Shoferi i Et’hem Çekut Menaxhon Bufenë Ilegale të Fakultetit

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 17.03.2014

Tabela informuese në hyrje të fakultetit që orienton studentët për sallat e ligjëratave, laboratorët dhe dekanatin, nuk sinjalizon edhe për rrugën deri te bufeja që gjendet në bodrum të Fakultetit të Edukimit. 

Por ajo nuk është e vështirë për t’u gjetur. Aty shërbehen studentët. 

Bufeja  ka një hapësirë që zë 13 tavolina dhe një banak mbi të cilin gjendet një aparat i kafesë, një kompjuter dhe një frigorifer ku mbahen shishe uji e lëngje dhe anash të cilit është e vendosur një hartë e Shqipërisë. 

Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi se bufeja menaxhohet nga Bekim Hatashi, shoferi i dekanit Et’hem Çekut, historianit që mbajti pozitë të rëndësishme qeveritare në vitet 2001-2007. Ishte ministër për Energji dhe Miniera nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. 

Hatashit në menaxhim të bufesë i ndihmon edhe Fehmi Ramadani, i punësuar si laborant i kimisë në Fakultetin e Edukimit. 

Të martën [11 mars 2013] dhe të mërkurën [12 mars] ekipi i Gazetës Jeta në Kosovë, ka vizituar bufenë e cila ka qenë e hapur dhe ka parë se janë shërbyer studentët me kafe dhe se në banakun e saj ka qëndruar njëri prej menaxherëve-Fehmi Ramdani. 

Gjatë dy ditëve ekipi i gazetës ka paguar për shërbimin që i është ofruar-kafe dhe ujë dhe nuk i është dhënë kupon fiskal. 

“Jo valla nuk kemi kupon fiskal”, u tha kamerieri gazetareve [emri i të cili është i njohur për redaksinë].

Bufesë i është vënë dryri të enjten më 13 mars, një ditë pasi që Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi shoferin e Çekut. Ai mohoi se bufeja është hapur ndonjëherë gjatë muajit mars, por pranoi se më herët e kishte menaxhuar atë.

Ndërkaq Et’hem Çeku, dekan i Fakultetit të Edukimit, fillimisht mohoi se ekziton bufe në objektin e këtij fakulteti. 

Por kur u përball me faktet, pohoi se  bufeja është për të pirë kafe stafi i brendshëm dhe se nuk ka mundësi që njerëzit të paguajnë para për shërbimet që ofrohen në këtë bufe. 

Por aktiviteti i ushtruar në bodrumin e Fakultetit të Edukimit është ilegal-nuk jepen kuponë fiskalë për produktet e shitura dhe ekzistimi i bufesë bie në kundërshtim me vendimin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës të vitit 2007 që ua ndalon njësive akademike të hapin bufe brenda hapësirave të tyre. 


Tabela informuese për orentimin e studentëve

Çeku: Bekimi e Fehmiu janë njerëz të besueshëm 

Zyra e dekanit të Edukimit Et’hem Çeku, gjendet vetëm katër kate mbi bodrumin në të cilin gjendet bufeja. 

Ai i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kjo bufe sipas tij ka mundur të shfytëzohet herë pas here nga stafi i fakultetit, sepse ata nuk mund të dalin jashtë gjatë orarit të punës për të pirë kafe. 

Ai tha se nuk beson se njerëzit kanë paguar për të pirë kafe në bufenë e Fakultetit të Edukimit.

“Në këtë bufe në fillim kanë shërbyer herë Fehmiu, herë Bekimi, se janë njerëz më të besueshëm, por ata nuk kanë shërbyer më, pas kohës kur është marrë vendimi për mbylljen e bufesë”, tha dekani Çeku. 

Ai deklaroi se bufeja u hap në dhjetor të vitit të kaluar dhe u mbyll një muaj më pas, në janar, pasi rektorati kërkoi që të mbyllej. 

Rektorati, sipas tij, bazohej në vendimin e vitit 2007 që ua ndalon të gjitha njësive akademike që të krijojnë hapësira për bufe brenda objekteve të tyre. 

Rektorati ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë çështje. 

Por dekani Çeku thotë se nëse kjo ka ndodhur-hapja e byfesë gjatë muajit mars, atëherë do të bëhen verifikime.  

“Do të verifikohet se a ka bërë dallavere Fehmiu [Fehmi Ramadani], që është në marrëdhënie pune këtu dhe Bekimi [Bekim Hatashi] që është student dhe shofer i imi”,  tha Çeku kur iu tregua për vizitat e ekipit të Gazetës Jeta në Kosovës dhe faktin që është paguar për kafe e ujë gjatë dy ditëve-më 11 e 12 mars. 

Lidhur  me këtë çështje, është deklaruar edhe prodekani për Çështje Financiare në Fakultetin e Edukimit, Begzad Baliu, i cili gjendej në zyrën e Çekut, kur dekani po intervistohej nga Gazeta Jeta në Kosovë. 

Baliu ka treguar se dekanati i beson shoferit të Çekut dhe i ka krijuar hapësirë edhe në vendin e dedikuar për bufe.

“Unë besoj që pastruesit herë pas here zbresin dhe pinë makiato, sepse këtë s’mund ta përdor secili. Ky djali (Bekimi) di ta përdor aparatin dhe është më i besueshëm”, ka thënë prodekani Baliu. 

“E kjo që të vijë dikush e të pijë kafe, e aq më tepër të paguajë, kjo është e pakuptueshme”, tha ai.  


Dera e mbyllur e bufesë, pas vizitës që i bën ekipa e Gazetës Jeta në Kosovë

Shoferi i Çekut: E kam bërë për dekanatin 

Bekim Hatashi, që nëpërmjet telefonit nuk e pranoi se është shoferi i dekanit Et’hem Çeku, gjatë intervistës që po zhvillonte gazeta me shefin e tij, erdhi rastësisht në zyrë. 

“Po unë jam shoferi i dekanit, por unë nuk jam menaxher aty , ditën kur e kemi marrë vendimin nga rektorati, i fundit unë ia kam vënë çelsin asaj byfeje dhe e kam dorëzu te sigurimi”, tha Hatashi, duke mohuar se bufeja është hapur ndonjëherë gjatë muajit mars dhe se në të njerëzit kanë paguar për të pirë kafe. 

Ai thotë se para tre muajsh-diku në dhjetor të vitit të kaluar, e kishte hapur bufenë. 

“Unë kur e kam çelë atë, kom punu vetë –askush nuk më ka dhënë rrogë, unë e kam bë atë për dekanat”, tha Hatashi. 

Ndonëse Hatashi deklaron që bufenë ta ketë mbajtur vetëm, ndryshe mendon Fehmi Ramadani që është edhe laborant i kimisë në Fakultetin e Edukimit.

Ai nuk e pranon se tash është menaxher i lokalit, ndonëse ditën e martë kur gazeta vizitoi bufenë ai ishte brenda në banakun e kësaj bufeje, por thotë se para tre muajsh janë përkujdesur për bufenë së bashku me shoferin e Çekut. 

“Ma herët ka punu, nja një muj (bufeja). Kafe aty ka qitë herë Beka (Bekim Hatashi), herë unë”, ka thënë Ramadani. 


Vetura e dekanit Et’hem Çekut, shofer i të cilës është Bekim Hatshi

Shkrimit i ka kontribuar edhe Liridona Hyseni