Policia Dyshon se Devolli po Kontrabandonte Kafe në Serbi

Një kamion i kompanisë Devolli i ngarkuar me gjashtë mijë kilogramë kafe është mbajtur i konfiskuar për rreth dy javë nga policia kufitare e Kosovës.

Malli në fjalë, sipas policisë, ishte dyshuar se po kontrabandohej për në tregun serb, duke shfrytëzuar një rrugë alternative jashtë pikave kufitare për të kaluar në Serbi që i bie afër fshatit Karaçevë të Kamenicës.

Sipas një kallëzimi penal të policisë, ngjarja ka ndodhur më 7 mars të këtij viti.

Policia e kishte ndaluar fillimisht kamionin e kompanisë Devolli në fshatin Dumorovc.

Vozitësi ishte pyetur nga policia se për ku ishte e destinuar kafeja. Ai ishte përgjigjur se ishte për kompaninë Albina Npt, selia e së cilës ishte disa qindra metra më poshtë se vendi ku ishte ndalur kamioni.

Për këtë arsye, sipas kallëzimit penal, policia e kishte udhëzuar shoferin e kamionit që të kthehej mbrapsht duke i thënë se ishte në rrugë të gabuar.

Ndërkohë policia kishte filluar ta vëzhgonte kamionin.

Një orë e gjysmë më vonë, sipas policisë, kamioni ishte ndaluar për të dytën herë dhe bartte kafenë afër kufirit me Serbinë, përkatësisht në pikën e fundit ku Policia e Kosovës e ka të drejtë të ndalojë automjetet të cilat lëvizin në drejtim të pjesës kufitare, në afërsi të fshatit Karaçevë.


Rrugës së asfaltuar afër Karaçevës mund të shkohet drejt Serbisë

Sipas kallëzimit penal të policisë, shoferi i kamionit dhe përfaqësuesit e Alnbina Npt, në momentin e ndaljes, kishin thënë tani se po e dërgonin kafenë në fshatin Muqivercë.

Mirëpo, sipas policisë, rruga për në këtë fshat sërish nuk i binte nga ajo anë.
Kamioni ishte 3-4 kilometra larg kthesës prej nga do të duhej të merrte dalje Muqivercë. 

Për këtë arsye policia së bashku me prokurorin kujdestar kishin vendosur që kafenë ta konfiskonin, ndërsa ishte ngritur dhe kallëzim penal ndaj dy përfaqësuesve të kompanisë Albina NPT dhe punëtorit nga Devolli me dyshimin se ata ishin duke kontrabanduar mallra në drejtim të Serbisë.

Kompania Devolli në një përgjigje për gazetën ka mohuar se kafja ishte për destinim Serbinë.

Sipas saj, ky mall ishte drejtuar në bazë të porosisë për në kompaninë Albina.

“Sipas kushteve të paracaktuara të shitjes, Devolli Corporation e ka marrë përsipër që ta bëjë edhe dërgimin e saj në destinimin që blerësi ka kërkuar. Vlen të theksohet se Devolli Corporation këtë dërgesë e ka bërë me kamionin e saj zyrtar, në të cilin janë të vendosura edhe llogot e korporatës”, thuhet në përgjigjen e koorporatës.

“Sidoqoftë, vozitësi i kompanisë sonë ka devijuar nga rruga e destinimit dhe atë me kërkesën e blerësit duke ia transportuar mallin nga pika ku është dashur të shkarkohet në vendbanimin e blerësit për shkak të mungesës hapësirës për magazinim (arsyetim ky i blerësit)”, thuhet në përgjigjen e Devollit.

Sipas kallëzimit penal, pronarët kanë vendbanim në Muqiverzë.

Korporata Devolli thotë se bartja ka ngjallë dyshimet tek Policia e Kosovës e cila ka vendosur që ta bëjë ndalimin e kësaj dërgese duke e referuar lëndën tek prokuroria regjionale me dyshimin e ndonjë veprimi kundërvajtës.

“Duke pasur parasysh dokumentacionin dhe po ashtu edhe faktin se ky transport është zhvilluar me mjetet tona të transportit, në të cilat mjaft qartë janë të vendosura shenjat e kompanisë, ne kemi arritur që në fazën hetimore të ofrojmë provat e mjaftueshme për të vërtetuar se malli është i yni dhe i është destinuar një blerësi i cili është i regjistruar dhe operon në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë përgjigje. 

Përfaqësuesit e ndërmarrjes Albina nuk kanë pranuar të flasin për këtë rast me arsyetimin se në këtë çështje nuk ka pasur kontrabandë.

Gazeta ka provuar të flasë me ta për t’i pyetur se si kishte mundësi që përfaqësuesit e saj të mos e dinin vendbanimin Muqiverzë ndërkohë që ishin ndalur bashkë me shoferin e Devollit herën e dytë.

Kompania me seli afër Domorovcit pretendon se kafeja ishte për t’u tregtuar në lokalet e rrethit të Gjilanit e Kamenicës. Sipas policisë, vlera e kafesë kap 15 mijë euro.


Prokurori Ismet Ukshini

Provat e ofruara nga kompanitë kanë arritur ta bindnin më shumë prokurorin Ismet Ukshini sesa ato çfarë shkruheshin në kallëzimin penal të policisë. Ai më 22 mars kishte vendosur që kallëzimin penal ta hidhte poshtë duke vlerësuar se në këtë rast nuk kishte vepër penale për shkak se nuk kishte pasur kalim të kufirit.

Në bazë të këtij vendimi, prokurori Ukshini i ka kërkuar gjykatës që mallin e konfiskuar ta kthente tek kompania.

Malli, sipas vendimit të gjykatës, i është kthyer kompanisë në po të njëjtën datë.

Mirëpo me vendimin e prokurorit Ukshini dhe vendimin e gjykatës nuk është pajtuar Policia e Kosovës .

E pakënaqur, ajo ka vendosur që me një ankesë t’i drejtohen Gjykatës së Apelit.

Në ankesën e 28 marsit, policia pretendon se edhe përkundër vendimit të prokurorit që ta hedhë poshtë kallëzimin penal në këtë rast, ka pasur dyshime të bazuara se është kryer vepra penale e kontrabandës me mallra.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se policia e ka ndalur kamionin  në pikën e fundit të territorit të Republikës së Kosovës. “Nuk ka pasur mundësi tjetër ta ndalojë (brenda në Kosovë) vetëm nëse do të kish lejuar që ky mall të kalonte në Serbi”, tha Kelani.

“E sa i përket bashkëpunimit me policinë e Serbisë ka ngecje të mëdha”, tha Kelani. “Kështu, ne e kemi ndaluar kamionin afër 100 metra pa kaluar në kufirin e Serbisë”.


Zëdhënësi Baki Kelani

Devolli Group, paraardhëse e korporatës, ka pasur probleme me ligjin në të kaluarën.

Më 16 tetor 2011 Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar se Agjencia Kosovare e Privatizimit i kishte thyer rregulla të saj duke ia shitur Fabrikën e Amortizatorëve “Devolli Group-ut”.

Fabrika e Amortizatorëve ishte regjistruar në emër  të “Devolli Group” në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë më 15 maj të vitit 2011. Lokacionet e korporatës Devolli ishin bastisur më 15 korrik me autorizim të gjykatësit të procedurës paraprake të EULEX-it dhe nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Kompanitë me procedurë penale nuk kishin të drejtë të ofertonin.

Shkelja tjetër kishte të bënte me faktin se ndonëse kërkoheshin tre ofertues, shitja ishte lejuar për ofertuesin e vetëm, “Devolli Group”. Përveç kësaj, ndërmarrja me 8 hektarë tokë, ishte shitur vetëm për 2 milionë në një nga lokacionet më të frekuentuara në kryeqytet, Prishtinë.

Në të njëjtën valë, “Devolli Group” kishte blerë edhe Ndërmarrjen e re “Emin Duraku kompleksi industrial”, në Gjakovë. Në konkurrencë ishin vetëm dy oferta. Korporata bleu 10 hektarë dhe rreth 43 mijë metra katrorë ndërtesa për 700 mijë e 700 euro.

Bastisjet në fjalë kishin ndodhur në lidhje me rastin “Dardafone.com”, që aktualisht është nën gjykim.

Në qershor 2011 prokurori Joachim Stollberg nxori aktakuzë me dyshime kundër Rexhë Gjonbalajt e Shyqri Haxhës, kryetarit të bordit dhe kryeshefit të PTK-së, si dhe ndaj Blerim e Shkëlqim Devollit nga “Devolli Group”.

Gjonbalaj e Haxha dyshoheshin për hyrje në kontrata të dëmshme dhe abuzim të detyrës zyrtare. Devollët akuzohen për mashtrim, kontrata të dëmshme, abuzim me besimin, falsifikim të dokumenteve dhe krim të organizuar.

Më 2008 Postë-Telekomunikacioni i Kosovës kishte nënshkruar kontratë me Dardafone, një konzorcium i Devolli Group dhe Unitel-it me bazë në New York.

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit kishte licencuar Dardafone-in që të operonte si MVNO, operator virtual që ofronte shërbime telefonike duke përdorë infrastrukturën e PTK-së.

Sipas marrëveshjes, Dardafone do të pranonte 78 për qind të profiteve. 

Por, para se marrëveshja të nënshkruhej, emri në kontratë ishte ndryshuar nga Dardafone në Dardafone.net.

Dyshimet ishin se më nuk bëhej fjalë për kompaninë e njëjtë dhe se marrëveshja kishte dëmtuar PTK-në për miliona euro.

Ish-menaxhmenti i PTK-së, në atë kohë, pretendonte se akuzat ishin pjesë e një kampanje për të dëmtuar ndërmarrjen publike gjersa ajo ishte përfshirë në proces privatizimi.