Kritikohen Kontratat Milionëshe të Policisë me Hib Petrol-in

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm raportoi për parregullsi në kontratat e furnizimit me karburante që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës lidhën me kompaninë “Hib Petrol” nga Ferizaj. 

Auditorët në raportin për MPB-në të publikuar në qershor e që i referohet vitit 2012 klasifikoi gjetjet si “Anashkalim i kushteve të kontratës gjatë pagesës së shpenzimeve për karburante”. 

Policia e Kosovës kishte shpenzuar gjatë vitit të kaluar karburante në vlerë prej 4 milionë e 11 mijë e 529 euro. 

Auditorët raportojnë se kontrata e lidhur mes palëve parashihte që policia për çdo muaj nga data 1 deri më datën 5 t’i dorëzonte operatorit çmimin kushtues të derivateve të naftës të muajit paraprak.  

“Anashkalim i kushteve të kontratës gjatë pagesës së shpenzimeve për karburante. Auditimi

“OE ka përllogaritur dhe ka kalkuluar vetë çmimin e berzës dhe në bazë të tij ka faturuar shpenzimet e karburanteve. PK ka bërë pagesën e faturave në kundërshtim me kushtet e kontratës, derisa procesi i certifikimit nuk ka kontestuar këto pagesa”, thuhet në raportin e auditimit. 

Sipas auditorëve, ekzekutimi i pagesave në kundërshtim me kushtet e kontratës krijon mundësinë që të paguhen faturat me çmime më të larta sesa ato të kontraktuara dhe si rrjedhojë mund të ndikojnë në dëmtimin e buxhetit. 

“Menaxhmenti duhet të sigurojë se funksioni i çertifikimit të pagesave do të verifikojë të gjitha kushtet e kontratës, dhe vetëm pas plotësimit të të gjitha kushteve ligjore pagesat do të certifikohen”, thuhet në rekomandimin  e auditorëve për këtë rast.

Kujtim Bucaliu drejtor gjeneral në Hib Petrol mohon konstatimet e auditorëve. 

“Unë nuk e di çfarë kanë shkruar ata (auditorët) në raport, por përllogaritja e çmimit bëhet nga Policia e Kosovës e asnjëherë nuk bëhet nga ne”, thotë Bucaliu. 

Bucaliu thotë se kjo është kontrata e tretë që “Hib Petrol” ka lidhur me policinë.  

“Unë nuk e di çfarë kanë shkruar ata (auditorët) në raport, por përllogaritja e çmimit bëhet nga Policia e Kosovës e asnjëherë nuk bëhet nga ne.Kujtim Bucaliu

Kompania, sipas tij, ishte kontraktuar më 2006 për një periudhë dyvjeçare.  

Kontrata e dytë u lidh më 2009 dhe vazhdoi deri më 2011 ndërsa kontrata e fundit u lidh më 2011 dhe do të zgjasë 36 muaj deri më 2014. 

Edhe zëdhënësi i Policisë Baki Kelani pohon se kompania private nuk ka bërë asnjëherë llogaritjen e çmimit të naftës. 

“Kalkulimi i çmimit të berzës nuk bëhet nga operatori ekonomik, ose më mire të themi nuk merret për bazë çmimi i operatorit ekonomik, por nga komisioni për kalkulimin e çmimit të berzës i cili caktohet me vendim të ZKA (Drejtori i Shërbimeve Mbështesë, data 6 maj 2011). E në ketë komision janë caktuar tre zyrtarë”, thotë Kelani. 

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në një përgjigje dhënë Gazets Jeta në Kosovë pohon se MBP-ja e Policia e Kosovës janë pajtuar zyrtarisht me të gjitha të gjeturat e prezantuara në raportin e auditimit. 

“Gjatë auditimit ne kemi parë se policia e Kosovës, përkatësisht komisioni për kalkulimin e çmimit, nuk kishte qasje në Berzë dhe ka marrë për bazë çmimin e ofruar nga operatori ekonomik ‘Hib Petrol’. Kjo e gjetur e prezantuar në raport është e mbështetur edhe me dokumentet e ofruara nga vetë institucioni i audituar”, thotë Qëndresa Mulaj, zyrtare për media në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm. 

Kontrata me MPB-në 

ZAP po ashtu raportoi për parregullsi edhe në kontratën e lidhur në maj të vitit 2012 mes “Hib Petrol” e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kontrata parashihte që kompania të dorëzojë një certifikatë të origjinës së furnizimeve.

Sipas raportit të auditivit, kodit doganor përcakton shpenzimet e transportit për një maune. 

Kodi doganor parasheh që me rastin e importimit të mallrave nga Greqia, për një maune 30,000 litrash paguhen 1,000 euro shpenzime të transportit, ndërsa për një maune nga Shqipëria dhe Maqedonia për shpenzimet e transportit paguhen 500 euro. 

“Testimet tona shpalosën se OE nuk kishte sjellë certifikatën e origjinës së furnizimeve me karburante. Auditimi

“Testimet tona shpalosën se OE nuk kishte sjellë certifikatën e origjinës së furnizimeve me karburante. Ai kishte faturuar duke kalkuluar shpenzimet e transportit në 0.0333 euro për litër, ose 1,000 euro për një maune. MPB nuk kishte marrë siguri të mjaftueshme se nga cili vend ishte origjina e furnizimeve me karburante”, thuhet në raport auditimi. 

Ministria e Punëve të Brendshme nuk komentoi gjetjet e auditimit as për këtë rast e as për kontratën e kompanisë private me Policinë e Kosovës. 

Bucaliu e vlerëson si të palogjikshme këtë gjetje të auditorëve. 

“Nuk e di unë çfarë ka dashur me nxjerrë auditori me këtë. Ne në dosje të tenderit e kemi këtë  obligim. Nuk mundemi me apliku pa e pas këtë certifikatë”, pohon Bucaliu. 

 “Oferta e tenderit nuk është valide nëse nuk e ke certifikatën e origjinës – ato shkojnë bashkë”, thotë ai. 

 Kontrata e dytë e HIB-it me policinë u pasua me aktakuzë 

Zyra për media e prokurorisë së shtetit njoftoi më 30 nëntor të vitit të kaluar se Prokuroria e Qarkut ka ngritur aktakuzë ndaj Fatbardh Xhaferit menaxher i kontratave në kompaninë “Hib Petrol” për veprën penale “Mashtrimi në detyrë”. 

Prokuroria e shtetit njoftoi se i pandehuri në vitin 2009 në tenderin “Furnizim me karburant” për Policinë e Kosovës kishte prezantuar ofertën e rreme me 0.00 fitim dhe kishte lidhur kontratë me të.

“Mirëpo, në bazë të çmimit të transportit mbi vlerën e tregut, në periudhën 07.04.2009-20.05.2010, ka realizuar përfitim material kundërligjor në shumë prej 153.917,41 eurosh në dëm të buxhetit të Policisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë. 

I akuzuari Xhaferi pohoi për Gazetën Jeta në Kosovë se Prokuroria nuk ka argumente se ka pasur shkelje ligjore në këtë rast dhe se ai do të dalë i pafajshëm. 

Lidhur me të njëjtën kontratë, Prokuroria e Qarkut një vit më herët, më 25 tetor të vitit 2011, akuzoi Xhevahire Vatoci, zyrtare e prokurimit në Policinë e Kosovës, se si kryetare e komisionit për vlerësim ka shpërdorur pozitën zyrtare duke e dëmtuar buxhetin e policisë për 280 mijë e 370 euro. 

Përveç kontratave me autoritete të sigurisë, kompania Hib Petrol ishte kritikuar nga auditorët edhe për kontratën që kishte lidhur me Postë-Telekomin e Kosovës në vitin 2009. 

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në mars të vitit të kaluar se PTK-ja kishte humbur rreth 200 mijë euro pasi kompania që e ka furnizuar me derivate të naftës për dy vjet, Hib Petrol, nuk e ka llogaritur çmimin sipas kritereve të kontratës duke llogaritur koston e transportit pesë herë më shumë se sa që në fakt aplikohet nga Doganat e Kosovës.