Vëllai i Zv/ministrit Lushtaku Dyshohet Për Shfrytëzim Të Paligjshëm Të Thëngjillit

Një basen thëngjilli i gjendur në Polac të Skënderajt është eksploatuar pa lejen e autoriteteve shtetërore. 

Sipërfaqja prej 13 mijë e 902 metrash katrorë e këtij minerali nëntokësor është gërmuar nga Faton Lushtaku, vëllai i zëvendësministrit të Diasporës Nuredin Lushtakut. 

Komisioni i Pavarur për Miniera e Minerale, një autoritet që mbikqyr shfrytëzimin e pasurisë nëntokësore, më 7 mars të këtij viti ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës kallëzim penal kundër shfrytëzuesit illegal të kësaj hapësire të thëngjillit. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka parë kallëzimin penal të ngritur nga KPMM-ja ku thuhet se i dyshuari  ka kryer veprat penale vjedhje e rëndë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. 

Ismet Ujkani, prokuror në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, konfirmoi se kallëzimi penal është pranuar por qe ende nuk është shqyrtuar nga prokurorët. 

Sipas tij rasti i kallëzimit penal të KPMM-së është në pritje sikurse shumë raste tjera dhe nuk dihet kur do të shqyrtohet. 

Por, Faton Lushtaku thotë se e tëra është një keqkuptim nga ana e Komisionit të Pavarur për Minierale e Minerale një autoritet që mbikqyr shfrytëzimin e mineraleve energjetike ku bën pjesë edhe thëngjilli.

“Çka kanë shkru… kanë shkru. Ata [KPMM-ja] i kanë ligjet e veta. Kanë menduar ata që na kemi vjedh thëngjill. Ka qenë një keqkuptim. E kanë verifiku edhe ata vetë gabimin”, deklaroi Faton Lushtaku. 

Sipas tij qymyri është nxjerrë më herët nga ai vend dhe se ai vetëm ka dashur t’i mbyllë gropat. 

“Unë i kam mshel gropat me dhe aty. I kam mbush gropat me dhe. Ata kanë mendu që po vjedhim qymyr”, shtoi Lushtaku. 

Ai thotë se do të ankohet kundër KPMM-së. 

“Ata i kanë dëshmitë që nuk është nxjerr kurgjë dhe nuk e kam problem unë këtë sepse nuk kam nxjerr kurgjë aty”, shtoi ai. 

Megjithatë, makineri të rënda ende shihen përreth basenit të qymyrit në fshatin Polac të Skënderajt. 

Por, kur Faton Lushtaku u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë ai pohoi se nuk posedon biznes që merret me shitje thëngjilli por se familja e tij ka biznes të kontrollimit teknik të automjeteve. 

Ndërkohë zëvendësministri i Diasporës Nuredin Lushtaku nuk deshi të komentojë për veprimet e vëllait të tij.  

“Nëse ke diçka për zëvëndësministrin hajde fol me mu”, deklaroi zëvendësministri Lushtaku. 

Zëvendësministri i Diasporës më herët ishte komandant i gardës kombëtare të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Ai është emëruar në postin e zëvendësministrit më 12 gusht të vitit 2011. 

Ai në deklarimin e pasurisë të dorëzuar në mars të këtij viti në  Agjencinë Kundër Korrupsion ka shënuar se ka të ardhura vjetore prej rreth 92 mijë euro nga bizneset e përbashkëta familjare. 

Lushtaku ka deklaruar si pasuri të përbashkët familjare një objekt të biznesit të kontrollimit teknik të automjetet si dhe një kompleks afaristo-banesor. 

Shkeljet e konstatuara nga KPMM-ja 

Ndërkohë KPMM-ja prezantoi argumentet e saj në kallëzimin penal kundër shfrytëzuesit illegal të thëngillit në fshatin Polac të Skënderajt. 

Shfrytëzimi illegal i pasurisë minerale bie ndesh me nenin 80 të ligjit për miniera dhe minerale sipas së cilit nuk mund të shfrytëzohen mineralet e vendit pa licencë. 

Sipas këtij ligji, shkelësit dënohen me gjobë ose burgim deri në gjashtë muaj.

Në ndërkohë, pikërisht për shfrytëzim të paligjshëm të thëngjillit në Polac, KPMM-ja ka shqiptuar dy gjoba.

KPMM-ja, autoriteti mbikqyrës i shfrytëzimit të mineraleve energjetike ku bën pjesë edhe thëngjilli, nuk bën të ditur emrat e plotë të operuesve ilegalë ndaj të cilëve shqiptoi dënime në të holla.

“KPMM-ja… ka identifikuar një operim ilegal për minerale energjetike në emër të një personit fizik F.L. dhe ndaj tij janë shqiptuar dy gjoba të cilat janë dërguar në gjykatë”, deklaroi Midin Bojaxhiu drejtor ekzekutiv i KPMM-së kur u pyet për rastin e basenit të thëngjillit në Polac të shfrytëzuar nga Faton Lushtaku. 

“Shuma e gjobave të dërguara në gjykatë kap shifrën prej 16 mijë e 871 euro”.

Gjoba prej mbi gjashtë mijë eurosh është shqiptuar për shkak të tantiemës (taksës për shfrytëzimin e mineralit) së papaguar nga shfrytëzimi i thëngjillit në Polac ndërsa pjesa tjetër prej 10 mijë eurosh është gjoba për shfrytëzimin ilegal. 

Sasia e thëngjillit që dyshohet se është shfrytëzuar pa lejen e shtetit nga Lushtaku është në sasi prej 8 mijë e 880 tonësh. 

Një ton thëngjill shitej në vlerë prej 44 eurosh nga ndërmarrja më madhe në tregun e brendshëm “Kosova Thëngjill”,  një kontraktor i KEK-ut deri në nëntor të vitit 2011.

Bazuar në barometrin e përcaktuar nga shitësi më i madh i thëngjjillit përgjatë viteve del se shuma në euro e 8 mijë e 880 tonëve thëngjill kap vlerën e afro 400 mijë eurove. 

Drejtori i KPMM-së, Midin Bojaxhiu, deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë se i vetmi autoritet që ka leje për shfrytëzimin e thëngillit është Korporata Energjetike e Kosovës. 

KEK-u është pajisur me licencë për basenet e thëngjillit që gjenden në territorin e Komunës së Obiliqit. 

Përveq KPMM-së edhe Ministria e Mjedisit është autoritet që jep pëlqime mjedisore për shfrytëzimin e një minerali energjetikë. 

Gëzime Hasani, zëdhënëse e Ministrisë së Mjedisit, deklaroi se inspektorati i MMPH-së bashkë me KPMM-në dhe nën shoqërimin e Policisë së Kosovës zakonisht ka ndërmarrë veprime që ua kanë ndërprerë punimet operatorëve të jashtëligjshëm. 

“Ndërkaq, sa i përket rastit konkret, Inspektorati, qysh në vitin e kaluar u ka tërhekë vërejtjen duke i urdhëruar për ndërprerje të punës, deri në momentin që pajiset me dokumentacion valid”, ka deklaruar Hasani.