Polakët Ankohen për Tenderin e Fituar nga Oligarku Rus

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 13 mars 2014

Kompania polake “TurboCare” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) duke supozuar në disa shkelje të Ligjit të Prokurimit nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në tenderin për riparimin e termocentralit Kosova A.

KEK ka shpërblyer konzorciumin prej tri kompanive – “Monting Energetika” nga Maqedonia, “Power Machines” nga Rusia dhe “Cerb” nga Bullgaria.

Tenderi “Riparimi kapital i turbinës me avull dhe gjeneratorit elektrik njësia A4 dhe A5 TC Kosova A” i është besuar këtij konzorciumi në shkurtin e kaluar dhe drejtuesit e KEK-ut thonë se ishte oferta më e ulët e përgjegjshme. 

Për këto punë, KEK-u planifikon të paguajë 5,6 milionë euro. 

Kompania Power Machines që është pjesë e konzorciumit, drejtohet nga Alexey Mordashov, një prej biznesmenëve më të njohur rusë në botë. Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar pas dhënies së tenderit oligarkut rus që njihet si mik i presidentit rus, Vladimir Putin. 

Por “TurboCare” pretendon se KEK-u nuk veproi drejt kur përzgjodhi më 12 shkurt të këtij viti konzorciumin që ka në përbërje kompaninë ruse. 

Dorëzoi ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit më 20 shkurt të këtij viti. 

Sipas tyre, KEK-u ka shkelur katër nene të Ligjit të Prokurimit Publik, duke u ankuar se kompania fituese thotë se metoda për pastrimin e gypave e ofruar nga operatori i përzgjedhur nuk është në përputhje me kërkesat e dosjes se tenderit. 

“Operatori i përzgjedhur ofron pastrimin e gypave përmes shpërthimit me ujë me shtypjen 750-1300 bar, në vend të pastrimit të gypave me presion të vajit nën presionin prej 400 bar, siç kërkohet me dosjen e këtij tenderi”, thuhet në ankesën e Turbocare-it.   

Kompania polake shkroi në ankesën e saj se kompanitë e konzorciumit – Power Machines dhe Monting Energetika kanë dështuar të sjellin referencat e tyre si dëshmi për përvojën profesionale për punët e ngjashme.

Përfaqësuesi i konzorciumit në tender, Ivica Dimovski nga kompania maqedonase Monting Energetika refuzoi të komentojë supozimet e polakëve në ankesë.

“Rasti është në organet tuaja dhe nuk dua të komentoj, derisa është atje në shqyrtim”, tha Dimovski nga Shkupi.

KEK-u thotë tenderi është në rregull

Korporata energjetike filloi këtë tender në nëntor të vitit të kaluar për të rinovuar turbinën dhe gjeneratorin elektrik të njësisë Kosova A, stabilimente këto të stërvjetruara.

Në këtë tender kanë marrë pjesë katër kompani dhe kriteri kryesor ka qenë çmimi më i ulët i ofruar.

Gazeta Jeta në Kosovë, në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare, ka kërkuar dosjen e tenderit nga KEK-u.

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv në Shërbimet e Korporatës refuzoi të japë dosjen, duke thënë se lënda është në shqyrtim nga ana e OShP-së dhe i gjithë materiali është dërguar atje.

“Andaj nuk kemi mundësi të ju prezantojmë dokumentacionin e kërkuar, përderisa i njëjti duhet të kthehet prapa nga OShP-ja”, i tha Gazetës Nulleshi.

Ai tha se KEK-u ka respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj të prokurimit për këtë tender.

“Sido që të jetë, duke marrë parasysh se lënda është në procedurë të shqyrtimit në këtë fazë, nuk kemi mundësi ligjore të japim komente tjera përmbajtjesore rreth çështjes në fjalë”, shtoi Nulleshi.

Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk ka bord drejtues që nga muaji gusht i vitit të kaluar. 

Në mungesë të bordit, ky institucion nuk mund të marrë vendime që janë obligative për autoritetet kontraktuese. 

Ligji i Prokurimit Publik nuk specifikon se çfarë duhet të bëhet në mungesë të bordit të OShP-së. 

Por Hysni Hoxha, ish-kryetar bordi i OShP-së, në shtator të vitit të kaluar pati deklaruar  për Gazetën Jeta në Kosovë se në këtë rast përdoret Ligji për Procedurat Administrative. 

Sipas tij, ky ligj lejon autoritetet publike të nënshkruajnë kontratat, nëse nuk marrin përgjigje brenda 30 ditëve nga OShP-ja, për ankesat e ngritura nga kompanitë që humbin garën në tenderët publikë.