Bankat e Fuqishme Nuk Tregojnë a Mbështesin Axos-in

Rregullat e tenderit për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës obligojnë që blerësi i saj – konsorciumi “ACP Axos Capital GmbH” dhe “Najafi” – të kryejnë pagesën deri në fund të shtatorit të vitit 2013.

Kontrata e shitblerjes së aksioneve me fituesin e tenderit sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik duhet të nënshkruhet para datës 16 korrik. 

“Kompania Axos ende nuk i ka transferuar mjetet financiare. Transferimi është i rregulluar me rregulla të tenderit. Mjetet do të barten në buxhetin e Kosovës në ditën e mbylljes së kontratës, nëpërmjet një llogarie të besuar të qeverisë së Kosovës dhe kompanisë”, pohon zyra për informim e ministrisë së zhvillimit. 

Ajo nuk përmend datën e mbylljes së kontratës por, sipas saj, konzorciumi ka afat të bëjë pagesën deri në fund të muajit shtator të këtij viti.

Kabineti i ministrave miratoi më 16 prill propozimin e komisionit ndërministror për ptk-në që rekomandonte për fitues konzorciumin “ACP Axos Capital GmbH – Najafi Companies”, e që kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve. 

Bazuar në ofertën e tij konzorciumi do të do të paguajë 277 milionët, nëse ndërmarrja publike do t’ia trashëgojë 35 milionë euro kesh. Në rast se në llogarinë e PTK-së nuk mbeten para, atëherë konzorciumi do t’i paguajë Qeverisë së Kosovës vetëm 244 milionë euro. 

Kompania lidere e konzorciumit “ACP Axos”, pas shpalljes fitues në prill të këtij viti,  paralajmëroi në faqen e saj zyrtare se do të bashkëpunojë me International Financial Institutions (IFI), Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Deutsche Investitions und Entwicklungsgesellschaft (DEG) e International Finance Corporation.

Jan Budden, drejtor menaxhues i  ACP Axos Capital GmbH, në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë kishte përmendur po ashtu se Banka Botërore e BERZH ishin në mesin e institucioneve financiare prej të cilave është kërkuar huamarrje. 

Kompanitë, në formën e “projekteve investuese”, marrin mbështetjen e bankave përmes kredive.

International Finance Corporation (IFC) është pjesë e Bankës Botërore dhe bazuar në faqen e saj zyrtare në Europën Perëndimore investon bashkërisht në projekte me IFI që përmendet në faqen zyrtare të Axos-it. 

Lotte Pang zyrtar në IFC pohoi për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk mund të komentojë projektet e mundshme të organizatës. 

“Jam i sigurt që ju jeni të njoftuar me kumtesën për media të vetë kompanisë (kumtesa e Axos që tregon për bashkëpunimin me IFI). Por, na vjen keq që nuk mund t’iu ndihmojmë më shumë në këtë fazë. Nëse ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e IFC-së atëherë do ta ndajmë me ju”, thotë Pang. 

Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim EBRD nuk pranoi të komentojë kur u pyet nëse do të mbështeste kërkesën e Axos për huamarrje ndërsa DEG nuk ktheu përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë. 

Po ashtu edhe vetë kompania Axos Capital GmbH nuk deshi të japë përgjigje kur u pyet nëse kishte marrë përkrahjen e IFC dhe EBRD dhe nëse kishte siguruar mjetet për të paguar Qeverinë e Kosovës. 

“Ne nuk jemi të gatshëm t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në këtë fazë kur procesi është i papërfunduar”, thotë Katja Derow, zyrtare për marrëdhënie me publikun në “Axos”. 

“Të gjitha pikat e ngritura nga ju janë pjesë e marrëveshjeve të mos-zbulimit dhe ne nuk mund t’i bëjmë publike”, shtoi Derow. “Sidoqoftë, pasi që të gjitha aspektet e transaksionit tashmë janë rregulluar më herët, ne jemi në rrugë të mirë”.

Drejtori menaxhues Budden pohonte në muajin prill të këtij viti se megjithatë një pjesë e madhe e mjeteve do të siguroheshin nëpërmjet entitetit të Axos-it në ishujt Cayman. 

“Aranzhimet financiare nga Axos Cayman për transaksionin e PTK-së, në vlerë prej mbi 250 milionë dollarësh, janë kontrolluar dhe miratuar gjatë procesit të parakualifikimit”, pohonte Budden. 

Me mijëra kompani nga e tërë bota operojnë entitete në ishujt Cayman. Ky territor britanik në zonën e Karaibeve nuk imponon tatim në të hyra të korporatave dhe nuk i bën publike madje as informatat bazike të kompanive, siç janë emrat e drejtorëve të kompanisë. 

Ishujt Cayman u kanë mundësuar kompanive që të operojnë me entitete të cilat kryesisht janë të themeluara në letër, për t’iu shmangur tatimeve miliardëshe, duke i kanalizuar profitet e veta përmes entiteteve të tilla vartëse.