Kompania Që Mirëmban Zyrën e Kryeministrit Akuzohet për Mashtrim

Sa herë që kryeministri Hashim Thaci mban konferenca shtypi në katin e parë të ndërtesës së Qeverisë për të treguar sukseset e kabinetit të tij ai gjendet mbi zyren e një kompanie të kontraktuar që akuzohet se e ka mashtruar shtetin. 

Në bodrumin e ndërtesës qeveritare gjendet kompania Dolphin në pronësi të Xhemajl Durakut mbi të cilin rëndojnë dy aktakuza: një për shmangje nga tatimi dhe një për falsifikim të dokumenteve.

“Dolphin”, është e kontraktuar për mirëmbajtje teknike e higjienike të objekteve qeveritarë përfshirë edhe zyrën e kryeministrit. 

Xhemajl Duraku përshkruhet në aktakuzat e ngritura nga prokuroria themelore e Prishtinës si njeri me gjendje të mirë ekonomike. Ai banon në lagjen Qëndresa në Veternik të Prishtinës, lagje kjo që është mjaftë e shtrenjtë për të jetuar. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar dy aktakuzat e ngritura ndaj tij. 

Më 15 korrik të vitit të kaluar është dorëzuar në gjykatën themelore aktakuza për falsifikim të dokumenteve kundër Durakut, Dren Gashit-kontabilist në Dolphin dhe Mentor Krasniqit-teknik në këtë kompani. 

Ata akuzohen se në bashkëveprim kanë arritur të falsifikojnë dokumente që tregojnë se kompania nuk ka borxhe ndaj shtetit që janë të nevojshme për të fituar tenderë publikë.

Dokumentet që dorëzoheshin para autoriteteve publike ishin të falsifikuara pasi që kompania pas hetimeve të bëra nga ATK-ja rezultoi të jetë kompani jo reale që nuk i nënshtrohet legjislacionit tatimor të Kosovës. 

Më 11 shtator të vitit 2013 është dorëzuar në gjykatën themelore të Prishtinës një aktakuzë tjetër- për shamngje nga tatimi kundër Xhemajl Durakut. Ai akuzohet se i ka borxh shtetit rreth gjysmë milionë euro nga mos pagesa e tatimeve. 

Përveq aktakuzave kompania ka edhe problem tjera. Punëtorët e kësaj kompanie që kujdesen edhe për zyrën e kreut të ekzekutivit  nuk marrin paga nga kontraktori i qeverisë pasi që pronari i saj arsyetohet para prokurorisë se nuk ka para të paguajë pagat dhe tatimet. Deklaron se Minitria e Administratës Publike nuk po ia paguan një borxh prej 180 mijë eurosh. 

Kjo mohohet nga zyrtarë të MAP-it. Zeqir Bekolli, përgjegjës për informim, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ministria nuk ka obligime ndaj kësaj kompanie private. Ai tregoi se kësaj kompanie i është krijuar hapësira që të ketë zyre ne qeveri me qëllim të kryejën punën sa më mirë.

Falsfikimi u zbulua nga Agjencia Kundër Korrupsion

Kompania “Dolphin” kishte aplikuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit(AKK) me 6 shtatorë të vitit 2011, që të merrte tenderin për pastrimin e zyrave të kësaj Agjencie.

Dokumenti që tregonte se kompania nuk ka borxhe ne ATK i ishte dukur i dyshimtë kësaj agjencie. 

“Ne reagojmë ne çdo informacion për mosrespektim te ligjit pa mare parasysh institucioni apo nivelin e zyrtarit te përfshire, thjesht e bëjmë punën tonë”, tha Hasan Preteni, drejtor i AKK-së.

Kundër Korrupsioni e kishte dorëzuar informacionin në Njësinë për Krime Financiare të Policisë së Kosovës e cila do të kërkonte sqarime nga ATK-ja. 

Kallëzimi penal i përgatitur nga ATK-ja konkludoi se  dokumenti i dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion nuk është origjinal pasi që kompania Dolphin nuk është tatimpaguese e rregullt. Kallëzimi penal i ATK-së i dorëzuar më 7 mars të vitit 2012 në prokurorinë themelore shërbeu si bazë për  ngritjen e  dy aktazave-njëren për shmangje nga tatimi.

Xhemajl Duraku kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë deklaroi se nuk ka kohë të fliste lidhur me këtë cështje pasi që po udhëtonte jashtë vendit.

Megjithatë ai kishte deklaruar para prokurorit se kompania e tij ka një qarkullim vjetor prej 1 milionë eurosh dhe ka të punësuar mbi 100 veta. 

Kishte përmendur si arsye të mos pagesës së tatimeve e po ashtu edhe të pagave të punëtorëve një borxh prej 280 mijë që prentedon se ia ka Ministria e Administratës Publike. 

Por në aktakuzë biznesi i tij përhskruhet si jo real dhe shpërfillës ndaj legjislacionit të Kosovës. 

Konkludohet në aktakuzë se Duraku i ka ikur tatimit për një përiudhë pesë vjeqare -2006-2011 duke i shkaktuar dëm shtetit në vlerë prej 521 mijë e 429 euro. 

Duraku ishte pyetur në prokurori edhe për dyshimet për falsifikim të dokumenteve që janë pjesë e aktakuzës tjetër –asaj për falsifikim të dokumenteve. 

Duraku dyshohet se këtë vepër penale e ka bërë në bashkëkryerje me Mentor Krasniqin e Dren Gashin që të dy vartës të tij më 2011. 

Gashi ka mbajtur pozitën e kontabilistit dhe nuk punon më në këtë kompani ndërsa Krasniqi ka pozitën e teknikut.

Përshkruhet në aktakuzë se Duraku edhe pse e dinte se nuk i ka të kryer obligimet tatimore ka kërkuar nga Krasniqi të nxjerrë nga ATK-ja dokumente të rreshme që dëshmojnë të kundërtën.

Bazuar në aktakuzë që të i  kishin ndihmuar Xhemail Durakut që të falsifikonte dokumente siç janë Vërtetimin e Administratës Tatimore të Kosovës dhe certifikatën tatimore të datës 11 nëntor 2011.

 Bazuar në aktakuzë Gashi gjithashtu kishte bërë edhe një tjetër vërtetim në vitin 2010 si dhe një tjetër në vitin 2012.

Kurse Duraku i ka përdorur këto dokumente si origjinale, edhe pse ka qenë në dijeni se këto janë të falsifikuara, duke kryer vepër penale Falsifikim i Dokumenteve, e cila dënohet me nenin 332 të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas këtij kodi kushdo që përpiloj dokumente të falsifikuara ose i përdor ato me dijeni dënohet me një vit burg, ndërsa  kushdo që falsifikoj dokumentet publike apo zyrtare dënohet deri me tri vite burgim.

Duraku ka thënë në prokurori se “sipas informatave që i kam prejardhja e këtyre dokumenteve është ng Dren Gashi”

Gashi ka thënë para prokurorisë se kur ka punuar në Dolphin nuk ka biseduar anjëherë rreth rregullimeve të dokumenteve të ATK-së të nevojshme për konkurrim nëpër tenderë publikë. 

Ai akuzohet se me vetëdije ka arritur të siguronte në ATK një Vërtetim Tatimor për Dolphin që shënonte se kompania nuk ka borxhe ndaj shtetit përkundër që nuk ishte tatimpaguese e rregullt.  Sipas aktakuzës ky dokument ishte planifikuar të përdorej për konkurrim në Agjencinë Kundër Korrupsion. 

Ndërkaq punëtori tjetër Mentor Krasniqi, teknikë i kompanisë, akuzohet se ka urdhëruar Dren Gashin që ta nxjerrë këtë vërtetim. Krasniqit, bazuar në aktakuzë, kjo detyrë i ishte kërkuar nga Duraku

Krasniqi kishte thënë para prokurorit se më 23 .10.2012 e kishte siguruar në rrugë jo zyrtare dokumentin në ATK në këmbim të 50 eurove sepse i duhej për një tenderë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Por më vonë më 21.01.2013 kishte ndërruar deklaratat duke thënë se ‘vërtetimi i cili është përdorur është siguruar nga Dren Gashi i cili më herët ka punuar si kontabilist në Dolphin”. 

Gazeta Jeta në Kosovë nuk arrit të kontaktonte Gashin në numrat që figurojnë në aktakuzë. Por kur Krasniqi u kontaktua deklaroi se kishte një arsye që i ka ndërruar deklaratat. 

“Herën e parë kam qenë i hutuar, dhe se kam ditur se çka po flas” u arsyetua Krasniqi.

EULEX-i ndërprenë kontratën, Qeveria e Kosovës vazhdon me Dolphin

Përderisa kompania nuk kishte mundur të fitonte tenderë nga Agjencia Kundër Korrupsion një gjë të tillë kishte arritur ta realizonte në institucione tjera publike. 

Kallëzimi penal i ATK-së i përshkruar në aktakuzën për shmangje nga tatimi përmend se “Dolphin”, arriti të fitonte tenderë nga Ministria e Administratës Publike, Administrata Tatimore e Kosovës, Ministria e Arsimit, Akademia e Shkencave dhe EULEX-i. 

Blerim Krasniqi, zëdhënësi i EULEX-it, konfirmoi se kjo kompani është shpallur fitues në tenderë por më vonë i është shkëputur kontrata. 

Ai tha se para fillimit të kontratës kompania e pastrimit, i ka ofruar të gjitha çertifikatat e nevojshme për të taksave, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të dhënat e gjykatës, siç kërkohet nga rregullat e BE-së. 

Por sipas tij më vonë janë vërejtur problemet. 

“Në momentin kur kishte indikacione për parregullsi të mundshme me dokumentacionin e paraqitur nga kompania- kontrata është ndërprerë”. 

Krasniqi deklaroi se procedurat ndaj kësaj kompanie janë duke vazhduar por  pohoi se nuk mund të bëjë komente të mëtejshme lidhur me këtë rast. 

Kompania Dolphin arriti të fitonte tenderë për mirëmbajtjen e objekteve qeveritare  nga Ministria e Administratës Publike. 

Kjo Ministri  ka nënshkruar dy kontrata me operatorin ekonomik “Dolphin” për  mirëmbajtje higjienike dhe teknike në ndërtesën e Qeverisë (ish Bankosit)  dhe  për mirëmbajtjen  e ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme . 

Por, MAP nuk e ka ndërmend të veprojë ngjashëm si EULEX-i. 

Zeqir Bekollit, udhëheqës i divizionit për Komunikim me Publikun, deklaroi se MAP nuk dëshiron të të ndërpresë kontratën pa u verifikuar pretendimet e ngritura në aktakuzë. 

“ Në periudhën e nënshkrimit të kontratës OE “Dolphin” ka dorëzuar dokumentet që dëshmonin se nuk kishte obligime ndaj shtetit”, tha Bekolli. 

Por përveç këtyre dy institucioneve, “Dolphin” ka fituar tender edhe nga Administrata Tatimore të Kosovës.

Një gjë e tillë thuhet në shkresën e dorëzuar nga ATK-ja në Policinë e Kosovës më 27 dhjetor 2011.

Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së, tha se ky institucion “nuk ka kontratë me këtë kompani”, duke mos dhënë përgjigje për të kaluarën. 

Por, sipas saj, ATK çdoherë kërkon prej kompanive Vërtetimin Tatimor, që është konfirmin që kompania i ka kryer obligimet tatimore që obligohet me ligj.