Bordi i PTK-së i Vlerësuar Negativisht

Bordi i PTK-së nuk e ka pritur mirë vlerësimin e njësisë qeveritare që monitoron ndërmarrjet publike në vend, duke thënë se është joprofesional dhe me tendenca degradimi të tij dhe të PTK-së.

Bordi i postës dhe telekomit kosovar thotë se njësia ka marrë vendim të pakuptimtë në vlerësimin e ndërmarrjes profitabile kosovare, duke pasur parasysh afarizmin pozitiv që ka pasur gjatë vitit 2012. 

Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NjPMNP) publikoi në korrik në faqen zyrtare të saj, vlerësimin për të gjitha bordet drejtuese të ndërmarrjeve publike në vend. 

Bordi Drejtues i PTK-së vlerësohet negativisht në disa aspekte. 

Sa i përket “performancës financiare” – njësia thotë se PTK-ja gjatë vitit 2012 ka operuar me fitim, edhe pse me më pak fitim për tetë milionë euro nga viti paraprak. 

Në vlerësimin direkt të bordit – “qeverisjes korporative”, njësia thotë se bordi ka miratuar me kohë raportet tremujore dhe vjetore, po ashtu edhe planin e biznesit.

Njësia në vlerësimin e saj për “performancën operative” thekson se telefonia mobile “Vala” dhe shërbimet e saja për internet kanë shënuar një rritje në numrin e konsumatorëve, por ka rënie të konsumatorëve në telefoninë fikse.

Raportet financiare të publikuara në faqen zyrtare të PTK-së tregojnë rënie të fitimit neto të korporatës së postë-telekomit. 

Sipas raportit financiar të PTK-së, të cilin e ka bërë auditori i pavarur BDO Kosova, kjo ndërmarrje për vitin 2012 ka pasur të hyra prej 147,7 milionë eurosh, ndërsa fitimin neto prej 38.3 milionë euro.

Ndërsa për vitin 2011 ka pasur qarkullim prej 162,2 milionë eurosh dhe fitim neto: 46.1 milionë euro. 

Kjo ndërmarrje në vitin 2010, po ashtu e audituar nga auditori i jashtëm (Grant Thornton) thuhet se ka pasur fitim neto prej 33.3 milionë eurosh. 

Vendimi i kritikuar për bonuset

Njësia thotë se bordi ka miratuar në dhjetor të vitit 2012, vendimin e kundërligjshëm mbi bonuset, të cilin qeveria e kishte anuluar. 

Bordi i PTK-së kishte marrë bonuse për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, ku kryetari i Bordit të Drejtorëve, Rexhë Gjonbalaj, ishte shpërblyer me 13 mijë euro, raportoi Gazeta Zeri në korrik të këtij viti. 

Gjonbalaj ka deklaruar pagën e tij vjetore në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) prej 14 mijë e 105 eurosh.

Njësia ka kritikuar bordin se ka injoruar kërkesat e njësisë mbi anulimin e komiteteve të përkohshme, për të cilat njësia thotë se kanë qenë joaktive.

Komitete krijohen nga bordet e drejtorëve për çështje të ndryshme si komisioni për financa, staf e shpërblime, komisioni për hulumtime e teknologji e të tjera, me funksion të përkohshëm deri më gjashtë muaj.

Njësia i ka bërë kërkesë bordit të PTK-së që të shuajë këto komitete, pasi që janë joaktive dhe nuk duhen të paguhen si të tilla.

“Kur kësaj i shtojmë edhe shumë vendime të OSHP-së mbi anulimin  prokurimeve të PTK-së, të cilat bordi asnjëherë nuk i shqyrtoi, atëherë nuk ka se si ky bord të vlerësohet pozitivisht”, thuhet në fund të vlerësimit të njësisë për Bordin e PTK-së. 

Bordi i PTK-së ankohet te ministri Ismajli 

Rexhë Gjonbalaj, është ankuar  te ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, duke i thënë këtij të fundit se njësia ka ndërhyrë në punën e pavarur të bordit.

“Tendenca e NjPMNP-së, e sidomos e drejtorit të saj ndaj PTK sh.a, bordit dhe menaxhmentit, ka qenë çdo herë tendencë presioni dhe ndërhyrje në punën e pavarur dhe autonome të bordit për përfitime personale”, thuhet në letrën e bordit të datës 19 nëntor 2013, që e ka Gazeta Jeta në Kosovë. (shtine letren ne sistem)

Kjo letër i ka shkuar ministrit Ismajli, në kohën kur qeveria është në përgatitje të emërimeve të reja për bordet e ndërmarrjeve publike, kontrata e të cilëve ka skaduar në dhjetor të vitit 2011.

Bordi i ndërmarrjes më fitimprurëse në vend, përkujton ministrin Ismajli se gjatë vitit 2012, ndërmarrja ka përmbushur kërkesën e aksionarit [Qeverisë së Kosovës] për dividentë dhe ka ndarë 45 milionë euro.

PTK-ja ka ndarë dividentën për Qeverinë e Kosovës, edhe me 40 milionë euro të tjera, për vitin 2013.

Bordi i PTK-së, në lidhje me bonuset, thotë se nuk janë të kundërligjshëm, pasi që një vendim i tillë për bonuse është bërë që nga viti 2005.

Bordi thotë se njësia dhe qeveria, si aksionar i vetëm në PTK-së, nuk kanë reaguar, edhe pse çdo herë kanë qenë të njoftuar për këto bonuse.

Ky bord thekson se ka respektuar vendimin e qeverisë kur është kërkuar që PTK-ja të ndalojë dhënien e bonuseve, duke përkujtuar se bonuse kanë marrë punëtorët e PTK-së, e jo bordi i saj.

Por, përveç punëtorëve, bonuse kanë marrë edhe anëtarët e Bordit të PTK-së. 

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar se krerët e PTK-së i kanë ndarë vetes bonuse, përkundër vlerësimit nga Njësia Qeveritare e Monitorimit të Ndërmarrjeve Publikese se gjatë vitit 2011 ka pasur arritje të pjesshme dhe përmbushje jo të plotë të detyrave ndaj aksionarit nga PTK-ja. 

Bordi konteston vlerësimin e njësisë, se komitetet nuk kanë qenë active, duke shtuar se sipas kodit të etikës, komitetet takohen një herë brenda dy, ose tre muajsh.

“Kërkesa për anulimin e komiteteve, është ndërhyrje direkte në punën e pavarur të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, ngase ne vlerësojmë se të gjitha komitetet janë të nevojshme dhe aktive”, thotë Bordi i PTK-së.

Bordi, në vazhdim të letrës i thotë ministrit Ismajli se “nga këto presione bordi ka kuptuar se drejtori i NjPMNP-së ka të punësuar edhe vëllanë në PTK sh.a”. 

Drejtori i njësisë, Ramadan Sejdiu, thotë se sa herë që njësia kërkon të dhëna nga PTK-ja, kjo e fundit e shantazhon njësinë, për ta penguar në punën e saj.

“Po, kjo ndodh sa herë që NjPMNP-ja kërkon të dhëna nga PTK-ja, si psh, mbi bonuset, ose të dhënat tjera dhe si shantazh në pengimin e kryerjes së detyrës zyrtare të organit shtetëror, atëherë reagohet se gjoja bordi është i pavarur dhe përmendet ky gjoja punësim i familjarit tim”, deklaroi Sejdiu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sejdiu thotë se vëllai i tij në PTK mban një post të nivelit të ulët dhe se nuk ka dëshmi se ai është punësuar aty me ndihmën e tij. 

“Nuk ka fakte të shkruara, e dëshmi tjera, se i njëjti është punësuar me ndihmën time, përndryshe sigurisht se do te kishte një pozicion dhe koeficient më të lartë.”, shton ai.

Sejdiu thotë se një familjarit të tij i lejohet që të punësohet në ndërmarrje publike. 

“Sigurisht se ata (familjarët) nuk do të mund të jenë anëtarë bordi të drejtorëve në NP-të , të cilat i monitorojmë dhe vlerësojmë”, deklaroi Sejdiu.

Zyra për Informim në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se shumica e drejtorëve actualë të bordeve të ndërmarrjeve publike kanë aplikuar përsëri për këto poste.

“Megjithëkëtë, NjPMNP-MZHE-ja duke pasur parasysh se procesi i përzgjedhjes se bordeve të reja është në vijim, një kopje të këtij vlerësimi i ka dërguar edhe Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm te Zyra e Kryeministrit, në mënyrë që komisionet rekomanduese ta kenë parasysh gjatë përzgjedhjes së bordeve të reja, ngase shumica e drejtorëve actualë të bordeve kanë aplikuar edhe në këtë konkurs”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.