Ilustrim

I Bashkakuzuari i Limajt Përfitoi nga ish-MTPT

Një kompani private me bazë në Pejë ishte themeluar tetë muaj pas mandatimit të Fatmir Limajt në postin e ministrit të transportit e postë-telekomunikacionit në janar të vitit 2008. 

Kompania “ITK” do të lidhte më vonë kontrata publike me ministrinë e drejtuar atëkohë nga nënkryetari i fuqishëm i partisë në pushtet.

Gjatë kohës sa Limaj ishte ministër më 2009 e 2010 kompania doli fituese në tri lote (pjesë) tenderësh vlera e përbashkët e të cilëve është mbi 976 mijë euro. 

MTPT-ja angazhoi kompaninë në tenderët e kryerjes së punimeve të sinjalizimit në rrugët magjistrale e regjionale, që përfshijnë vendosjën e shenjave të trafikut rrugor. 

“Kjo (dhënia e tenderëve) ka qenë çështje e administratës-prokurimit e jo e ministrit. Endrit Shala

Pronar aksionesh në kompaninë  I.T.K Sh.P.K  (International Traffic Kosova) është edhe Besim Shurdhaj, një i bashkë-akuzuar me Fatmir Limajn për krime lufte në rastin Kleçka, proces gjyqësor që pritet të përfundojë në shtator të këtij viti. 

Shurdhaj më 2010 ishte bërë hisedar i 33.33 për qind aksioneve në kompani pas një marrëveshje për faljën e aksioneve me vëllain e tij Fadil Shurdhajn i cili posedonte këto aksione që nga viti 2008.

Fatmir Limaj e Besim Shurdhaj, që të dy me origjinë nga fshati Banjë e Malishevës, po mbahen në arrest shtëpiak me vendim të Gjykatës së Apelit të nxjerrë më 15 korrik të këtij viti. 

Limaj dhe të tjerët në këtë rast akuzohen për krime të luftës ndaj serbëve dhe shqiptarëve në një qendër burgimi në fshatin Kleçkë, në vitin 1999.

Ndaj Limajt është ngritur edhe aktakuzë për korrupsion ku përfshihen edhe dy vëllezër të tij dhe  ish-shefi i kabinetit në MTPT. Limaj në të dy rastet dhe Shurdhaj në rastin Kleçka janë deklaruar të pafajshëm.

Ish-ministri akuzohet se zhvillonte takime personale me operatorë ekonomikë derisa tenderët ishin në vazhdim dhe për marrje ryshfeti. 

Tomë Gashi avokat i Limajt dhe Artan Qerkini avokat i Besim Shurdhajt pohojnë se klientët e tyre nuk mund të komentojnë për tenderët e Ministrisë së Transportit për shkak të kufizimeve që kanë nga mbajtja në arrest shtëpiak. 

Atyre nuk iu lejohet komunikimi me media, thanë avokatët.

Ndërkaq Endrit Shala, shef i kabinetit në MTPT në vitet 2008-2011, thotë se Limaj nuk ishte marrë asnjëherë me tenderë gjatë kohës sa ishte ministër.  

“Kjo (dhënia e tenderëve) ka qenë çështje e administratës-prokurimit e jo e ministrit”, tha Shala. “Për këtë… përgjigje mund të  japë departamenti kompetent – departamenti i prokurimit. Ky departament është përgjegjësi i vetëm për përcaktim të kritereve, për vlerësimin dhe dhënien e kontratës”.

Ministria e infrastrukturës (pasardhëse e ministrisë së transportit e postë-telekomunikacionit) nuk dha përgjigje lidhur me këtë çështje përkundër se zyra e informimit e saj pohoi se është duke u bërë përgatitje për të dhënë një qëndrim zyrtar. 

“Ministria e Transportit gjatë udhëheqjes nga Limaj kishte kontraktuar edhe kompani tjera që ishin në pronësi dhe që përfaqësoheshin nga miq të ish-ministrit.

Ministria e Transportit gjatë udhëheqjes nga Limaj kishte kontraktuar edhe kompani tjera që ishin në pronësi dhe që përfaqësoheshin nga miq të ish-ministrit.

Prishtina Insight, gazeta simotër në anglisht, raportoi në prill të vitit 2010 se ministria e transportit kishte lidhur një kontratë në vlerë prej 11 milionë eurove me kompaninë nga Shqipëria, Delia Group. Kontrata e lidhur në korrik të vitit 2009 parashihte ndërtimin e segmentit 5 kilometërsh të rrugës kryesore që lidh aeroportin me qytetin perëndimor të Pejës. Haxhi Shala, mik i Limajt, figuronte si person i autorizuar i kësaj kompanie. 

Po ashtu një kompani nga Malisheva ishte pjesë e konzorciumit fitues të tenderit të MTPT-së në vlerë prej 4.5 milionë eurosh për ndërtimin e rrugës Arllat-Xërë, në rajonin e Malishevës. 

 “Patroni” pronë e Habib Morinës ishte pjesë e konzorciumit në shtator të vitit 2008. Morina ishte gjithashtu nga Malisheva dhe mik i Limajt. 

Tenderët e fituar nga kompania ITK

Fillimisht kompania u shpalll fituese më 13 gusht të vitit 2009 në tenderin  “Sinjalizimi në rrjetin rrugor magjistral dhe regjional të Republikës së Kosovës”.

ITK fitoi lotin e parë dhe të tretë të tenderit nga gjithsejtë gashtë sa kishte. Loti i parë kishte vlerën prej 339 mijë e 636 eurosh ndërsa loti i tretë kishte vlerën e 363 mijë e 974 eurove.

Kompania ITK ishte në konzorcium “Alu Co”, me bazë Sarajevë. Kompania nga Sarajeva nuk ktheu përgjigje kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë se si ishte bërë pjesë e konzorciumit me kompaninë me bazë në Pejë.

Në këtë përiudhë kohore aksionarë në kompaninë ITK ishte Fadil Shurdhaj vëllai i Besim Shurdhajt. 

Fadil Shurdhaj është kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai nuk dha përgjigje lidhur me projektet e Ministrisë së Transportit ku kompania u përfshi gjatë kohës sa ai ishte aksionar. 

Bazuar në dokumentet që Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar nga Agjencia për Regjistrimin e Biznesit të Kosovës (ARBK) në këtë kompani private me bazë në Pejë kishte pasur ndryshime të aksionarëve. 

Struktura e aksionarëve të kompanisë “I.T.K” SH.P.K me bazë në Pejë do të ndërronte në shtator të vitit 2008, një muaj pas regjistrimit të saj në ARBK.

“Në këtë përiudhë kohore aksionarë në kompaninë ITK ishte Fadil Shurdhaj vëllai i Besim Shurdhajt. 

Fillimisht aksionarë të kompanisë ishin Ernes Nimoni dhe Nazmi Grabovci. Nimoni do të tërhiqej nga aksionet dhe në shtator do të futej Fadil Shurdhaj.

Kjo ishte bërë nëpërmjet një marrëveshje për falje të aksioneve në mes të hisedarëve. Marrëveshjet e tilla janë të lejueshme nga Agjencia për Regjistrimin e Biznesve.

Fadil Shurdhaj më 17 shtator 2010 do të ia falte aksionet vëllait të tij Besim Shurdhajt. Ai kishte 33.33 për qind të aksioneve në kompani. 

Aktualisht Besim Shurdhaj, Visar Muriqi dhe Nazmi Grabovci janë aksionarë të barabartë në kompani me nga 33.33 për të aksioneve në “ITK”. 

Grabovci është drejtor menaxhues, Muriqi drejtor për menaxhimin e financave ndërsa Shurdhaj ka pozitën e drejtorit për hulumtimin e tregut afarist.

Një javë pas bartjës së aksioneve ndërmjet vëllezërve Shurdhaj kompania ITK do të fitonte në një tenderë tjetër të MTPT-së më 24 shtator të vitit 2010.

Kompania fitoi lotin e tretë në vlerë prej 272 mijë e 833 eurosh të tenderit – “Sinjalizimi vertikal dhe horizontal në rrjetin rrugor nacional dhe regjional të Republikës së Kosovës”.

Tenderi ishte i ndarë në 6 lote dhe kishte vlerën e përgjithshme prej 1 milionë e 400 mijë eurosh.

Kompania nuk komentoi lidhur me tenderët e fituar nga autoritetet publike.

Visar Muriqi, një prej pronarëve të saj, thotë se “kompania nuk dëshiron të komentojë për këtë çështje”. 

Auditori kritikon ministrinë për favorizim të ITK-së 

Për herë të tretë kompania do të shpallej fituese më 1 nëntor të vitit 2011 për lotin e katërt të tenderit “Sinjalizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve në rrugët magjistrale dhe rajonale të Kosovës për vitin 2011-ndarë në tetë lote”.

Kompania ITK fitoi lotin 4 në vlerë prej 194 mijë e 3 eurove. Vlera totale e tenderit që ishte i ndarë në tetë lote ishte mbi 1 milionë e 80 mijë euro.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin për vitin 2011 konkludoi se ministria e infrastrukturës nuk kishte shpërblyer me tender ofertuesin me çmimin më të ulët edhe përkundër që ishte kriter për dhënie kontrate.

Kjo ishte vërejtur tek loti i katërt i tenderit për sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në rrugët magjistrale dhe rajonale të Kosovës për vitin 2011.

Auditori konkludoi se loti i katërt i kontratës ishte nënshkruar me kompaninë që kishte ofruar çmimin në vlerë prej 194,003 eurosh ndërsa oferta me çmim më të ulët ishte në vlerë 155,378 euro.  

“Vlera e përgjithshme e këtij tenderi të ndarë në 8 llote ishte mbi 770 mijë euro.

Në raport nuk figuron se ministria e infrastrukturës ka dhënë përgjigje për këtë gjetje të auditimit.ZAP publikon në çdo raport komentet e institucioneve që kundërshtojnë gjetjet e auditimit. Ministria e infrastrukturës nuk dha përgjigje as kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë. 

Megjithatë kompania kishte vazhduar të fitonte nga prokurimet publike duke u shpallur fituese më 26 shtator të vitit 2012 në tenderin “Sinjalizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitin 2012”. Kompania fitoi lotin e tretë në vlerë prej 11 mijë eurosh dhe të pestë në vlerë prej 89 mijë e 108 mijë eurosh.

Vlera e përgjithshme e këtij tenderi të ndarë në 8 llote ishte mbi 770 mijë euro.

Kompania po ashtu doli fituese këtë vit, më 11 qershor, në tenderin për sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Republikës së Kosovës.

Kompania fitoi lotin 1,2,3 dhe 5 nga tetë sa kishte. Vlera e përgjithshme e tenderimit ishte 1 milionë e 500 mijë euro.

Njoftimi për dhënie kontrate bëri publike vetëm çmimet për njësi të ofruar nga kompanitë që kishin konkurruar dhe jo edhe vlerën e përgjithshme të kontratës.