Kryeinspektori Pranon Fajësinë Për Marrje të Mitës

Kryeinspektori i Minierave dhe Mineraleve Nuredin Bislimi dhe inspektori në këtë institucion Lulzim Çitaku, kanë bërë pikërisht të kundërtën e punës për të cilën paguhen nga shteti, kur u kapën nga policia më tetë nëntor, nën dyshimin për marrje të mitës. 

Inspektorati i Minierave dhe Mineraleve është një mekanizëm publik, përgjegjës për ndalimin  e të gjitha eksploatimeve pa leje të mineraleve dhe pasurive nëntokësore të Kosovës. 

Ky inspektorat ka të drejtë t’u shqiptojë gjoba, subjekteve ekonomiko-afariste që shfrytëzojnë paligjshëm xehet e Kosovës. 

Pikërisht, një mosshqiptim gjobe për një kompani eksploatuese të zhavorrit, në këmbim të marrjes së ryshfetit nga pronari i saj, u ka kushtuar me qëndrim prapa grilave kryeinspektorit dhe inspektorit të Minierave e Mineraleve. 

Inspektorati që lëshon licenca për shfrytëzimin e mineraleve në Kosovë, sipas nenit 79 të Ligjit për Miniera e Minerale, mund të shqiptojë dënime prej 10 mijë eurosh, për çdo ditë eksploatimi pa leje, kompanive që kryejnë paligjshëm veprimtarinë e shfrytëzimit të xeheve. 

Dy zyrtarët e inspektoratit u arrestuan më 8 nëntor, me dyshimin për marrje të mitës prej 1 mijë eurosh nga pronari i një kompanie të përpunimit dhe eksploatimit të zhavorrit në rajonin e Pejës. 

Dyshohet se ata paratë i morën për të mos i shqiptuar gjobë kësaj kompanie, për shkeljet gjatë eksploatimit. 

Kryeinspektori Nuredin Bislimi ka pranuar këtë marrje ryshfeti, duke nënshkruar marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokuroren nga Peja Sahide Gashi e cila është duke e hetuar rastin. 

Marrëveshja është nënshkruar nga fundi i nëntorit, ndërsa prokurorja Gashi i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ky dakordim mes palëve dhe aktakuza kundër kryeinspektorit i janë dërguar gjykatës, e cila do të vendosë nëse do ta pranojë ujdinë. 

Marrëveshja për pranimin e fajësisë është mekanizëm ligjor, i cili mundëson që të dyshuarit për vepra penale me pranimin se janë fajtorë para prokurorit marrin një dënim më të ulët për veprat që ngarkohen. 

Kryeinspektori Nuredin Bislimi, i kontaktuar nga Gazeta, nuk ka dhënë ndonjë shpjegim pse ka pranuar fajësinë, por ka thënë se për këtë çështje mund të flasë avokati i tij Bajram Tmava. 

Arritjen e marrëveshjes për pranim të fajësisë e ka konfirmuar edhe Bajram Tmava mbrojtës i Nuredin Bislimit. Sipas Tmavës pas arritjes së marrëveshjes klientit të tij i është ndërprerë masa e paraburgimit. 

Një gjë e tillë nuk i ka ndodhur inspektorit Lulzim Çitaku, pasi ai nuk ka arritur marrëveshje me organin e ndjekjes. Ai ende ndodhet në paraburgim, ndërsa kontakti me të ka qenë i pamundur. 

Sipas prokurores Sahide Gashi, marrëveshja e arritur me kryeinspektorin e minierave dhe mineraleve Nuredin Bislimin, propozon që i ngarkuari për marrje të ryshfetit të dënohet me burgim njëvjeçar, gjobë prej 3 mijë eurosh dhe ndalim të ushtrimit të profesionit për tre vjet. 

Seanca ku do të shqyrtohet pranimi, ose mospranimi i kësaj ujdie, ende nuk është caktuar. 

Rasti i marrjes së mitës nga Bislimi e Çitaku, u zbulua kur pronari i biznesit që u ofroi një mijë euro zyrtarëve të Inspektoratit për Miniera dhe Minerale, pranoi të bashkëpunojë me policinë. 

Sipas prokurores Sahide Gashi, në aktakuzë shkruan se dy inspektorët, më 8 nëntor kishin shkuar në seperacionin e pronarit të kompanisë, nga i cili kishin marrë ryshfet 1 mijë euro, për të mos i shqiptuar gjobë. 

Pak metra më tutje dy zyrtarët shtetërorë ishin ndaluar nga policia dhe pas kontrollit paratë e ryshfetit u ishin gjetur në xhepa, për shkak të bashkëpunimit me organet e rendit, nga pronari i biznesit. 

Provat e grumbulluara për rastin e mitmarrjes i mjaftuan policisë për të arrestuar zyrtarët.