Falja Presidenciale Kthen Biznesmenin Në Tokën e Pushtuar

Krahu i majtë në fillim të rrugës që qon në ndërmarrjen Banja e Pejës është pushtuar nga Haki Turkaj një biznesmen i njohur në Istog. 

Hoteli, restauranti e parku i lodrave që i përkasin kompleksit biznesor Kosova Park, të themeluar nga Turkaj, shtrihen në pronë të ndërmarrjes Banja e Pejës e vlerësuar nga Agjencia e Privatizimit si një prej aseteve më të rëndësishme në vend. 

Biznesi privat zotëron mbi 6 hektarë tokë të ndërmarrjes së njohur për qendër rehabilitimi e cila zyrtarisht ka mbi 30 hektarë sipërfaqe. 

Përveq mbajtjes së biznesit të madh në Istog shtetasi zvicrranë, që përfiton pension nga ky shtet, është edhe themelues dhe financues kryesor i një klubi futbolli të qytetit,  FC Banja.

Biznesmeni Haki Turkaj që themeloi biznesin Kosova Park,  ishte dënuar më 2012 për uzurpim të pronës shoqërore. 

Ai mbajti tre muaj e pesë ditë burg në Dubravë derisa u lirua me dekret presidencial.

Presidentja Atifete Jahjaga, dy ditë para festimit të pesë vjetorit të shpalljes së pavarësisë, nënshkroi në zyrën e saj  dekretin e diskutueshëm për falje që liroi Turkajn. 

Dekreti i Presidentes Jahjaga i lëshuar më 15 shkurt të këtij viti e liroi atë, ndërsa aktualisht Turkaj ende vazhdon të ushtrojë pushtet faktik mbi të njëjtën pronë ani pse u dënua për uzurpim.  

Prej 441 kërkesave për falje u liruan nga burgu vetëm katër veta, përfshirë Turkajn.

Biznesmeni Turkaj nuk pranoi të fliste për Gazetën Jeta në Kosovë rreth vendimit presidencial që e liroi nga burgu. Ekipi i Gazetës Jeta në Kosovë poashtu vizitoi kompleksin Kosova Park por Turkaj nuk pranoi të takohej. 

Ai refuzoi disa herë kërkesat për intervistë të Gazetës Jeta në Kosovë. 

Turkaj lirohet – kthehet në tokën e pushtuar 

Agjencia e Privatizimit e vlerëson ndërmarrjën shoqërore Banja e Pejës si një prej aseteve më të rëndësishme në vend. Për blerjen e saj kishin konkurruar biznesmenë të fuqishëm kur AKP-ja e kishte nxjerrë në shitje.  

Banja e Pejës as pas dënimit të Haki Turkajt për uzurpim nuk është liruar nga pushtimi i tij. Gjendja nuk ka ndryshuar as pas privatizimit të ndërmarrjës dhe as pas faljës së dënimit nga Presidentja. 

Biznesi i Kosova Parkut, që i përket familjes Turkaj, ka vazhduar të shfrytëzojë pronën e ndërmarrjes shoqërore ligjërisht përmes Visar Turkajt ndonëse gazeta ka gjetur se Haki Turkaj ende operon me këtë biznes dhe ushtron pushtet faktik mbi të duke negociar në emër të tij. 

Biznesi “Kosova Park”, është regjistruar më 2003 në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit. Atkualisht djali i tij Visar Turkaj operon si pronar në regjistrin e biznesit. 

Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë më 19 gusht që kishte negociuar pa sukses në mes të Haki Turkajt dhe pronarit të Banjës së Pejës Xhevdet Shoshi për arritjen e një marrëveshje që ka të bëjë me shfrytëzimin e pronës së Banjës së Pejës.  

Agjencia Kosovare e Privatizimit nëpërmjet tenderit shiti Banjën e Pejës dhe blerësi i saj është Xhevdet Shoshi i cili nuk po mundet të zotërojë pronën e tij të blerë nga shteti.

Shoshi e ka të pamundur të menaxhojë pronën e blerë për shkak të pengesave të biznesit të themeluar nga Haki Turkaj, i falur nga Presidentja e vendit. 

Në gusht të këtij viti, pronari i Banjës së Pejës Xhevdet Shoshi deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë se ka ushtruar padi kundër biznesit Kosova Park për shfrytëzim të pronës së tij  

Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se blerësi i ndërmarrjes e ka të lehtë përballjen me uzurpatorin. 

“Ngase i njëjti është i dënuar me një vit burg. Pra, është shpallur fajtor për uzurpim të pronës. AKP është gjithmonë e gatshme të ndihmojë pronarin e ri në suaza të kompetencave ligjore dhe autorizimeve”, tha Ylli Kaloshi, zyrtar i lartë për marrëdhënie me komunikim në AKP. 

Presidenca nuk zbulon arsyet e faljes së Turkajt

Presidenca e Kosovës ende nuk ka bërë të ditur arsyet se cilat ishin kriteret që Haki Turkaj plotësoi për të mos vuajtur pjesën tjetër të dënimit. 

“…Prej këtyre propozimeve (441 kërkesave) janë zgjedhur vetëm 4 persona kryes të veprave penale që konsiderohen të lehta dhe që kanë pasur dënime më të ulëta si dhe që i kanë plotësuar kushtet ligjore për t’iu falur pjesërisht dënimi”, thuhet në përgjigjën e Presidencës së Kosovës për Gazetën Jeta në Kosovë.

Informatat lidhur me të dënuarit Presidenca i mbledh përmes Ministrisë së Drejtësisë, bazuar në ligjin për falje. 

Një ndër rrethanat kryesore që duhet të merret parasysh nga Presidenca gjatë shqyrtimit të kërkesave për falje është “rreziku i recidivizmit” apo i përsëritjes së veprës penale, bazuar në paragrafin 2.2 të nenit 5 të ligjit për falje. 

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi më 3 korrik të këtij viti nga Presidenca e vendit qasje në raportet vlerësuese të komisionit për falje të emëruar nga Presidentja Atifete Jahjaga. 

Presidenca ende nuk ka lejuar qasje në raportet që tregojnë se cilat janë kushtet ligjore për falje që plotësoi Haki Turkaj dhe tre tjerët më 15 korrik të këtij viti. 

Presidenca njoftoi se refuzon qasjen bazuar në nenin 12 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike që kufizon transparencën me qëllim të mbrojtjes së “diskutimeve brenda apo ndërmjet institucioneve publike lidhur me shqyrtimin e ndonjë çështje”. 

Gazeta ka bërë ankesë në këtë vendim të Presidencës, por ky institucion nuk i është përgjigjur ankesës në afatin ligjor prej shtatë ditësh, siç e obligon i njëjti ligj për Qasje në Dokumente Publike.

Historia gjyqësore e Turkajt 

Në maj të vitit 2011 Turkaj kishte nisur një aksion për pastrimin e terrenit në zonën ku operon Kosova Parku. 

Ai pastroi terrenin nga mbeturinat, preu drunjtë dhe groposi gurë të çmueshëm të llojit mermer afër burimit të ujit termal që përdoret për rehabilitim në Banjë të Pejës. 

Gjykata Komunale në Istog më 6 shtator të vitit 2011 shpalli fajtor Turkajn për pushtim të kundërligjshëm të pronës së Banjës së Pejës dhe e dënoi atë më një vit burgim. 

“I pandehuri duke qenë në dijeni se nuk është pronar i patundshmërisë në fjalë, ka bërë groposjen e gurit të çmueshëm të llojit mermer dhe i njëjti nuk pranon ti ndërpres groposjet edhe pse një gjë e tillë i është kërkuar nga ana e AKP e cila administron me Entin në fjalë” shkruan në aktvendim. 

Më 23 shtator 2011, shtatëmbëdhjetë ditë pasi që gjykata e Istogut e shpalli fajtor Haki Turkaj kishte parashtruar ankesë kundër vendimit të gjykatës.

Në ankesën e tij Turkaj, konsideron se aktgjykimi është i pa bazuar dhe i kundërligjshëm.

“Dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm, kundërthënës në brendinë e tij dhe me arsyetim të varfër. Në arsyetimin e aktgjykimit mungojnë arsyet për faktet vendimtare. Vetë arsyetimi është kontradiktor, i pakuptueshëm prandaj edhe i pa përshtatshëm për vlerësim”, shkruan në ankesën e Turkajt.

Në ankesë Turkaj ka përmendur se në këtë çështje ka qenë duke u zhvilluar kontesti pronësoro- juridik pranë dhomës së veçantë të gjykatës supreme të Kosovës që merret me rastet që kanë të bëjnë me privatizim.

“Kontest ky i cili ende nuk ka përfunduar dhe është absurde që të flitet për ekzistimin e veprës penale” , thuhet në ankesën e Turkajt.

Më 11 maj 2012 gjykata e qarkut në Pejë, refuzoi ankesën që Turkaj kishte bërë ndaj vendimit të gjykatës së Istogut që e dënoi atë me një vit burg, si ankesë të pabazuar.

Në këtë refuzim thuhet se edhe pse Turkaj kishte parashtruar ankesë për shkelje të dispozitave të procedurës penale, ai nuk kishte theksuar konkretisht se për cilat shkelje behej fjalë.

“.. edhe pse lidhur me këtë është iniciuar procedura pranë Dhomës së Posaçme në Gjykatën Supreme, nuk i jep të drejtë të pandehurit që të ndërmerr veprime arbitrare pa u vendosur dhe pa u përfunduar një procedurë e tillë”.

“Andaj pretendimet e të pandehurit janë të orientuara për gjetjen e ndonjë mënyrë për t’iu shmangur përgjegjësisë penale të tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Qarkut.

Supremja refuzon ankesën e Turkajt 

Gjykata Supreme e Kosovës më 29 shtator të vitit 2012  refuzoi kërkesën e mbrojtësit të Haki Turkajt për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit. 

Mbrojtësi i tij, avokati Kolë Krasniqi, kërkonte zëvëndësimin e dënimit me burg në dënim me kusht. 

Në kërkesën drejtuar Supremes thuhet se i gjykuari nuk ka të kaluar kriminale, është familjar, dhe se bashkë me bashkëshorten e tij i nënshtrohen kontrollave sistematike të mjekut. 

Bazuar në këtë kërkesë, Turkaj është shtetas zviceran dhe shfrytëzon pension nga ky shtet si dhe është themelues dhe financues kryesor i klubit futbollistik  “Banja”. 

“Në kontekst kohor të veprës së padashur penale për të cilën pendohet dhe kërkon falje, [Haki Turkaj] e ka pastruar tërë lagjën nga mbeturinat e hedhura, që kumbonin erë të rëndë, dëmtonin ambientin dhe kërcënonin seriozisht shëndetin e qytetarëve”, thuhet në kërkësë.

Por, Supremja nuk morri parasysh këto rrethana. 

“Këto rrethana, edhe pse nuk kanë qenë të njohura më parë për gjykatat, sipas vlerësimit të kësaj Gjykate nuk janë të natyrës së tillë që të merren si bazë për zbutjen e dënimit të dhënë me aktgjykimin e formës së prerë, çka do të thotë se vendimi për dënimin e shqiptuar, edhe kur merren parasysh  rrethanat e përmendura më sipër, është i drejtë dhe i bazuar në ligj”, thuhet në vendimin e Supremes. 

Ndërkohë, dy muaj më pas, më 14 nëntor të vitit 2012, Haki Turkaj u pranua në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku filloi vuajtjen e dënimit. 

“Data e pranimit është 14 nëntor 2012,  kurse me Dekret – falje te Presidentit ju ka falur pjesa e mbetur e dënimit i cili është liruar me datën 19 shkurt 2013” thuhet në përgjigjen përmes postës elektronike të Sektorit për Operativ të Shërbimit Korrektues të Kosovës.