Valë Dorëheqjesh Që Paralizuan Bordin e AKP-së

Komisioni për Zhvillim Ekonomik… që mbikëqyrë Agjencinë Kosovare të Privatizimit planifikon që sa më shpejt të kompletojë Bordin Drejtues të këtij institucioni që pësoi tri dorëheqje gjatë kësaj jave. 

“Kjo veç na bie në një situatë ku duhet të punojmë sa më shpejt në kompletimin e këtij bordi”, tha Zenun Pajazit kryesues i këtij komisioni parlamentar. 

Pajaziti pohoi se deputetët pavarësisht partive politike kanë interesim të madh që ky proces të ketë trajtim të duhur.

Tre nga tetë anëtarë të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit njoftuan dorëheqjen e tyre nga kjo trupë drejtuese. Në mesin e tyre edhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve. 

Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit specifikon që Bordi është i vlefshëm edhe me pesë anëtarë. 

“Bordi konsiderohet se ka kuorum nëse janë të pranishëm së paku pesë drejtorë, së paku njëri ndër të cilët duhet të jetë drejtor ndërkombëtar”, thuhet në pikën 4 të nenit 14 të këtij ligji. 

Zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi i tha gazetës Jeta në Kosovë se bordi ka të drejtë të mbajë mbledhje dhe të marrë vendime.

“Po, me ligj bordi ka të drejtë të takohet dhe të marrë vendime, meqenëse ka kuorum” tha Kaloshi.

Por, Ligji specifikon që duhen votat e tre anëtarëve ndërkombtarë për të vendosur për pagesat që kryen Agjencia, siç janë shpërndarja e 20 përqindëshit për punëtorët si dhe pagesat ndaj kreditorëve të mundshëm. 

Bordin tashmë e kryeson Skënder Komoni zv/kryesues në Bordin e Drejtorëve. 

Pjesë e tij mbeten Maja Milovanoviq, Haxhi Arifi si dhe dy ndërkombtarët Hubert Warsman dhe Mohamed Omran. 

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbeti me vetëm pesë anëtarë pas tri dorëheqjeve të anëtarëve gjatë kësaj jave. 

Kryetari Blerim Rexha konfirmoi përmes një kumtese shtypi të enjten se ka vendosur që të mos e vazhdojë më punën në këtë pozitë. 

“Me keqardhje të madhe kam marrë lajmin për largimin e tanimë dy anëtareve nga Bordi i AKP-së. Largimi i tyre është padyshim si pasojë e keqinformimit të tyre nga individë të caktuar, brenda dhe jashtë AKP-së”, tha Rexha.

Ai nuk tregoi se me çka konkretisht nuk ishte pajtuar me përfaqësuesen amerikane dhe me anëtarën tjetër Dardane Peja. 

Përfaqësuesja amerikane në Bordin e AKP-së Bernadete Roberts njoftoi dorëheqjen e saj të hënën dhe Ambasada Amerikane pohoi se ajo ishte e pakënaqur me udhëheqjen që i bëhej agjencisë. 

“… është e domosdoshme që qeveria të angazhojë individë kompetentë dhe etikë për të zhvilluar një proces të drejtë dhe transparent të privatizimit, nga i cili përfiton Kosova si e tërë dhe jo interesat individuale”, tha Ambasada Amerikane në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë. 

Ambasada, e cila përfaqësohej në Bord nga Roberts, nuk konkretizoi se për çfarë vendimesh përfaqësuesja amerikane e kundërshtonte kryetarin e bordit Blerim Rexhën. 

Dy ditë pas dorëheqjes së saj, edhe një anëtare tjetër e bordit njoftoi se nuk do të vazhdojë të mbajë këtë pozitë.

Dardane Peja e kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë pohoi se është dorëhequr për shkak të rrethanave të krijuara në AKP, por nuk konkretizoi se me çka nuk pajtohej me udhëheqjen e Agjencisë nga Blerim Rexha. 

Vetë Rexha në njoftimin për dorëheqje u kërkoi falje qytetarëve të Kosovës dhe deputetëve që nuk ka mundur të zbatojë rekomandimet e tyre për rritje të transparencës dhe ndryshimit të modelit të privatizimit, të dala nga rezoluta e Kuvendit e tetorit e vitit 2012.

“Se AKP duhet të ndërrojë qasjen ndaj pronës, aseteve që privatizon dhe menaxhon tanimë është e padiskutueshme. Sigurisht se kjo sfidë kërkon njerëz të rinj”, pohoi Rexha. 

Rexha nuk bëri as 100 ditë në krye të AKP-së. 

Ai u propozua nga Qeveria Thaçi e udhëhequr nga PDK-ja pjesë e së cilës ishte vetë Rexha. 

Rexha më herët kishte mbajtur pozitën e zv/ministrit për energji në Qeverinë “Thaçi 1” e po ashtu ishte njëri prej drejtuesve të “Qeverisë nën Hije të PDK-së”,  në kohën kur kjo parti ishte në opozitë.

Koalicioni nuk u prish përkundër pohimeve të Pacollit 

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) Behxhet Pacolli pohoi të martën në një intervistë për portalin “Express” se subjekti politik që ai drejton do të dalë nga koalicioni, nëse kryeministri Thaçi nuk vendoste për shkarkimin e Rexhës. 

Por, një ditë më vonë Pacolli ndryshoi qëndrimin. 

Pacolli pohoi të mërkurën për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk është i interesuar që të shkaktojë vakum institucional në kohën kur fillon implementimi i marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë.

“…Kjo është ajo që ne na shtyn të jemi të durueshëm dhe të presim” tha Pacolli.

Por, ai pohoi se Kosovës nuk i shërben një prishje raportesh me SHBA-në dhe se dorëheja e përfaqësueses amerikane ishte një lajm i keq. 

 “Kjo do të thotë që ai institucion është degraduar në masë të madhe”, tha Pacolli. 

Deklarimet e Pacollit për lëkundje të mundshme koalicioni nuk i sheh si të rrezikshme Adem Grabovci shef i Grupit parlamentar të PDK-së. 

Ai tha se koalicioni është i qëndrueshëm dhe stabil.

“Ne AKR-ne e shohim si partner edhe në të ardhmen e jo vetëm në këtë mandat” i tha Gazetës Grabovci.

Sipas tij koalicioni i ka numrat dhe se nuk e kanë pasur kurrë problemin e lëkundjes së koalicionit.

“Përveç deputetëve të koalicionit ne e kemi përkrahjen edhe të deputetëve dashamirës që votojnë pro, për të mirën e zhvillimit të projekteve madhore” tha Grabovci.

Kryesuesi i Grupit Parlamentarë të PDK-së Adem Grabovci tha se çështjet e bordit të AKP-së nuk diskutohen brenda subjektit politik.

“Ne (PDK) nuk diskutojmë për çështjen e kryetarit të bordit [të AKP-së] sepse AKP-ja është institucion i pavarur” tha Grabovci.