Kontratat e Parregullta të Shtetit me Ben Af-in

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë Kosovës përgjatë vitit 2012 u shërbyen me pije jo-origjinale pasi që kontrata e lidhur ndërmjet Ben Af-it dhe ministrisë pati monitorim të dobët nga autoritetet dhe nuk u respektua nga kompania private. 

Kontrata “furnizimi, përgatitja, shërbimi me ushqim dhe artikuj ushqimorë”,  parashihte që pijet, pjesë e racionit të ushqimit për secilin pjesëtar, duhej të ishin origjinale dhe me paketim jo më të madh se 0.5 litra . 

Me të parashihej furnizimi me ujë të thjeshtë e mineral si dhe me pije freskuese si Coca-Cola, Fanta, Sprite e Shweppes. 

“Pijet e ofruara ishin në paketim 2 litërsh dhe nuk ishin origjinale, siç janë kërkuar me kontratë”, thuhet në raportin e auditimit për ministrinë e forcës së sigurisë që i referohet  vitit 2012. 

Raporti konstaton se artikujt e ofruar nga kompania private nuk përputheshin me ata të paraparë në kontratë.

“…zëvendësimi me artikuj tjerë në çmim më të madh dhe kualitet më të ulët në raport me artikujt e kontraktuar, mund të paraqes humbje financiare për ministrinë”, thuhet në raport. 

“Pijet e ofruara ishin në paketim 2 litërsh dhe nuk ishin origjinale, siç janë kërkuar me kontratë. Raporti i auditimit i vitit 2012. 

Zyra e auditorit të përgjithshëm publikoi raportin në maj të këtij viti dhe kritikoi ministrinë për kontroll të dobët. 

“Monitorimi i dobët i kontratës mund të rezultojë me vazhdim të mos-ofrimit të mallit sipas specifikave të kontratës”, thuhet në raport. 

Auditorët raportuan se ministria i ka bërë dy pagesa ndaj kontraktorit në vlerë prej 295 mijë e 364 eurosh. 

Ministria nuk komenton gjetjet e auditimit 

Ministria e Forcës së Sigurisë nuk ofroi qasje në kontratat me kompaninë Ben Af dhe nuk dha deri më tash përgjigjje rreth të gjeturave të auditimit kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë. 

Edhe bazuar në raportet e auditimit, ministria nuk ka komentuar gjetjet që lidhen me Ben Af-in. ZAP në raportet e auditimit publikon edhe argumentet kundërshtuese të organizatave buxhetore ndaj të gjeturave të tyre. 

Drejtues të kompanisë Ben Af, përshirë pronarin Bekim Kuqi, u kontaktuan nga Gazeta Jeta në Kosovë por nuk pranuan të përgjigjen për gjetjet e auditimit që përfshijnë kontratat tyre me ministrinë e forcës së sigurisë, ministrinë e punëve të brendshme dhe komunën e Malishevës.

Kompania nga Suhareka doli fituese në dhjetor të vitit 2011 në tenderin e hapur nga ministria e forcës së sigurisë, përkundër kritikave të auditorëve se një kontratë ministri- Ben-Af, e lidhur më 2009, ishte përshkruar me parregullsi. 

Raporti i auditimit për ministrinë, i vitit 2010, pohon se ajo i pagoi kompanisë në mënyrë të parregullt fatura në vlerë prej mbi 282 mijë eurosh më 2009. 

Raporti konstaton se në kuzhinat e FSK-së atëherë nuk ishte mbajtur evidencë e saktë dhe e plotë për numrin e pjesëtarëve që ushqehen. Kjo, sipas auditorëve, përbente shkelje të nenit 26 të kontratës së lidhur mes palëve. “…Pagesat për ushqim do të bëhen pas verifikimit të faturës dhe numërimit të listave të kuzhinës”, thuhet në këtë nen sipas auditorëve. 

Ministria e Forcës së Sigurisë nuk pranoi të bëjë publike vlerën e kontratave të lidhura me këtë kompani private më 2009 dhe 2011. 

Në njoftimet për dhënie të kontratave përmenden vetëm çmimet e ofruara për njësi por nuk bëhet publike se sa njësi përmban kontrata. 

Ministria tash ka shpallur tender të ri për furnizim me ushqim. Kjo shpallje është bërë më 24 maj, dhe sipas njoftimit publik për kontratë, ofertat për këtë tender do të pranohen deri më 17 qershor 2013.

Ben-Af 

Ben-Af, një kompani e përfshirë në një proces gjyqësor, në raportet e auditimit përmendet për shkelje kontrate e favorizime edhe në dy raste tjera – në Malishevë e ministri të punëve të brendshme. 

Ben Af-i përmendet edhe në rastin kundër ish-kryetarit të Suharekës Sali Asllanaj i cili akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare. 

Asllanaj akuzohet se më 27 gusht 2008 kishte nënshkruar paligjshëm marrëveshjen për shfrytëzimin e tokës ndërtimore në pronësi shoqërore, duke ia mundësuar organizatës Ben Af, ndërtimin e një strukture afariste banesore duke e garantuar investitorin për shfrytëzim të përhershëm të ngastrës kadastrale. 

Me këtë rast, Ben-Af përfitoi materialisht më shumë se një milion euro. Pronari i kompanisë Bekim Kuqi ishte ftuar si dëshmitar më 22 shkurt 2013 por nuk i ishte përgjigjur ftesës së Gjykatës Themelore të Prizrenit. 

Malisheva kërkon zbatimin e kontratës nga Ben-Af

Më 5 gusht të vitit 2006 komuna e Malishevës i ndau tokë komunale për ndërtimin e një qendre tregtare kompanisë Ben-Af. 

Kompania detyrohej që të paguante 4 mijë euro qira në muaj për shfrytëzimin e pronës publike. 

Kompania nga Suhareka nuk e kishte paguar qiranë dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm konstatoi se kontrata ndërmjet palëve nuk ishte përmbushur. 

ZAP gjeti se të hyrat në bazë të kontratës në fjalë nuk ishin faturuar dhe regjistruar në SIMFK (Sistemi Informativ i Menaxhimit Financiar të Kosovës) dhe se nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim nga personat përgjegjës për zbatimin e kontratës. 

Raportet e auditimit përgjatë viteve 2008-2010 tregojnë se Komuna e Malishevës nuk ka regjistër përfundimtar të patundshmërive të saj dhe rrezikon të mos i mbledh të ardhurat nga qiraja.

Më 30 shtator të vitit 2011 Komuna e Malishevës nënshkroi një aneks-kontratë me kompaninë Ben- Af. 

Në vend të pagesës së qirasë kompania obligohej që të ndërtonte një qendër për mjekësinë emergjente. Objekti prej 860 metrash katrorë vlerësohej në ankes-kontratë se kishte një kosto ndërtimi prej 800 mijë eurosh. 

Afati për ndërtimin e këtij objekti ishte caktuar 31 dhjetori i viti 2012, por Ben Af-i përkundër që nuk përmbushi këtë obligim vendosi të mbyllë edhe qendrën tregtare të ndërtuar në pronë komunale. 

Subjekti opozitar në Malishevë, LDK-ja, më 6 shkurt të këtij viti shtyu në kuvendin komunal iniciativën e saj për krijimin e një komisioni hetimor që do shqyrtonte mospërmbushjën e obligimeve nga kompania Ben Af. 

Ahmet Rrahmanaj (PDK) kryetar i këtij komisioni thotë se u realizun tri takime me përfaqësues të kompanisë nga Suhareka të cilët premtuan se deri në fund të vtiti 2013 do të kryejnë obligimet. 

Por, sipas tij, këto kane qenë vetëm biseda dhe se nuk kanë garanci me shkrim nga kompania se obligimet do të përmbushën. 

“Ne si komision po interesohemi vetëm që të gjejmë zgjidhje që të ndërtohet qendra e mjekisë e paraparë në aneks-kontratë dhe mundësisht të hapen edhe vende të reja të punës nëpërmjet rihapjës së filialës së Ben Af-it në Malishëve”, thotë Rrahmanaj. 

Qeveria lokale në Malishevë e udhëhequr nga PDK pranon se kompania private nuk ka kryer ende obligimet por pret që t’i përmbushë ato deri në fund të vitit 2013. 

“Po interesohemi vetëm që të gjejmë zgjidhje që të ndërtohet qendra e mjekisë e paraparë në aneks-kontratë. Ahmet Rrahmanaj

Artan Paçarizi zyrtar për informim në komunë thotë se ekzekutivi nuk do të marrë masa ndaj kompanisë por do të presë derisa komisioni që po shqyrton rastin të dorëzojë raportin në kuvend komunal.

Ai pranon se kompania nuk ka përmbushur kontratën por pohon se Ben Af-i ka premtuar kryerjën e obligimeve. 

“Ben-af’ ka të kryer një pjesë të kontratës në raport me komunën e Malishevës. Ekziston një kontratë, dhe më pas edhe një aneks kontratë, me të cilën kjo kompani, premton kryerjen e obligimeve në raport me komunën, deri në fund të këtij viti”, thotë Paçarizi.

Ai nuk shpjegon se cila pjesë e kontratës është përmbushur nga kompania private. 

Në fakt, Ben-Af ka përmbushur obligimin për ndërtimin e qendrës tregtare të cilën e ka mbyllur më vonë. 

Ministria e brendshme “fryri” ofertën e Ben-Af-it

Ben Af-i në mars të vitit 2011 kishte lidhur kontratë në vlerë prej 480 mijë eurosh me ministrinë e punëve të brendshme për furnizim me ushqim dhe pije. 

Zyra e auditorit të përgjithshme gjeti parregullsi edhe në këtë kontratë.

Oferta e kompanisë fituese “Ben-af” në këtë tender ishte në vlerë të 294 mijë e 600 eurove. 

Auditori raporton se komisioni i vlerësimit të ofertave ka korrigjuar gabimet aritmetike në llogaritje dhe pas kësaj oferta ishte rritur në 482,000 euro.

Diferenca në korrigjim ishte 187,400 euro. ZAP në raportin për vitin 2011 e vlerësoi këtë kontratë si të parregullt. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka tentuar që të marrë një përgjigje nga ministria për këtë, por me gjithë zotimin, ministria nuk është përgjigjur.

Ministria ia kishte komentuar në këtë gjetje ZAP-it. 

“Rekomandimin e komisionit vlerësues e ka aprovuar edhe departamenti i prokurimit”, thuhet në komentin e MPB-së duke vlerësuar se korrigjimet janë bërë mbi bazë juridike. 

“Kemi bërë vetëm korrigjimin e shumës totale të ofertës, ku edhe pas kësaj nuk ka ndryshuar renditja e ofertave”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për ZAP-in. 

“Rekomandimin e komisionit vlerësues e ka aprovuar edhe departamenti i prokurimit. Komenti i MPB-së

 

Auditorët këmbëngulin që lidhja e kësaj kontrate ka qenë e parregullt duke konstatuar se ligji i prokurimit publik lejon korrigjimin e gabimeve aritmetikore në ofertën e konkurrentëve por që ndryshimet e shumës së ofertës duhet të jenë të rëndësisë së ulët dhe që nuk kanë ndikim material. 

Auditorët konstatuan se oferta ishte ndryshuar për 64 për qind të vlerës së ofertës dhe ishte rritur për 187 mijë e 400 euro. 

“Kjo vlerë çon në ndryshime të mëdha materiale”, thuhet në raport. 

Kontrata e kundërligjshme me Prizrenin

Më herët këtë vit, Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se komuna e Prizrenit u dhuroi mundësi asamblistëve dhe anëtarëve të administratës së saj të blejnë deri në 100 euro gjëra ushqimore për Vitin e Ri, përmes një prokurimi të realizuar në kundërshtim me ligjin. Edhe këtu përfshihej Ben Af-i. 

Komuna e udhëhequr nga Ramadan Muja – i akuzuar në fund të shkurtit nga EULEX-i për korrupsion – më 28 dhjetor 2012 kishte publikuar një njoftim për kontratë për “furnizim me artikuj ushqimorë të anëtarëve të kuvendit dhe shërbyesve civilë të administratës komunale të komunës së Prizrenit”, sipas së cilës, operatorët e interesuar ekonomikë duhet të dorëzonin dokumentet e tyre deri më 7 janar 2013, në orën 15:00.

Vetëm një ditë më herët, shpërblimin e asamblistëve dhe anëtarëve të administratës me nga 100 euro me rastin e Vitit të Ri e kishte miratuar asambleja e Prizrenit.

Njoftimi për dhënie të kontratës, kompanisë Ben Af, ishte lëshuar më 23 janar 2013 dhe kishte vlerën e përgjithshme të 43,600 eurove ose 100 eurove për person.

Mirëpo, asamblistët dhe punonjësit e administratës i kishin bërë këto shpenzime përpara Vitit të Ri në Ben-Aff, përpara se tenderuesi të ishte zgjedhur.

Sipas ligjit për prokurimin publik të Kosovës, nenit 7 të tij, pritet që “autoriteti kontraktues do t’i trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente”.