Dëme Milionëshe Nga Mungesa e Anëtarit Ndërkombëtar në AKP

Mungesa e një anëtari ndërkombëtar në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka bllokuar punën e këtij institucioni në dy pika: shpërndarjen e 20 përqindëshit dhe kryerjen e pagesave ndaj kreditorëve të mundshëm gjatë likudimit të një ndërmarrjeje shoqërore.

Bordi i AKP-së nuk mund të marrë vendime që nëntë muaj lidhur me këto çështje, pasi që ka vetëm dy anëtarë ndërkombëtarë në përbërje. Duhet të jenë tre, bazuar në ligjin për AKP-në. 

Bordi i AKP-së është cunguar pas dorëheqjes në maj të vitit 2013 të Bernadete Roberts-it që përfaqësonte ambasadën e SHBA-së në këtë institucion të pavarur.  Veprimi i njëjtë ishte pasuar nga ish-anëtarja e bordit Dardane Peja. Pas tyre ishte dorëhequr edhe Blerim Rexha që mbante pozitën e kryetarit të Bordit të AKP-së.  

Rreth arsyeve të dorëheqjeve lexoni në këtë link – http://gazetajnk.com/?cid=1,993,5585

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar raporte interne të AKP-së që tregojnë për gjendjen gjatë vitit 2013 në këto dy segmente të Agjencisë Kosovare të Privatizimit-shpërndarjen e 20 përqindëshit për punëtorët dhe kryerjen e pagesave për kreditorët e mundshëm.

Milionat e pa shpërndara 

Një raport lidhur me ndërmarrjet shoqërore në likuidim, i hartuar në muajin shkurt të këtij viti nga ky department i AKP-së, kallëzon për miliona euro të pashpërndara te kreditorët e te buxheti i Kosovës, për mungesë të anëtarit ndërkombëtar në bordin e AKP-së. 

Raporti tregon se Autoriteti i Likuidimit ka përfunduar likuidimin për 23 ndërmarrje shoqërore. 

“Shuma totale për shpërndarje gjatë likuidimit për këto 23 ndërmarrje është 6.2 milionë euro, nga të cilat 1.5 milion euro pritet t`u shpërndahen kreditorëve dhe afërsisht 4.7 milionë euro pritet t`i jepen buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë raport.

Për shpërndarjen e tyre këtyre mjeteve- që nënkupton përfundimin final të likuidimit të një ndërmarrjeje shoqërore- bazuar në ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit nevojitet miratimi i tre anëtarëve ndërkombëtar në Bordin e AKP-së.

Po ashtu Autoritetet e Likudimit të AKP-së janë në pritje të përgjigjeve nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme për 153 ndërmarrje shoqërore në likuidim.

Pas kthimit të përgjigjeve nga Oda.. mund të procedohet me shpërndarje të fondeve.

Janë 114 milionë euro fonde të gatshme për shpërndarje. Një shumë prej mbi 48 milionë euro do ti shpërndahet kreditorëve ndërsa mbi 95 milionë euro buxhetit të Kosovës.

Një dokument tjetër i Departamentit të Likuidimit, i siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë tregon për bllokimin e shpërndarjes së 20 përqindëshit te punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore. 

Derisa gjatë vitit 2012 janë shpërndarë mbi 22 milionë euro, gjatë vitit 2013 u shpërndanë vetëm 9 milionë e 924 mijë euro. 

Shuma prej mbi 9 milionë eurosh për punëtorët, është vendosur të shpërndahet para muajit maj të vitit 2013, kur në bord ishin tre anëtarë ndërkombëtarë. 

Pas muajit maj nuk është marrë asnjë vendim për shpërndarje të 20 përqindëshit për punëtorët.

Një shumë prej mbi 8.2 milionë euro për punëtorët e 182 Ndërmarrjeve Shoqërore është përgatitur që nga muaji tetor i vitit te kaluar por nuk është aprovuar ende pasi që Bordi i AKP-së nuk ka fuqi juridike ta bëjë këtë. 

Bordin tashmë e kryeson Skënder Komoni, zëvendëskryesues në Bordin e Drejtorëve.

Ai nuk pranoi të komentonte lidhur me problemet që derivojnë nga mungesat në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. 

Po ashtu Zyra për Media e AKP-së ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këto probleme. 

Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe anëtar i Bordit të AKP-së, thotë se Bordi i AKP-së është i hendikepuar për shkak të mungesës së anëtares ndërkombëtare.

Arifi tha se për shkak të mungesës së anëtarëve të bordit, numri i ndërmarrjeve që presin të marrin 20 përqindëshin, gjegjësisht pjesën e dytë të tij, është 184.

“Pjesa e dytë e 20 përqindëshit ka të bëjë me afër 100 milionë euro”, tha Arifi.

Sipas tij punëtorët e 184 ndërmarrjeve shoqërore të shitura nga AKP-ja, kanë marrë pjesën e parë të 20 përqindëshit që u takon nga procesi i privatizimit. 

AKP-ja bën shpërndarjen e 20 përqindëshit te punëtorët në dy këste. Fillimisht një pjesë u shpërndahet pas shitjes së ndërmarrjes shoqërore, ndërsa pjesa e dytë shpërndahet pas përfundimit të periudhës së ankesave të kreditorëve lidhur me shitjen e ndërmarrjes shoqërore. 

Mungojnë veprimet për plotësimin e bordit

Në vitin 2012, ligji për AKP-në është ndryshuar dhe plotësuar në pjesët që kishin të bënin me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Ky ndryshim është bërë me përfundimin e punës së Zyrës Ndërkombëtare Civile në vitin 2009 që udhëhiqej nga Pieter Feith.

Kjo zyrë ka propozuar emrat për tre anëtarët ndërkombëtarë në Bordin e AKP-së.

Ndërsa me ndryshimin e ligjit, propozimi për tre anëtarë ndërkombëtarë, drejtorë të bordit, i bie në kompetencë Qeverisë së Kosovës. 

Neni 6 po ashtu thekson se nëse një anëtar ndërkombëtar i bordit jep dorëheqje nga bordi dhe nëse kjo dorëheqje, ose largim nga posti ndodh deri më 31 gusht 2014, “atëherë ai/ajo do të zëvendësohet me një ndërkombëtar tjetër”.

Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur në rastin e Bernadette Roberts-it,  përfaqësueses së  ambasadës së SHBA-së në AKP. 

Ambasada amerikane nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen nëse do të delegojë një përfaqësues tjetër në bord të AKP-së.

Po ashtu, edhe qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje se kur do të nominojë emrin e përfaqësuesit ndërkombëtar në Bordin e AKP-së dhe për arsyet e mospropozimit të deritashëm të anëtarëve që plotësojnë këtë trup drejtues të privatizimit.

Ndërsa, një perspektivë tjetër për Bordin e AKP-së ka dhënë deputeti Zenun Pajaziti, i cili udhëheq Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik.

Pajaziti tha se komisioni ka diskutuar shumë herë mungesën e anëtarëve dhe në fund të vitit të kaluar ka rekomanduar ndryshimin e Ligjit për AKP-në.

Në takimin e dhjetorit, komisioni i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të përfshijë në strategjinë legjislative për vitin 2014, ndryshimin e Ligjit për AKP-në me fokus në qartësimin e procedurave për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të drejtorëve.

“Do të organizojmë një tryezë të rrumbullakët me të gjitha palët e interesit për të parë se cila është mënyra më e mirë për të rregulluar këtë çështje”, tha Pajaziti.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm kishte rekomanduar në raportin e saj për AKP-në,  të publikuar në qershor të vitit 2013, që për plotësimin e vendeve të zbrazëta në bordin e agjencisë të shkohet me konkurs.