Kryetari i Istogut u Ndërmjetësoi Biznesmenëve

Një kompani hoteliere e ngritur në pronë të ndërmarrjes shoqërore Banja e Pejës ishte regjistruar si biznes në Ministrinë e Tregtisë në vitin 2003, por operimi i saj u vërejt nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek pas tetë vitesh. 

AKP-ja në maj të vitit 2011 konstatoi se biznesi Kosova Park, që ishte në pronësi të Haki Zymer Turkajt, kishte uzurpuar 6.7 hektarë të sipërfaqes së përgjithshme prej mbi 26 hektarësh të ndërmarrjes shoqërore Banja e Pejës.

Biznesmeni u denoncua në prokurori nga AKP-ja dhe u dënua me 1 vit burg nga gjykata komunale e Istogut. 

Por, përkundër dënimit të Haki Turkajt, biznesi vazhdoi operimin. Tash Kosova Park, biznes i shërbimeve hoteliere, është në pronësi të Visar Turkajt. 

Banja e Pejës u privatizua në fund të muajit prill dhe kaloi në pronësi të Xhevdet Soshit, një prej pronarëve të kompanisë “Intering”. Shoshi është ish-ortaku i Dino Asanajt ish-kryetarit të bordit të AKP-së në fshatin amerikanë në Prishtinë.

Në pronësi të biznesmenit Shoshi nga AKP-ja u kalua edhe pjesa që shfrytëzohet nga biznesi Kosova Park, që shtrihet përgjatë parcelës 98/1 të Banjës së Pejës.

Xhevdet Shoshi, Pronar i Banjës së Pejës | Foto:Gazeta Jeta në Kosovë

“E kemi paditur këtë biznes për uzurpimi e pronës. Po presim që gjykata ta kryej punën e saj”, thotë Xhevdet Shoshi në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por, para se ta padiste në gjykatë, ai thotë se ka provuar që të arrihet një marrëveshje jashtë-gjyqësore. Nisma ka dështuar. 

Shoshi thotë t’i ketë ofruar Kosova Park-ut mundësinë që të blejë maksimum 20 ari – nga 3 mijë euro secili. 

Kjo sipas tij ishte refuzuar nga udhëheqësit e këtij biznesi që operon në pronë të tij.

Ndërmjetësimi i kryetarit

Përgjatë kohës sa dy bizneset zhvillonin negociata dhe para se Shoshi të ngriste padi kundër Kosova Park-ut në rolin e ndërmjetësit ishte angazhuar edhe Haki Rugova kryetar i Istogut në territorin e të cilit gjendet “Banja e Pejës”.

“Nuk është hera parë që mundohem t’i pajtoj biznesmenët e zonës tonë.”, thotë Rugova për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Rugova njëherësh është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai thotë se Haki Turkaj i kishte kërkuar që të takohej. 

Rugova thotë se Turkaj i kërkoi që të fliste me Shoshin që ai të mos e çonte çështjen në gjykatë dhe të pajtohej për të arritur një marrëveshje jashtë-gjyqësore.

Kryetari i Istogut vlerëson nuk ka bërë veprim të keq ndonëse ndërmjetësoi në një konflikt mes dy biznesmenëve ku njëri prej tyre ishte dënuar nga shteti për uzurpim të pronës shoqërore. 

“Mendoj që këtë punë e kam bërë në mënyrë private… S’kam menduar që jam si kryetar i komunës aty, por si Haki Rugova vetë”, thotë ai.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që mbikëqyrë komunat nuk komentoi veprimin e kryetarit të Istogut kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë. 

Ndërkaq Shoshi pranoi se kryetari i Istogut e takoi atë për të ndërmjetësuar për një zgjidhje mes palëve. 

Visar Turkaj që figuron si pronar i Kosova Park-ut, thotë se ndërmjetësimin mes tij e Shoshit nga ana e Haki Rugovës e iniciuan familjarët e punëtorëve që punojnë në Kosova Park.

Sipas tij, familjarët e punëtorëve janë të shokuar me qëndrimet e Shoshit që nuk ofron një zgjidhje me të cilët mund të pajtohet edhe Kosova Park.

“…Gjithashtu kanë qenë të shokuar që mund të humbin një ndërmarrje që punëson mbi 38 punëtorë, të gjithë të kësaj ane, që ndikon në zhvillimin ekonomikë të këtij vendi”, thotë Turkaj. 

Ai thotë se vetë personalisht nuk ka ndonjë raport të veçantë me kryetarin Haki Rugova. 

“ Raportin tim me z. Haki Rugova nuk e kisha veçuar nga raportet me qytetarët tjerë”, thotë ai. 

Pronari i Kosova Park-ut deklaron se biznesi po operon në pronën e gjyshit të tij dhe se nuk ka uzurpuar pronë shoqërore.

“..Ne nuk operojmë në pronën e Banjës së Pejës, por ne kemi vepruar dhe punuar në pronën e gjyshit tim, për të cilën nuk kemi mundur para gjykatës ta vërtetojmë pronësinë tonë, me dokumente” , thotë Turkaj.

Ai thotë se të gjithë banorët e zonës e dinë që prona ku është ngritur Kosova Park është e gjyshit të tij dhe se atij i ishte marrë me dhunë nga pushteti serb. 

“Kontratat që i kishim për pronën në fjalë, janë djegur nga lufta e zhvilluar në Kosovë, ku është djegur edhe shtëpia”, thotë ai. 

 Visar Turkaj, pronar i Kosova Park-ut. | Foto: Facebook

“Sidoqoftë ne vendimet e gjykatës i respektojmë, edhe nëse nuk pajtohemi me to”, shton Turkaj. 

Ai thotë se është i gatshëm që t`ia paguajë  Shoshit pronën në të cilën operon apo që t’i japë tokë tjetër si kompensim. 

AKP shqetësohej nga punimet afër burimit të ujit 

AKP-ja u njoftua në maj të vitit 2011 nga menaxhmenti i ndërmarrjes shoqërore se një pjesë e pronës është e uzurpuar dhe se një biznes privat po vazhdonte të ndërtonte në pronë shoqërore. 

Ylli Kaloshi, zyrtar për marrëdhënie me publikun në AKP, thotë se verifikimi në terren nga ana e agjencisë së privatizimit çoi në konludimin se Kosova Park ishte ngritur kundërligjshëm. 

Bazuar në të dhënat e kësaj agjencie, drejtues të Kosova Park-ut në maj të vitit 2011 i kërkonin AKP-së që të përjashtonin nga privatizimi ngastrën ku ishte ngritur biznesi pasi që pretendonin se ishte pronë private e tyre. 

AKP refuzoi kërkesën dhe dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Komunale në Pejë ndaj Haki Zymer Turkajt. 

Më 16 qershor të atij viti AKP-ja i dërgoi letër kryetarit të Gjykatës Komunale të Istogut ku i kërkonte që të përshpejtonte shqyrtimin e kësaj lënde. 

AKP-ja në arsyetimin e kërkesës për përshpejtim thoshte se “punimet janë bërë afër burimit të ujit gjë që për AKP-në është frikësuese që këto punime mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme për sa i përket burimit të ujit”. 

Më 6 shtator 2011, gjykata komunale në Istog shpalli fajtor Haki Turkajn për uzurpim të pronës shoqërore. 

Më 11 maj të vitit 2012 Gjykata e Qarkut në Pejë refuzoi si të pabazuar ankesën e Turkajt.