Konzorciumi Turk Rishqyrton Kontratat e Kompanive të Fuqishme

Konsorciumi turk Çalik-Limak, që mori nën menaxhim më 8 maj të këtij viti Rrjetin e Shpërndarjes dhe Furnizimit me Energji, nisi rishqyrtimin e kontratave të trashëguara nga Korporata Energjetike e Kosovës.

 Pronari i ri trashëgoi mbi 200 kontrata që KEK-u kishte lidhur me operatorë ekonomikë për shërbime të ndryshme.

 “Kjo po bëhet me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës dhe ofrimit të shërbimeve më të mira për konsumatorë”,  thotë Shega Shokdra, zyrtare e “Paper Comunication”, një kompania e angazhuar për marrëdhënie me publikun nga kompania e re KEDS.

 “…Kontratat janë duke kaluar në një proces të vazhdueshëm vlerësimi dhe rishikimi”, thotë Shkodra. 

 “Kontratat janë duke kaluar në një proces të vazhdueshëm vlerësimi dhe rishikimi.Shega Shokdra

Zyrtarë të Korporatës Energjetike pohojnë se Marrëveshja për Shitblerje të Aksioneve parasheh transferimin e kontratave tek blerësi i ri dhe bartjen e obligimeve për kontratat afariste të nënshkruara për nevoja të Divizionit të Shpërndarjes e Furnizimit me Energji Elektrike.

“Rrjedhimisht palët kontraktuese përfshirë edhe KEDS-in nuk janë të detyruar që të kontaktojnë KEK-un, si palë e tretë tani, rreth fatit të mëtejmë të kontratave respektive”, thotë Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv për shërbime në KEK.

Po ashtu edhe Njësia Implementuese e Privatizimit të KEDS-it konfirmoi se marrëveshja e shitblerjes së aksioneve parasheh transferimin e kontratave afariste njëjtë siç parasheh transferimin e kontratave të punëtorëve.

Numri i përgjithshëm punëtorëve nën menaxhimin e konsorciumit turk është rreth 2700.

Konzorciumi më 17 tetor 2012 nënshkroi marrëveshjen e shitblerjes me Qeverinë e Kosovës për asetet e distribucionit për të cilat pagoi 26 milionë e 300 mijë euro.

Pronari i kompanisë “Limak”, njërës prej anëtarëve në konzorcium, thoshte atë ditë se në 15 vitet e ardhshme do të bëhen investime në vlerë prej 300 milionë eurosh nga Grupi “Kosovo Çalik-Limak Energy”. Anëtari tjetër i konzorciumit, Çalik Holding, ka për kryeshef ekezekutiv dhëndrin e kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan raporti Gazeta Jeta në Kosovë në qershor të vitit të kaluar.

Megjithatë, kompania e privatizuar KEDS, nën menaxhim të konzorciumit turk, pohoi se tash për tash nuk ka asnjë pikë të ndryshuar në kontratat e trashëguara.

 “Është e natyrshme që duam të njoftohemi me kontraktuesit, të njoftohemi me shërbimet e tyre më detajisht si dhe me cilësinë e shërbimeve të ofruara pasi që objektiv i yni është që qytetarëve të Kosovës t’u ofrohen shërbime më cilësore”, thuhet në përgjigjën e kompanisë së privatizuar. 

“..kjo është e pamundur për arsyet e negociatave dhe të kushteve kontraktuale. KEDS.

Kompania pohon se pas rishikimit do të bëjë publike listën e kontratave të cilët janë rishikuar por njëherë nuk mund të zbulojë se cilat detaje kontraktuale po rishikohen.

“….kjo është e pamundur për arsyet e negociatave dhe të kushteve kontraktuale”, thuhet në përgjigjën e kompanisë KEDS.

Kontratat e trashëguara me kompanitë “Siguria” e “Hib Petrol”

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar disa kompani të cilat kohëve të fundit kanë lidhur marrëdhënie kontraktuale me KEK-un.

Njëra ndër to është edhe kompania e sigurimeve “Siguria”, një biznes i themeluar nga zëvendëskryeministri i parë i Kosovës Behgjet Pacolli.

Rrahim Pacolli, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Siguria”, thotë se kontratën me KEK-un e ka nënshkruar më 30 prill të vitit 2013 dhe se ajo ka kohëzgjatje deri më 29 prill të vitit 2014.

Sipas Pacollit, kompania e tij ofron shërbimin e sigurimit shëndetësor për 7 mijë e 532 punëtorë të KEK-ut.

Ndërsa, numri punonjësve për të cilët “Siguria” ofron sigurim shëndetësor në kuadër të KEDS-it është 2 mijë e 600.

Pacolli mohoi që deri tash të kenë marrë ndonjë paralajmërim për rishikim kontratash të punëtorëve që janë nën menaxhim të konsorciumit turk.

KEDS thotë se kontrata me kompaninë “Siguria” do të vazhdojë.

“Është vendosur që kontrata e trashëguar të vazhdojë dhe tani jemi në procesin e mbledhjes së informatave dhe detajeve personale të të punësuarve për të bërë sigurimin me këtë ndërmarrje”, thotë KEDS.

Zyra e Prokurimit në KEK konfirmoi se buxheti i ndarë për sigurime shëndetësore për punëtorët e KEDS-it për periudhë njëvjeçare ishte 451 mijë euro.

Kompani tjetër që kishte lidhur marrëdhënie kontraktuale me KEK-un është edhe “HIB Petrol”.

Kjo kompani kishte nënshkruar kontratë me KEK-un më 16 tetor 2012.

Kujtim Bucaliu menaxher në Hib Petrol thotë se kontrata është me kohëzgjatje prej 36 muajsh dhe parasheh furnizimin me derivate të naftës për automjete të KEK-ut.

“Kontrata përmban Derivate (EuroDiesel dhe EuroSuper) 98 për qind, si dhe vajra dhe lubrifikantë 2 për qind .Vajrat sigurohen nga partneri i konzorciumit Ballkan Petrol”, i tha gazetës Bucaliu. 

“Kontrata përmban Derivate 98 për qind, si dhe vajra dhe lubrifikantë 2 për qind.Kujtim Bucaliu

Zyra e Prokurimit e KEK-ut konfirmoi se kontrata me Hib Petrol-in peshon mbi 3 milionë e 900 mijë euro.

“Shpenzimet  për  Rrjetin e Distribucionit & Furnizimit nën këtë kontratë për 6 muajt e fundit janë: 780,902.40 euro”, thuhet në përgjigjën e Zyrës së Prokurimit.

Bucaliu pohoi se kontrata me KEK-un është e dyta që ka lidhur me këtë ndërmarrje.

Por kompania “Hib Petrol” nuk dha përgjigje kur u pyet se sa kontrata shtetërore ka lidhur deri më tash. Ajo del se përgjatë viteve bëri kontrata shtetërore në vlera  milionëshe.

Më 2009 kompania e naftës HIB lidhi një kontratë me PTK-në në vlerë prej 3.3 milionë eurosh.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në mars të vitit të kaluar se Njësia e Auditimit të Brendshëm e PTK-së kishte vërejtur parregullsi rreth pagesave që iu bënë kësaj kompanie nga ndërmarrja publike e Postë-Telekomit. 

Hib Petrol në vitin 2009 u kontraktua nga Policia e Kosovës për furnizim me derivate. 

Prokuria e Qarkut në Prishtinë në dhjetor të vitit të kaluar akuzoi Fatbardh Xhaferin zyrtar për kontrata në HIB për paraqitje të rreme të ofertës.

Prokuroria po ashtu akuzoi edhe Xhevahire Vatovcin zyrtare prokurimi në Polici për shpërdorim të detyrës zyrtare me qëllim të përfitimit të kompanisë “Hib Petrol” nga Ferizaj.

Kontrata me nipin e Lushtakut

Korporata Energjetike lidhi më 21 nëntor të vitit të kaluar kontratë për sigurim fizik të objekteve me konzorciumin e përbërë nga “Security Code” dhe “WDG”.

Zyra e Prokurimit konfirmoi se për një vit buxheti i ndarë për këtë kontratë është mbi 2 milionë e 700 mijë euro.

Kontrata për sigurim objektesh e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) e lidhur me konsorciumin “Security Code & WDG” ishte kundërshtuar ashpër nga kompania që konkurroi për të njëjtin tender “Besa Security”, e cila u radhit e dyta për nga pikët e marra.

Gazetës Jeta në Kosovë, në përgjigjen e marrë nga KEDS për këtë kontratë, i është thënë se ka proces të negocimit me konzorciumin “Security Code” e “WDG”.

“Kontraktuesit ‘Security Code and WDG’ do të vazhdojnë të kryejnë shërbime deri në datën e përfundimit të kontratës”, tha KEDS.

Në gusht të vitit të kaluar preportr.com raportoi se në kompaninë Security Code është aksionar Milazim Lushtaku, djali i vëllait të kryetarit aktual të Skënderajt, Sami Lushtaku.

Lushtaku kishte deklaruar se axha i tij Sami Lushtaku nuk i kishte ndihmuar për të fituar tenderë, por se ai kishte marrë punë publike për shkak të ofertave më të favorshme sesa konkurrentët tjerë.

Konkurrenti i kësaj kompanie “Besa Security” në tetor të vitit të kaluar ka ngritur padi në Gjykatën Supreme të Kosovës duke kërkuar rishqyrtimin e vendimit që shpall fitues konzorciumin e udhëhequr nga “Security Code”. 

“Përveç që nuk është bërë vlerësim korrekt i pikëve, konosrciumi që e ka fituar këtë tender nuk i plotëson as kushtet e kërkuara. Granit Hasani

Lënda e këtij rasti nga përfaqësuesit e “Besa Security” ishte dorëzuar edhe në EULEX, më 28 shtator 2012.

“Përveç që nuk është bërë vlerësim korrekt i pikëve, konosrciumi që e ka fituar këtë tender nuk i plotëson as kushtet e kërkuara”, thotë Granit Hasani drejtor i “Besa Security”. 

Esat Tahiri, një prej pronarëve të Security Code, thotë se kompania fitoi në tender duke plotësuar kriteret e pararapara ligjore.

Një tjetër kontratë e trashëguar është ajo për furnizim me goma për automjete, kamionë dhe makineri të rëndë. 

Kompania “Euro Goma” ka nënshkruar kontratë me Korporatën Energjetike të Kosovës më 8 shtator të vitit 2011 dhe ka afat deri në shtator të vitit 2014. 

Vlera e kësaj kontrate është mbi 564 mijë euro.

Përfaqësues të kompanisë “Euro-Goma” pohuan se kontrata nuk parasheh në ndonjë nen ndryshimin e saj në rast se ndërrohet pronësia e ndonjë apo divizioni të KEK-ut.

KEDS pohoi se kontrata me këtë kompani private ishte në rregull. 

“Kjo kontratë është transferuar në KEDS menjëherë pas takimit me të kontraktuarin”, i ka thënë KEDS gazetës.

Një kontratë tjetër e trashëguar është ajo me kompaninë Allmakes Global Services-AGS. 

KEK nënshkroi me këtë kompani më 7 mars të këtij viti  kontratë për servisim dhe furnizim me pjesë ndërrimi të automjeteve Toytota dhe llojeve të tjera të automjeteve.

Zyra e Prokurimit e KEK-ut konfirmoi se buxheti dyvjeçar i KEK-ut për këtë kontratë është mbi 638 mijë euro. 

Sipas Zyrës së Prokurimit vetëm për Rrjetin e Distribucionit e Furnizimit janë shpenzuar mbi 180 mijë euro. 

Pronari i kompanisë Ideal Shala nuk dha përgjigje kur u pyet për rishqyrtimin e kontratave që po bëhen nga pronari i ri. 

KEDS edhe për këtë rast pohoi se rishqyrtimet po bëhen me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të mira.