Duke Pritur Kryeministrin

Ata mbajnë të shtypur në letër fjalët e kryeministrit për pagesën e borxhit, të thëna publikisht para kamerave më 7 tetor.

Ish-punëtorëve të kësaj ndërmarrje ia kishte ngjallur shpresat një premtim i kryeministrit Hashim Thaçi  bërë  në tetor të vitit të kaluar kur kishte  nisur fushata për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. 

“I gëzofshit paratë e juaja”, u tha atëherë Thaçi punëtorëve teksa vizitoi Ferizajn në cilësinë e kryetarit të PDK-së. 

Kjo fjali e tij është shtypur në letër, është shumëzuar dhe është shpërndarë tek secili punonjës.

Në numër janë 912 veta dhe që  nga viti 2007 kanë mbajtur 118 protesta në Ferizaj e Prishtinë në kërkim të kompensimit material për pagat. 

Ata planifikojnë të hyjnë në grevë para objektit të qeverisë në Prishtinë më 13 mars, dy ditë pasi bëhen 12 vjet nga vendimi i plotëfuqishëm i Gjykatës Komunale të Ferizajt për pagat e 912 punëtorëve. 

Borxhi i fabrikës ndaj këtyre punëtorëve, të dëbuar atëkohë në mënyrë të padrejtë me arsyetimin se kanë munguar pesë ditë rresht nga puna, është llogaritur të jetë 25 milionë e 649 mijë e 250 euro më 12 mars të vitit 2002 nga Gjykata Komunale e Ferizajit. 

Vendimi i gjyqit përfshin edhe kamatën prej 3 për qind në vit që i bie se deri më 2014 borxhi ndaj punëtorëve është rritur në 34 milionë e 882 mijë e 980 euro. 

Por para futjës në greve  kryesindikalisti Ali Azemi thotë se do të mbahet edhe një protestë, si 118 të tjerat që janë mbajtur në kërkim të pagave të mohuara gjatë përiudhës 1990-99.

“Në datën 10 mars do të jetë protesta para Qeverisë së Kosovës. Nëse nuk nuk ka ndonjë vendim prej Qeverisë së Kosovës, do të ketë grevë po para qeverisë”,thotë Azemi.

“Puna ka mbetur te qeveria. Thaçi gjatë fushatës na premtoi se do t’i ekzekutojë mjetet tona, kurse tash po na thotë se mund ta bëjë këtë vetëm nëse ka një vendim prej Parlamentit”, shton Azemi. 

Punëtorët po  përjetojnë një çerek shekulli padrejtësi. Dhjetë vjet largim nga puna dhe pesëmbëdhjetë në kërkim të pagave të padhëna. Borxhi për pagat e një punëtori sillet nga 20 mijë deri në 70 mijë euro. 

“Unë i kam pasur dy sulme në zemër dhe një gjakderdhje në tru. Mendoj se krejt më ka ndodhur për shkak të shqetësimeve më këtë punën e vonuar të pagesës. E kam prej Hashim Thaçit këtë”, thotë punëtori Lufti Rexhaj, derisa kolegët e tij nga fabrika qeshin dhe pohojnë me kokë. 

“Shpesh nuk kam se me çfarë të udhëtoj [drejt prishtinës] që të marr pjesë në protestë”, vijon të flasë Rexhaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Një tjetër ish-punëtorë ankohet për pamundësinë e gjetjës së një vendi të punës. 

“Mosha mesatare e jona është 60 vjeç. Jemi të rinj për të dalë në pension dhe të vejtër për të gjetur punë. Aktivitet i jonë i përditshëm na është bërë kërkesa për ekzekutimin e mjeteve tona”, thotë ish-punëtori Ahmet Sylejmani. 

Shumë prej tyre  paguheshin mbi 1 mijë marka gjermane në kohërat e arta të ndërmarrjës.

Por, të mërkurën e javës së kaluar fabrika  dikur e zhurmshme dukej shumë më e heshtur.

E themeluar më 1972 kishte arritur të eksportonte prodhimet e saj industriale në vendet e tashme të BE-së dhe më gjerë.

Në oborrin e Fabrikës së Tubave me Tegel  të Ferizajt, vendpunishtes së dikurshme të mbi 900 punëtorëve gjithçka është e ndryshkur: rrethojat, pajisjet në ambient të hapur dhe fasadat e metalta të objekteve. Makineritë u ngjajnë kryesisht gjigantëve të fjetur. 

Fabrika që ndodhet një kilometër larg qendrës së Ferizajt u privatizua në vitin 2007 për 3 milionë e 657 mijë euro nga Arian Hasani, nip i biznesmenëve të fuqishëm ferizajas Ibrahim e Mustafë Bucaliut që kanë në pronësi HIB Petrolin dhe hotelin Emerald. 

Katër vjet më vonë Hasani aksionet e Fabrikës së Tubave ia shiti kompanisë Mabetex, të themeluar në vitin 1991 nga tash zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës Behgjet Pacolli. 

Derisa fabrika është blerë me çmim prej 3 milionë e 657 mijë euro në vitin 2007, dhe sipas AKP-së në të janë bërë investime në vlerë prej 13 milionë e 200 mijë euro, ajo i shitet “Mabetex”-it për vetëm 3 milionë e 69 mijë euro.

Shpërfillja e Gjykatës Kushtetuese 

Punëtorët nuk morrën pagat edhe pse Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e 17 dhjetorit 2010 e shpalli të pranueshme kërkesën e tyre, duke e obliguar për pagesën e borxhit Qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit. 

Qeveria nuk ndërmorri masa për ta zbatuar vendimin e Kushtetuesës që duhej të zbatohej deri në shtator të vitit 2011. 

Kur afati kaloi, kreu i Kushtetueses Enver Hasani i shkroi kryeministrit Thaçi më 4 tetor 2011. 

Hasani e njoftonte Thaçin se aktgjykimet e Kushtetueses janë të detyrueshme dhe ky për pagat duhej të zbatohej më së largu 17 dhjetor të vitit 2011. 

Nga shkresa e Hasanit drejtuar Thaçit kanë kaluar më shumë se dy vjet, por punëtorët nuk i kanë marrë paratë e tyre. 

Zyra e Kryeministrit nuk dha përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se pse nuk u përfill vendimi i Kushtetuesës. 

Zyra e Informimit e Kushtetueses ende nuk ka dhënë përgjigje se a kishte marrë përgjigje nga Zyra e Kryeministrit lidhur me këtë shkresë të kryetarit Hasani. 

Ankohen te Zhbogar 

Ndërkohë ish-punëtorët e fabrikës së tubave janë ankuar edhe te Samuel Zhbogar, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë. 

Stojan Pelko nga Zyra e BE-së thotë se Zhbogar do të interesohet për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i kompenson punëtorët. 

“Zhbogar premtoi se do ta ngrisë këtë çështje në diskutimet me Qeverinë, si një shembull veçanërisht të veçantë të problemit të shpeshtë të moszbatimit të vendimeve gjyqësore [në Kosovë]”, deklaroi Pelko për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Kryesindikalsti Azemi tregon se për punën e mospagesës së 25 milionëshit të punëtorëve është takuar edhe me përfaqësuesin special dhe shefin  e Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar. 

“Zhbogar i rekomandoi Azemit që [punëtorët] ta diskutojnë çështjen e dobësisë së gjykatës [komunale] me një anëtar të Kuvendit”, deklaroi Stojan Pelko, zëdhënësi i Zyrës së BE-së. 

Pastaj hallexhinjtë e Fabrikës së Tubave u takuan me deputetin ferizajas të PDK-së Elmi Reçicën. 

Reçica, bashkë me 17 deputetë të tjerë nënshkrues, çështjen e mosdhënies së parave e ngriti në Kuvend më 23 janar 2014, duke e arsyetuar qeverinë se nuk ka para. 

Por, deputeti i PDK-së, partisë së udhëhequr nga kryeministri Thaci,  propozoi që pagesa e rrogave të punëtorëve ti hiqej si barrë Qeverisë së Kosovës. 

Sipas tij pagesa duhet të bëhej nga Fondi në Mirëvesim i AKP-së.

Ky fond, i deponuar në Bankën Qendrore të Kosovës dhe i krijuar nga shitja e ish-ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara, në verën  e vitit të kaluar mbërriti vlerën e 637 milionë eurove. 

Propozimi i tij kaloi me 72 vota pro. 

Por, AKP-ja refuzon të paguajë. 

Ylli Kaloshi, zyrtar për marrëdhënie me publikun, deklaroi se AKP-ja mund të ndihmojë institucionet tjera lidhur me këtë problem.

“Agjencia është e gatshme të bashkëpunoj me institucionet e tjera dhe të ofrojë informacionet e nevojshme për çështjet që tejkalojnë mandatin e AKP-së, siç është kërkesa për kompensimin e punëtorëve të Fabrikës të Tubave në Ferizaj”, tha Kaloshi. 

Sipas AKP-së shuma prej mbi 25 milionë eurove është shumë më e lartë se sa shuma e shitjës së ndërmarrjës që ishte mbi 3 milionë e 600 mijë euro. 

AKP-ja ka refuzuar në vazhdimësi të paguajë shumën e kërkuar nga punëtorët duke u thirrur në ligjin për këtë agjenci. 

Ligji specifikon se AKP-ja mund të paguajë kreditorët e një ndërmarrje me paratë e mbledhura nga shitja e ndërmarrjës. Shuma e lejueshme për shpërndarje tek kreditorët është 80 përqind e vlerës së shitjës së ndërmarrjës që në rastin e fabrikës së tubave i bie që është 2 milionë e 300 mmijë euro.