Infrakos-Kërkesa e Heshtur për Shkarkimin e Kryeshefit

Një kërkesë e sindikatës së punëtorëve dhe tre drejtorëve të “Infrakosit” për shkarkimin e Agron Thaçit, kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, drejtuar Hysen Fazliut, kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të infrastrukturës hekurudhore kosovare më 23 janar, ka mbetur si një dokument i brendshëm i kompanisë, për të cilin po diskutohet, ende pa rezultat. 

“I nderuari kryesues i Bordit të Drejtorëve, kërkojmë nga ju që në bazë të kompetencave të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, pas vlerësimit të përformancës së kryeshefit, ta bëni shkarkimin e tij nga kjo pozitë”, thuhet mes tjerash në kërkesë. 

Në shtator të vitit 2011 Hekurudhat e Kosovës, me rekomandim të Komisionit Evropian, u ndanë në dy ndërmarrje: Trainkos dhe Infrakos. E para sipas kësaj ndarjeje do të menaxhojë trenat, ndërsa e dyta infrastrukturën hekurudhore. 

Ndërmarrja publike që menaxhon infrastrukturën hekurodhore drejtohet nga Agron Thaçi. 

Ligji për Ndërmarrjet Publike, obligon bordet e drejtorëve të tyre për shkarkimin e kryeshefit ekzeklutiv, nëse performanca e tyre gjatë dy vjetëve ka qenë e dobët, duke mos realizuar caqet e përcaktuara. 

Hysen Fazliu, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Infrakosit mohoi për Gazetën Jeta në Kosovë se ka marrë kërkesë për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, Agron Thaçit. 

“Unë nuk kam pranuar një kërkesë të tillë, kjo është manipulim. Është manipulim, ti e di se ku po jetojmë, apsolutisht s’ka asgjë, seriozisht”, thotë Fazliu. 

Gazeta “Jeta në Kosovë” e posedon një kërkesë të tillë që është protokolluar nga ndërmarrja Infrakos me datën 24 janar 2014 me numër protokolli 81. 

Aty është argumentuar kërkesa për shkarkimin e Thaçit, sipas nënshkruesve,  me performancën e tij të dobët drejtuese. 

Sindikalistët, shumica e drejtorëve të ndërmarrjes dhe një pjesë e punëtorëve janë ankuar për mosngritje të pagave në ndërmarrje gjatë tre vjetëve të fundit, mospagesë të beneficioneve,  përvojës së punës dhe orëve jashtë orarit zyrtar. 

Nënshkruesit e kërkesës përmendin edhe diskriminimin e profesionalistëve me kushtet e punës dhe kategorizimin e pagave, shkeljet e panumërta, shpenzimet e larta për reprezantacion, menaxhimin shkatërrues të kryeshefit dhe harxhimet jashtë kontrollit të veturës së tij. 

Kryetari i sindikatës së punëtorëve të Infrakosit, Sabit Thaçi, tha se ata ende nuk kanë marrë vendim nga bordi në lidhje më kërkesat që i kanë bërë.

“Ne ende s’kemi marrë vendim, Jemi në bisedime, sepse po shkojnë me zor, edhe pse po na premtojnë por mandej po kemi telashe”, tha Sabit Thaçi. 

Drejtuesit e Infrakosit: Problemi është zgjidhur

Hysen Fazliu e pranoi se te Bordi i Drejtorëve të Infrakosit ka shkuar kërkesa për përmirësime të kushteve, por shtoi se aty nuk përmendet shkarkimi i kryeshefit. Ai tha se nënshkruesit kërkojnë vetëm njohjen e përvojës së punës dhe një kërkesë e tillë tashmë është e vjetër. 

“Ajo është që një muaj e tepër, kërkesat janë plotësuar, njerëzit punojnë normalisht dhe s’ka asgjë aty”, thotë Fazliu. 

Por vetë Agron Thaçi, kryeshefi ekzekutiv, e pranon se tre drejtorë departamentesh të ndërmarrjes që drejton, e kanë kërkuar shkarkimin e tij. 

 “Kam qenë i njoftuar, kanë qenë  nja 3 drejtorë të cilët kanë kërkuar shkarkimin tim, nuk e di se pse arsyen dhe mandej është involvuar Bordi dhe është zgjidhë ky problem”, tha Thaçi.

Ai e quajti një kërkesë të tillë, “keqkuptim dhe nguti” nga ana  e drejtorëve dhe Sindikatës. 

Sipas tij, tre drejtorë nuk mund ta shkarkojnë kryeshefin, pasi që Infrakos-i i ka 310 punëtorë, duke e quajtur një kërkesë të tillë si të vjetër dhe si çështje të brendshme të Kompanisë. 

“Kjo punë është zgjedhur, është marrë vendimi për plotësimin e atyre kërkesave të tyre dhe s’do të ketë asnjë shkarkim”, thotë prerë Thaçi. 

Nënshkruesit ende presin realizimin e kërkesave

Kryetari i sindikatës, Sabit Thaçi thotë se pas dorëzimit të kërkesës, bordi i drejtorëve u ka premtuar zgjidhje të situatës pas dy javësh. 

“Ne e kemi dorëzuar kërkesën me 23 janar dhe na kanë premtuar që brenda dy jave do të realizohen edhe kërkesat tona dhe nëse nuk i realizojnë normal që ne nuk tërhiqemi”, shpjegon sindikalisti Thaçi. 

Më pas krysindikalisti priti qartësim të situatës me bordin deri më 10 shkurt, por as të hënën që shkoi nuk mori përgjigje për kërkesat. 

“Edhe të martën jemi takuar (11.02.2014) po thonë po, por nuk po merret vendim, sepse nëse pranohet kërkesa, atëherë detyrohen të na japin neve vendimin”, tregon Sabit Thaçi. 

Sindikata paraprakisht ua kishte shkruar  një email  të gjithë punëtorëve duke ua sqaruar gjendjen në të cilën ndodhet “Infrakos-i” dhe në këtë mënyrë ishte përkrahur edhe nga punëtorët e tjerë.

Këtë kërkesë, sipas Sabit Thaçit e kanë përkrahur 10 përqind e anëtarsisë së Sindikatës, si dhe 70% të menaxhmentit të lartë. Kërkesën e nënshkruan edhe drejtorët e prokurimit, financave dhe administratës. 

Drejtorët me sindikatën e kundër kryeshefit

“E kam nënshkruar [kërkesën] pa asnjë ngurrim dhe do ta nënshkruaja prapë. Na anën tonë e kemi bë, ju kemi drejtuar organeve kompetente që kanë kompetencë ligjore”, thotë Valdrin Kosumaj, drejtor i Prokurimit. 

Edhe Kosumaj, si kryesindikalisti Thaçi, pranon se kërkesat e nënshkruesve nuk janë realizuar ende. 

“Ende po presim, s’dimë se çka ka bërë bordi”, tha Kosumaj me bindjen se “sindikata nuk do e heshtë këtë punë”. 

Nënshkruesi tjetër i kërkesës, drejtori i Administratës në Infrakos, Naser Hoti, thotë se nuk ka çfarë t’u shtojë atyre që kanë thënmë për gazetën Sabit Thaçi e Valdrin Kosumaj. 

Por ai shpjegon se kërkesat mund të plotësohen pjesërisht. 

“Kemi bërë një marrëveshje për me u zbatuar disa pika të vendimit dhe me e normalizuar situatën”, thotë Hoti, teksa tregon se në takim me Bordin e Drejtorëve të Infrakosit, nuk është prekur fare kërkesa e sindikalistëve për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv Agron Gashit. 

Hoti megjithatë është kategorik se edhe nëse plotësohen kërkesat tjera të nënshkruesve, nuk do të pranojë që përsëri ndërmarrja të udhëhiqet nga Agron Gashi. Të njëjtën gjë e thotë edhe edhe Zymer Zeka, drejtor i Financave. 

Infrakosi, përveç këtyre tre drejtorëve, e ka edhe një drejtor të katërt- Nexhmi Ramën, drejtor të Mbrojtjes. Rama, sipas sindikatës në fillim e kishte nënshkruar kërkesën për përmirësim kushtesh dhe shkarkim të kryeshefit ekzekutiv, por më pas ishte tërhequr. 

“I kamë boll unë punët e mia, s’dua të përzihem unë në këtë punë”, thotë Rama.

Kryesindikalisti Thaçi, mendon se Rama ka tërhequr nënshkrimin nga frika. 

“U tutë, s’ka tjetër arsye, është tutë”, thotë Sabit Thaçi. 

Por Nexhmi Rama ka shpjegim tjetër.  

“Unë nuk jam pjesë e sindikatës dhe nuk dua të përzihem në këto punë”, thotë Rama. 

Sabit Thaçi tregon se nënshkruesit e kanë seriozisht. 

“ Nëse nuk na i realizon kërkesat, duhet me ecë”, thotë ai për kryeshefin. 

Punëtorëve të Infrakosit që kanë nënshkruar kërkesën për përmirësim të kushteve të punës, më së shumti u intereson nivelizimi i pagave. 

Ata në kërkesën ku duan edhe shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv Agron Thaçit, paralajmërojnë hapa edhe më radikalë. 

“Në qoftë se kërkesa jonë nuk aprovohet, jemi të detyruar që së bashku me punëtorët e Infarkos-it dhe menaxhmentin të dalim në protesta, t’i njoftojmë mediat dhe t’ia pamundësojmë [kryeshefit] hyrjen në objekt të drejtorisë”, thuhet në letrën e sindikalistëve të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë.