Bab Club - Në Pronën e Pushtuar Paligjshëm

Njëri nga klubet e ndejave të natës më në zë të kryeqytetit Bab Club, është ndërtuar në pronë të uzurpuar.

Objekti që u privatizua nga Xhevat Sadriaj, që merret me biznesin e patundshmërive dhe industrinë e sigurimeve në Zvicër, mbahet i pushtuar nga Rrustem Rukolli, pronar i Bab Club-it.

I gjendur përballë obeliskut Newborn dhe nën hotelin Grand në qendër të kryeqytetit,  objekti i Sadriajt është një hapësirë biznesi e pronarit të kompanisë “R& Rukolli” që fitoi mbi 5 milionë euro tenderë nga Komuna e Skenderajt dhe mbi 15 milionë euro nga autoritetet tjera publike.

Rukolli po ashtu është koordinator i ekipit mbrojtës të kryetarit të Skenderajt Sami Lushtakut që po akuzohet për krime lufte nga EULEX-i.

Sadriaj pjesë e kompanisë COEB që bleu lokalin më 2011 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, nuk po i lejohet qasje në pronën e tij.

Rukolli nuk largohet nga aty edhe përkundër njoftimit nga shteti se nuk mund ta shfrytëzojë lokalin.

Agjensioni Kosovar i Privatizimit dhe Rukolli kishin pasur një kontratë që i lejohej atij të shfrytëzonte lokalin deri në kohën kur do të privatizohej.

“Në momentin kur prona është privatizuar, AKP-ja e ka njoftuar qiramarrësin se prona është shitur”, thotë zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi.

Sipas tij AKP-ja nga ky moment më nuk ka obligime ndaj investitorëve për t’ua liruar pronat.

“Nëse investitorët kanë problem me pronat e tenderuara, atëherë ata mund t’i drejtohen gjykatës dhe të kërkojnë lirimin e tyre”, thotë Kaloshi.
Xhevat Sadriaj

Sadriaj pagoi 147 mijë euro për blerjen e lokalit

Historia e këtij tregimi nis me pronat nën platenë e Hotel Grand që dikur ishin shoqërore.

Dokumentet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit tregojnë se  njëri nga tre lokalet ku është i ndërtuar Bab Club-i,  i përkiste ndërmarrjes shoqërore Rilindja.

Kjo pronë ishte tenderuar nga AKP-ja në vitin 2011, duke u blerë nga biznesmeni nga Zvicra Xhevat Sadriaj.

Sadriaj për këtë pronë i ka paguar  AKP-së 147 mijë euro dhe pas shpalljes së fituesit të tenderit, ai me fletën poseduese kishte shkuar për ta parë lokalin e blerë.

Aty Sadriaj kishte kuptuar se lokali i privatizuar nga AKP-ja,  ishte duke u shfrytëzuar nga Rrustem Rukolli, pronar i kompanisë “R& Rukolli”, me bazë në Skenderaj.

Sadriaj pas një takimi që kishte pasur me Rukollin, thotë se ai nuk kishte pranuar t’ia lironte lokalin.

Bisedat  sipas Sadriajt kishin pasur përmbajtje përafërsisht të njëjtë.

“Më ka ofruar që t’ia shes me çmimin e njëjtë, mirëpo unë kam refuzuar që t’ia shes, e më pas më ka thënë se në këtë rast ke punë me Zotin”, rrëfen Sadriaj.

Ai thotë se Rukolli ka refuzuar edhe t’i paguajë qiranë për pronën tash e dy vjet.

“Unë i kam thënë se partnerët e mi zviceranë nuk dëshirojnë që lokalin ta shesin, andaj duhesh që t’i nënshtrohesh pagesës së qirasë. Mirëpo pas kësaj ai nuk e ka hapur as telefonin”, rrëfen Sadriaj.

Avokati Arianit Koci nuk e mohon mundësinë që Rukolli t’i ketë kërkuar Sadriajt të blejë lokalin.

“Është e mundshme. Nuk ka asgjë të keqe të ofrojë.  Faktikisht me vetë ofrimin e blerjes së lokalit ia ka pranuar edhe pronësinë”, thotë Koci përfaqësues ligjor i Rrustem Rukollit.


Arianit Koci

Koci: Rukolli do të paguajë nëse vendos gjyqi 

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi me Rukollin por ai rekomandoi se për këtë çështje do të flasë përfaqësuesi i tij ligjor Arianit Koci.

Koci pohoi se klienti i tij nuk e ka të qartë se cila pjesë e lokalit është e Sadriajt,  andaj për ta përcaktuar këtë çështje duhet një vendim gjyqësor.

“ Gjendja faktike në terren ka ndryshuar dhe nevojitet një ekspertizë për ta përcaktuar se  ku janë kufijtë e lokalit ”, thotë Koci.

Koci thotë se dy lokale të Rukollit gjenden përbri atij  të Sadriajt.

Sipas tij hapësira e Bab Club-it është e përbërë nga dy lokale të Rukollit dhe një të Sadriajt.

“Duhet një procedurë gjyqësore që me anë të ekspertëve të konkludojë se cila pjesë është e Sadriajt. Sa kam parë në letra, ai (Xhevat Sadriaj) është blerës.  Por, është vështirë me përcaktu ku janë kufijtë e lokalit të tij”, thotë Koci.

“Deri te kjo situatë ka ardhur pasi që shfrytëzuesi i mëhershëm para Rukollit ka thyer muret dhe e ka krijuar një lokal të vetëm”, shton ai.

Koci thotë se ky problem duhet të rregullohet nëpërmjet kontestit civil në gjyq.

Sipas tij nëse gjykata vendos që këtë pronë ta kthejë në posedim te Sadriaj, atëherë klienti i tij do ta respektojë vendimin e gjykatës.

“Është blerës legjitim (Xehvat Sadriaj),  por nuk po mundet me u përcaktu prej cilës pikë në cilën pikë është lokali i tij. Rukolli, ose  do të kërkojë nëpërmjet gjyqit t’i kompensohet investimi, ose do të paguajë qiranë bazuar në vlerë të tregut”, thotë Koci.

Megjithatë Koci nuk e di arsyen se përse klienti i tij nuk është duke ia paguar qiranë pronarit legjitim të lokalit.

“ Nëse gjykata vendos që ne duhet ta paguajmë qiranë, atëherë ne këtë do ta bëjmë”, është shprehur ai.

Thotë se Rukolli njëherë kishte paguar qira për shfrytëzimin e këtij lokali.

“E ka pas një qira dhe e ka paguar një muaj ditë. Pas asaj Rilindja nuk ia ka dërguar më faturat dhe nuk ka paguar më”, thotë Koci.

Mirëpo zyrtarë të AKP-së thonë se Rukolli e kishte ditur me saktësi ku janë kufijtë e lokalit të Rilindjes.

Sipas Kaloshit, zyrtarit të lartë të informimit në AKP, biznesmeni ishte njoftuar se duhej ta lëshonte lokalin e blerë nga Sadriaj.

Por, sipas Kaloshit , çështja e lirimit të objektit i cili mbahet në shfrytëzim nga Rrukolli, është një çështje gjyqësore dhe e njëjta duhet të zgjidhet me padi civile në gjykatë.

Refuzimi për të paguar qiranë e lokalit e ka shtyrë Sadriajn të mendojë që këtë çështje ta çojë në gjykatë.

Mirëpo , problem tjetër në këtë rast sipas Sadriajt qëndron te fakti se partnerët e tij zviceranë kanë filluar të jenë të pakënaqur me sigurinë e investimeve të tyre në Kosovë.