite Solutions-KAD, përfaqëson në SHBA edhe një biznes të Devolli Corporation nga Peja në pronësi të Shkëlqim Devollit. 

Korporata nga Peja deklaron se nuk mban përgjegjësi për aktivitetet në biznese tjera të përfaqësuesit të saj.

Megjithatë kjo ankesë e tyre, e bërë në dhjetorin e kaluar dhe e cila asnjëherë nuk u shqyrtua nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) që ishte pa bord, ka ndikuar që të ketë vonesë të 3G-së për kaq gjatë. 

Ligji i Prokurimit lejon që aktiviteti i prokurimit të ec tutje në rast se OSHP-ja nuk shqyrton ankesën Brenda 30 ditësh. 

Menaxhmenti i PTK-së nuk dha shpjegime se pse nuk u shfrytëzua kjo hapësirë ligjore.

Ndërkaq Rexhë Gjonbalaj, kryetari i bordit të PTK-së, deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë bordi e ka miratuar projektin dhe se tashmë i takon menaxhmentit ta implementoj atë.

“Jemi të informuar nga menaxhmenti se është bërë ankesë në OSHP dhe njëherë për njëherë çështja është në këtë fazë”, deklaroi Gjonbalaj. 

Ankesa misterioze

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, u dorëzua në OSHP ankesa kundër PTK-së nga kompania e quajtur Infinite Solutions – KAD. 

Pretendohej në ankesë se  PTK-ja ka shkelur ligjin e prokurimit sepse nisi negociata me Alcatel Luzent dhe Nokia Solutions and Networks në projektin prej afër 30 milion euro për të zbatuar internetin me shpejtësi të madhe e cilësi të lartë për telefonat e menqur. 

PTK arsyetoi përdorimin e procedurës së negociuar – duke kërkuar një kontraktor e jo të pranojë oferta nëpërmjet tenderit të hapur – sepse ato ishin kompanitë që kanë ngritur platformën e telefonisë mobile dhe do të ishin më të përshtatshëm për të kryer punën. 

“Për arsye të detyrueshme teknike dhe të drejtave pronësore, intelektuale/industriale që kanë prodhuesit Alcatel dhe Nokia Solutions and Networks mbi pajisjet aktuale, pasi që krejt rrjeti i ‘Valës’ është i përbërë kryesisht nga pajisje të këtyre dy prodhuesve”, është arsyetimi i departmanetit  për marrëdhënie me publikun në PTK kur pyeten nga Gazeta Jeta në Kosovë lidhur me mos aplikimin e tenderit të hapur. 

Pa marrë parasysh argumentin e saj ligjor, nuk ekziston asnjë dëshmi se Infinite Solutions ka aftësi për të kryer projekte të telekomunikacionit. 

Në të vërtetë, kompania e regjistruar në prill të vitit  2012 në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë duket se ekziston vetëm në letër. 

Ajo asnjëherë nuk ka paguar tatime në Kosovë konfirmoi Administrata Tatimore e Kosovës duke njoftuar se do të shiqojë lidhur me operimin e kësaj kompanie. 

Edmond Zeka, i listuar si drejtor i kompanisë dhe agjent i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit në Kosovë, emri i të cilit paraqitet po ashtu në ankesë, kur u kontaktua tha, “Mi jep pesë minuta dhe do t’ju jap emrin e personit të duhur që mund të bisedoj me ju për këtë çështje”.

Zeka nuk e dha emrin dhe që nga atëherë ishte i paqasshëm përkundër përpjekjeve për të ri-kontaktuar me të. 

Të gjithë personat e listuar në historinë e biznesit të Infinite Solutions kanë theksuar se nuk dinë asgjë për ndonjë veprimtari aktuale. 

“Ka një kohë të gjatë që s’jam aty”, tha Kumbim Shala, i cili në fillim ishte drejtor.

“Është tentu me punu diçka por s’është punu kurgjo”, tha ai duke shtuar se nuk ka pasur përfitime për vete dhe është larguar.

Shala nuk pranoi të fliste se çfarë saktësisht ka bërë kompania. 

GV Consulting LLC që ka në pronësi të plotë kompaninë Infinite Solutions dhe është e regjistruar si një kompani konsultuese për teknologji informative në qytetin e Edgewater në New Jersey.

Nuk ka asnjë dëshmi që ka qenë aktive në fushën e telekomunikimeve dhe me zyrë është e vendosur në një ndërtesë apartamentësh. 

Pronari i saj, Visar Jakupi ka një biznes tjetër e cila riparon dhe fshin oxhaqe e quajtur Approved Chimney.

Jakupi pranoi ekzistencën e GV Consulting, por nuk deshi të fliste për aktivitetet e kompanisë. 

Lidhja me Devollët

Visar Jakupi po ashtu është i listuar si person kontaktues në ueb faqen Prince Coffee USA– e cila prezanton veten si distributor për kafen e kompanisë Devolli Corporation. Jakupi, në një bisedë të shkurtër telefonike, pranoi lidhjen e tij me Devolli Corporation.

Korporata nga Peja, Devolli Corporation, u krijua në shkurt të vitit 2012 dhe është në pronësi të Shkëlqim Devollit.

Deri atëherë Shkëlqimi dhe vëlali i tij Blerimi ishin bashkëpronarë në Devolli Group që e ka në pronësi Z-Mobile, operatorin virtual mobil që shfrytëzon rrjetin e PTK-së. 

Z-Mobile që tash i përket Blerim Devollit të Devolli Group në teori do të përfitonte nga PTK-ja nëse ndërmarrja publike do të kishte 3G.  

Të dyja, Devolli Corporation dhe Devolli Group thanë në deklarata të shkruara se nuk kanë asnjë lidhje me Infinite Solutions apo GV Consulting.

“Ne si kompani nuk kemi asnjë lidhshmëri me kompanitë që i keni cekur”, thuhet në përgjigjën e Devolli Corporation.

Devolli Corporation duke iu referuar Visar Jakupit shtoi se kompania angazhon kontraktues në operacionet e saj afariste por nuk jep përgjegjësi edhe për aktivitetet e tyre nëpër kompani tjera. 

Ndërkaq Devolli Group, duke theksuar se nuk ka asnjë marrëdhënie me Devolli Corporation, tha se ankesa e Infinite Solutions ka qenë e dëmshme për Z-mobile. 

“Ankesa në OSHP e ka prolonguar implementimin e rrjetit 3G, gjë që shkon në dëm të PTK-së, Z Mobile dhe te konsumatorët e tyre”, thuhet në përgjigjën e Devolli Group dhënë Gazetës Jeta në Kosovë. 

Vonesa të panevojshme

Në dhjetor, kur Infinite Solutions bëri ankesë, Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk ishte funksional. 

Tek më 19 mars 2014, pas shtatë muajsh, Kuvendi i Kosovës miratoi emrat e propozuar nga qeveria për anëtarë të bordit të OSHP-së. 

Bordi i këtij institucioni më 27 mars hodhi poshtë të gjitha ankesat, përfshirë edhe ankesën e Infinite Solutions.

Departamenti për relacione me publikun në PTK nuk është përgjigjur në pyetjen nëse ndërmarrja ka vazhduar aktivitetin e prokurimit. 

Megjithatë PTK-ja në një përgjigje të mëhershme fajësoi procesin e privatizimit për mos përparim të ndërmarrjes.

“Si rezultat i procesit të privatizimit, PTK/Vala, siç dihet i është nënshtruar një sërë kufizimesh nga aksionari, kufizime të cilat kanë të bëjnë me ndalesa në investimet kapitale, të lidhura drejtpërdrejt me investimet për avancim teknologjik të shërbimeve, siç është edhe projekti 3G, projekt i cili ka qenë subjekt i këtyre ndalesave,” thuhet në përgjigjen e departamentit për marrëdhënie me publikun të PTK-së. 

Por nga gjithë kjo, PTK ka përjetuar dëmtim në biznesin e saj të telefonisë mobile bazuar në të dhënat e raportit për vitin 2013 të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike e Postare (ARKEP). 

Hisja e saj në treg ka rënë në 54.5 për qind në fund të 2013, nga 64 për qind në 2012. 

Ipko, e cila lansoj 3G-në në dhjetor, rriti pjesën e saj në treg në 33.7 për qind nga 26.1 për qind të periudhës së njëjtë.  

Alban Kastrati, zëdhënës i kompanisë IPKO, deklaroi se 55 për qind e përdoruesve të internetit në mobil tashmë e kanë provuar rrjetin 3G.

“Të hyrat e kompanisë janë rritur për 12 për qind në dhjetor të 2013-ës krahasuar me dhjetorin e 2012-ës”, deklaroi Kastrati. 

“IPKO” ka paguar 633.474 euro për licencën  e ofrimit të shërbimit 3G, ndërsa Vala e PTK-së ka paguar 966.525 euro për licencë.

Rregullatori vendosi çmimin për licencë, bazuar në përqindjen dhe pjesëmarrjen në treg nga operatorët mobilë.

Ndërkohë menaxhimi i ndërmarrjes publike të telekomit kritikohet edhe nga ish-zyrtarë të saj. 

Eksperti i telekomit, Ismet Hamiti, ish punëtorë i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit dhe ish-drejtor i VALA-s në vitin 2000, tha se qeveria e Kosovës ka sjellë PTK-në buzë shkatërrimit – dhe vetë 3G-ja nuk do ta shpëtonte.  

“Si hap i parë, qeveria duhet të pranojë se PTK është në gjendje krize dhe, për ta tejkaluar këtë krizë, duhet të vendosë PTK-në nën drejtimin e menaxhmentit të krizës. Menaxhmenti i krizës, natyrisht, duhet të jetë krejtësisht profesional dhe te ketë të gjitha autorizimet për ta nxjerrë PTK nga kjo gjendje ku është katandisur. Kështu shpëtohet PTK. Të gjitha veprimet tjera janë vetëm zgjatje e agonisë së PTK –së”, tha Hamiti i cili është pjesë e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje. 

Shyqyri Haxha, që ishte kryeshef ekzekutiv i PTK-së nga tetori i vitit 2008 deri në nëntor të vitit 2011, duke i referuar vonesave në ofrimin e  shërbimit 3G tha se PTK-ja po degradohet. 

“Kjo po ndodh para syve të Qeverisë dhe nuk ka reagim. Kjo dëshmon se po iu hapet rrugë konkurrentëve për të marrë tregun”, tha Haxha.  

Edhe Agron Dida që ishte kryeshef ekzekutiv i PTK-së pas luftës në vitin 2000 deklaroi se ndërmarrja publike po lëviz drejt degradimit. 

“Grupet e ndryshme nuk po e lënë ndërmarrjen të zhvillohet dhe keqmenaxhimi i saj po e degradon atë”, tha Dida.