Ankesat 52 Milionëshe të Pashqyrtuara nga OSHP-ja

Janë bërë gjashtë muaj prej se kur Bordi Drejtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) është jofunksional. 

Institucionet publike që nga fillimi i gushtit të 2013-ës mund të lidhin kontrata me kompanitë e përzgjedhura, duke shpërfillur ankesat e konkurrentëve që humbin garën në tenderët publikë.

Qeveria e vendit krijoi mundësinë për ndërmarrjen e këtij veprimi, duke mos plotësuar Bordin Drejtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit, një institucion që funksionon si gjykatë e tenderëve. 

Organi Shqyrtues i Prokurimit është organ i pavarur i themeluar në korrik të vitit 2008. 

Emrat e  Bordit Dejtues të OSHP-së propozohen nga Qeveria, pastaj Kuvendi i Kosovës themelon një organ përzgjedhës të pavarur të përbërë nga tre gjykatës të emëruar sipas rregullit të caktuar nga Këshilli Gjyqësor  i Kosovës. 

Organi përzgjedhës rekomandon emërimin e anëtarëve të rinj, të cilët duhet të marrin miratimin nga parlamentarët.

Dy muaj pasi Bordi i OSHP-së, vazhdonte të ishte jofunksional, Qeveria e Kosovës mori vendimin e parë për emrat që do t’i procedonte në Kuvendin e Kosovës. 

Qeveria e Kosovës më 19 shtator të vitit të kaluar pati marrë vendim që për kryesues dhe anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit të jenë: Hysni Hoxha, kryesues dhe Ekrem Salihu, Tefik Sylejmani dhe Vjollca Kurtishaj anëtarë. 

Këta emra do t’i dërgoheshin Kuvendit të Kosovës për miratim.

Por Kuvendi i Kosovës nuk kishte aprovuar më 12 dhjetor 2013 listën e të emëruarve të propozuar nga Qeveria. 

Emërimi i kryetarit dhe i anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit kishte marrë vota të pamjaftueshme për miratim.  Pro ishin vetëm 42 vota, kundër 42 dhe  abstenime 3 nga 92 deputët sa kanë qenë në seancë. 

Një vendim të njejtë po me këta emra për kryesues dhe anëtarë, Qeveria e Kosovës, e pati marrë edhe në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar. 

Vendimi i datës 27 dhjetor 2013 ishte ndryshuar nga ana e Qeverisë së Kosovës më 22 janar 2014, kur listës për anëtarë i ishtë shtuar edhe Bajram Zogiani. 

Zogiani i ishtë shtuar listës së të propozuarve nga ana e Qeverisë pasi, Osman Kryeziu anëtari i vetëm me mandat në Bordin e OSHP-së ndërroi jetë. 

Kuvendi i Kosovës në seancën e mbajtur më 7 shkurt miratoi emrat që do të përbëjnë organin përzgjedhës për emërimin e Bordit të OSHP-së. 

Organi Përzgjedhës do të përbëhet nga Valdete Daka nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Asllan Krasniqi nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Nebojsa Boric nga Gjykata Supreme.  

OSHP: 204 ankesa të pashqyrtuara

204 ankesa nga operatorët e ndryshëm ekonomikë kanë mbetur të pashqyrtuara për shkak të mosfunksionimit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, në periudhën gusht-dhjetor, sipas OShP-së.  

Vlera e tenderëve për të cilët është paraqitur ankesë në atë që njihet si gjykatë e tenderëve mbërrin vlerën në rreth 52 milionë euro. 

“Në mungese të Bordit të OSHP-se për vitin 2013 kanë mbetur 213 ankesa pa vendime”, njofton Zyra për Media e OSHP-së.

Autoritetet publike, bazuar në raportet e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik shpenzojnë rreth 700 milionë euro në vit prokurime, ku rreth 20 për qind e tyre shqyrtohen nga gjykata e tenderëve. 

“Lidhur me këtë gjendje të mbetur, OSHP-ja me kohë ka njoftuar  Qeverinë  dhe Kuvendin e Kosovës”, thonë në OShP. 

Ky bord nga gushti i vitit të kaluar deri në nëntor funksionoi me vetëm Osman Kryeziun, anëtarin e vetëm të bordit, i cili më 21 nëntor ka ndërruar jetë.

Katër prej pesë anëtarëve të bordit drejtues u kishte skaduar mandati deri në fund të muajit korrik 2013. 

Dy anëtarëve Baki Krasniqit e Ekrem Salihut u kishte përfunduar mandati më 31 korrik të vitit 2012.  

Bordi Drejtues i OSHP-së kishte funksionuar me vetëm tre anëtarë deri më 31 korrik të vitit 2013, kur i skadoi mandati edhe kryetarit Hysni Hoxha dhe anëtarit Tefik Sylejmani. 

Hysni Hoxha, Ekrem Salihu dhe Tefik Sylejmani  janë propozuar sërish nga Qeveria e vendit për Bordin e ri të OShP-së. 

Hoxha në pozitën e kryesuesit, ndërsa Salihu e Sylejmani si anëtarë të këtij bordi. 

Gazeta Jeta në Kosovë më 9 shtator të 2013-ës, pati raportuar se si Qeveria e Kosovës nuk po lëvizë drejt plotësimit të Bordit Drejtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit, përkundër se ishte njoftuar dy muaj para skadimit të mandatit të tij, siç parashihet me Ligjin e Prokurimit Publik.

Ish-kryetari i OSHP-së Hysni Hoxha, i pati thënë gazetës se mosfunksionimi i këtij institucioni mund të çojë në dëmtimin e buxhetit nga nënshkrimi i kontratave të dëmshme. 

“OSHP-ja është formuar për të mbrojtur kompanitë nga shkeljet e institucioneve, por tash nuk mund ta kryejë këtë funksion”, pati thënë  Hoxha në shtator të vitit të kaluar.

Por, procedurat e prokurimit mund të vazhdojnë, edhe përkundër mosfunksionimit të Bordit të OSHP-së.

Ligji i Prokurimit Publik nuk specifikon se çfarë duhet të ndërmerret në situata të tilla. 

Hoxha pati thënë se në këto raste zbatohet Ligji për Procedurat Administrative. 

Ky ligj lejon autoritetet publike të nënshkruajnë kontratat, nëse nuk marrin përgjigje brenda 30 ditëve nga OSHP-ja, për ankesat e ngritura nga kompanitë që humbin garën në tenderët publikë. 

Gjykata e tenderëve publikoi në mars të vitit 2013 raportin e punës për periudhën janar-dhjetor të vitit 2012. 

Raporti tregoi se prej themelimit të institucionit më 2008, e deri më 31 dhjetor të vitit 2012, janë shqyrtuar 1 mijë e 517 ankesa të operatorëve ekonomikë që nuk janë shpallur fitues në tenderët publikë. 

Prej 1 mijë e 517 ankesave ajo ka kthyer në rivlerësim 359 lëndë prokurimi, ndërsa ka anuluar në tërësi 273 aktivitete prokurimi që i vlerësoi si të kundërligjshme. 

“Numri i rasteve i kthyer për rivlerësim dhe ri-tenderim në lidhje me shkeljet e gjetura nga ana e organit shqyrtues tregon që specifikimet teknike të paqarta vazhdojnë të jepen në Kosovë”, thuhet në Raportin e Progresit.