Ilustrim

Dosja e Autostradës së Kombit në Prokurori

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 24.06.2013

Makineritë e konzorciumit amerikano turk “Bechtel-Enka” në maj të vitit të kaluar kishin arritur në seksionin e pestë të autostradës, i gjatë mbi 18 kilometra e që përfshin pjesën përreth Malishevës prej Qafës Duhlës deri në Gjurgjicë. 

Derisa zhvilloheshin punimet në këtë seksion hetuesit e misionit europian për sundim të ligjit, Eulex, po merrnin në Prishtinë në ministrinë e infrastrukturës dokumentet që tregonin mënyrën e kontraktimit të këtij konzorciumi nga Qeveria e Kosovës. 

Departamenti i prokurimit i ministrisë, më 10 maj të vitit të kaluar, njoftonte Eulex-in nëpërmjet një shkrese se dorëzonte dosjet e kërkuara nga ky mision më 29 mars të vitit 2012. 

“Në bazë të kërkesës suaj…ju dorëzojmë kopjet e dosjes së parë të tenderit me numër rendor prej 1-371 dhe dosja e dytë me numër rendor prej 1-317 ‘Ndërtimin, Mbikëqyrjen dhe menaxhimin e rrugës nr. 7 (Autostrada Morinë-Merdare)”, thuhet në shkresën e departamentit drejtuar Eulex-it e që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë. 

Përfshirjen nën hetime të tenderit ndërtimin e autostradës, investimit më të madh publik të Qeverisë së Kosovës, e ka konfirmuar edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës. 

ZAP auditoi projektet e ministrisë së infrastrukturës të realizuara gjatë vitit 2012 por nuk e bëri të njëjtën për projektin e ndërtimit të autostradës Morinë-Merdare. 

“Zyra e auditorit të përgjithshëm deri më tani nuk ka audituar kontratën e Qeverisë me Bechtel&Enka për ndërtimin e autostradës. Një gjë e tillë nuk është bërë për arsyen se ajo po hetohet nga prokuroria”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, Qëndresa Mulaj, zyrtare për media.  

“Zyra e auditorit të përgjithshëm deri më tani nuk ka audituar kontratën e Qeverisë me Bechtel&Enka për ndërtimin e autostradës. Qendresa Mulaj

ZAP nuk ka specifikuar nëse hetimet po i kryen misioni Eulex apo prokuroria e shtetit  e republikës së Kosovës.

Megjithatë, kontrata në mes të “Bechel&Enka” dhe Qeverisë së Kosovës e nënshkruar në prill të viti 2010 nuk u auditua asnjëherë nga Auditori i Përgjithshëm. 

Në raportin e publikuar në qershor të vitit 2011, që i referohej vitit financiar 2010, ZAP pohonte se nuk kishte audituar këtë projekt por se do ta bënte këtë në të ardhmen. 

“Ne nuk kemi audituar projektin e autostradës. Për shkak të rëndësisë së këtij projekti ne do të planifikojmë një auditim të veçantë për këtë projekt. Ne po ashtu nuk kemi testuar as lëndët që sipas MTPT-së ishin në procedurë hetimore në autoritetet relevante”, thuhet në raportin që i referohet vitit 2010 për Ministrinë e Transportit e Postë-Telekomunikacionit. 

Por, auditimi i këtij projekti nuk u bë as më 2011 e as më 2012. 

Në raportin që i referohet vitit 2011, ZAP raporti se nuk kishte bërë auditimin e autostradës por nuk kishte dhënë shpjegime se pse nuk ishte bërë kjo. 

“Ne nuk kemi audituar (testuar) lëndët që sipas MI-së ishin në procedurë hetimore nga EULEX-i dhe drejtoria për krime ekonomike. Nuk e kemi audituar as autostradën”, thuhet në raportin e ZAP-it për vitin 2011. 

Raporti nuk precizonte nëse edhe kontrata me autostradën ishte që atëherë nën hetime penale. 

Bechtel-Enka mohon se gjendet nën hetime

Eulex-i dhe prokuroria e shtetit nuk komentuan gjatë javës së kaluar konfirmimin e hetimeve të tenderit për ndërtimin e autostradës nga Auditori i Përgjithshëm. 

Misioni evropian në maj të këtij viti kishte mohuar se po zhvillonte hetime për këtë tender. 

“Asnjë nga prokuroret e EULEX-it nuk e ka një rast të tillë”, thoshte Blerim Krasniqi, zyrtar për media në këtë mision, për Gazetën Jeta në Kosovë.  

“Asnjë nga prokuroret e EULEX-it nuk e ka një rast të tillë. Blerim Krasniqi

Eulex-i demantonte deklarimin e deputetit të LDK-së, Ali Sadriu, që udhëheq komisionin parlamentar për menaxhimin e financave publike. 

“Shtatë kontrata kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës janë nën hetim të EULEX-it. Përfshirë edhe kontratën e autostradës ‘Ibrahim Rugova’”, thoshte Sadriu në emisionin “Puls” të KTV-së, transmetuar në maj. 

“Bechtel&Enka” thotë se nuk janë kontaktuar ndonjëherë nga hetuesia për kontratën e tyre me qeverinë  e Kosovës.

“Bechtel-Enka fitoi kontratën nga ministria e transportit dhe postë-telekomunikacionit në përputhje të plotë me rregullat e prokurimit”, thotë Ela Ruqi zëdhënëse e konzorciumit Bechtel-Enka. “Fokusi i ynë është në ofrimin e suksesshëm, të sigurt të një autostrade moderne për njerëzit e Kosovës”.

Ruqi pohon se projekti po ndihmon në zhvillimin e ekonomisë lokale në Kosovë me përfshirjen e rreth 700 kompanive vendore si nënkontraktues. 

“..Projekti ka fituar çmime të shumta ndërkombëtare për menaxhim dhe përsosmëri të ndërtimit”, thotë Ruqi.  

“Shtatë kontrata kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës janë nën hetim të EULEX-it. Përfshirë edhe kontratën e autostradës ‘Ibrahim Rugova’ Ali Sadriu

Në njoftimin për dhënie kontrate të shpallur nga qeveria e Kosovës më 2010 thuhet se oferta e konzorciumit fitues është 659.8 milionë euro. 

Në shumën e ofertës nuk përfshihen edhe shuma që mund të paguhet për punët shtesë që lejohen me ligjin e prokurimit publik.

Ministria e financave pohoi javën e kaluar se deri më tash “Bechtel&Enkas” për punët e kryera i janë transferuar në llogarinë e saj 658,2 milionë euro. 

Mbikëqyrësit e Bechtel-Enkas nën hetime 

Një shkresë tjetër e departamentit të prokurimit të ministrisë së infrastrukturës drejtuar Eulex-it sugjeron se hetimet kanë nisur edhe ndaj tenderit për angazhimin e mbikëqyrësit të kompanisë Bechtel-Enka gjatë ndërtimit të autostradës. 

Më 6 korrik të vitit 2012 ministria e infrastrukturës i dorëzonte Eulex-it, siç përshkruhet në letër, “një pjesë të dosjes së tenderit për mbikëqyrjen e ndërtimit dhe shërbimeve të menaxhimit – rruga 7 Autostrada Morinë-Merdarë”. 

Ministria e infrastrukturës nuk dha përgjigje lidhur me këtë rast e as për rastin e hetimeve të tenderit të autostradës. 

EULEX nuk komentoi javën e kaluar lidhur me shkresat e dorëzuara nga ministria e infrastrukturës. 

As kompania “Hill International” me bazë në Luksemburg nuk komentoi përmbajtjen e kësaj shkrese. Ajo ishte angazhuar nga Qeveria e Kosovës verën e vitit 2011 gati një vit e gjysmë pas nisjes së punimeve që zhvilloheshin pa mbikëqyrje. 

Kompania nënshkroi me Qeverinë e Kosovës një kontratë prej 6.95 milionë eurosh. 

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në nëntor të vitit 2011 se procesi për përzgjedhjen e kësaj kompanie u përshkrua me akuza për korrupsion nga konkurrentët që kishin humbur në garë dhe dyshime për mundësinë e konfliktit të interesit.  

“Do të ishte sfidë serioze se si Qeveria e Kosovës do të sigurojë qytetarët se kjo kompani do të mbikëqyrë në mënyrë objektive punimet në autostradë. Fidan Kalaja

Organizata Jo-Qeveritare “Fol” atëkohë pohonte se dy zëvendëspresidentë të kësaj kompanie në Amerikë, Robert L. Burnet dhe Mohamed A. El Zahabi, kanë punuar vite me radhë në korporatën amerikane “Bechtel”, e cila është kontraktuar për ndërtimin e autostradës. 

Hill International kishte bërë publik angazhimin e këtyre dy zyrtarëve në faqen e saj në internet.

 “Duke pasur parasysh këtë fakt, do të ishte sfidë serioze se si Qeveria e Kosovës do të sigurojë qytetarët se kjo kompani do të mbikëqyrë në mënyrë objektive punimet në autostradë”, pohonte Fidan Kalaja, menaxher në “Fol”.

Detaje të kontratës të zbuluara nga “Vetëvendosje” 

Qeveria e Kosovës nuk ka bërë ende publike kontratën që ka lidhur me konzorciumin amerikano-turk për ndërtimin e autostradës. 

Ndryshe ka vepruar në rastin e dhënies me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe të privatizimit të distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës kur ka bërë publike kontratat e lidhura me kompanitë private. 

Lëvizje opozitare “Vetëvendosje”, në maj të vitit 2011 rreth një vit pas angazhimit të Bechtel-Enka-s pohonte se publikonte kontratën e lidhur ndërmjet qeverisë dhe këtij konzorciumi. 

Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota në të njëjtën ditë nëpërmjet një konference shtypi vlerësonte se “Vetëvendosje” bazohej në dokumente anonime dhe se ajo nuk kishte bërë publike kontratën me “Bechtel-Enka-n”. 

“Ndër gjetjet më shqetësuese në kontratë: pagesat automatike për transferim të makinerisë në Kosovë, për mirëmbajtjen e saj, kthimin në vendin e origjinës, dhe kthimin e vetë punëtorëve të huaj. VV

Fatmir Limaj që udhëhoqi MTPT pasardhësen e MI-së në konferenca shtypi pohonte se kontrata nuk mund të nxirrej në publik për shkak të sekreteve afariste por, sipas tij, qeveria ishte e hapur që të lejonte të interesuarit që ta shohin kontratën me konzorciumin “Bechtel-Enka”. 

Megjithatë, “Vetëvendosje”, në një kumtesë shtypi  më 18 maj 2011 vlerësonte se përmbajtja e kontratës së autostradës ishte e dëmshme e shqetësuese.

“Ndër gjetjet më shqetësuese në kontratë shihen edhe pagesat automatike që i bëhen Bechtel-Enka për transferim të makinerisë në Kosovë, për mirëmbajtjen e makinerisë, kthimin e saj në vendin e origjinës, por edhe për kthimin e vetë punëtorëve të huaj të stacionuar në Kosovë”, thuhet në kumtesën e VV-së. 

“Shkelje të mëdha janë vërejtur edhe tek çmimet për njësi ku në rastet si të betonit, rërës apo zhavorrit, janë paraparë çmime disa herë më të larta se çmimet e tregut në rajon. Rëra paguhet me çmim 28 euro, ndërsa çmimi në treg është 10-13 euro, betoni paguhet me çmim rreth 180 euro ndërsa çmimi në treg është 75 euro”, thuhej në kumtesë. 

Konzorciumi Bechtel-Enka nuk bëri asnjëherë ndonjë reagim publik rreth pretendimeve të lëvizjes “Vetëvendosje”.