Tenderi i Pasaportave Afër Zhbllokimit

Tenderi i ri milionësh për furnizim me pasaporta biometrikë, i shpallur më 1 shkurt 2013, pasi Ministria e Brendshme e Kosovës u nda keq me kompaninë austriake OeSD, është afër zhbllokimit.
 
Rifillimi i printimit të pasaportave biometrikë ishte pamundësuar nga ankesa e kompanisë sllovene Cetis që humbi tenderin 6.6 milionësh përballë kompanisë gjermane G&D.

Tenderi është përcjellë me interesim, sepse kishte ardhur si pasojë e shkëputjes së kontratës së lidhur në verën e 2011-tës ndërmjet MPB-së dhe kompanisë austriake OeSD, kur kjo e fundit ishte ankuar për “zhdukjen” e 1.4 milionë eurove si dhe pasi ishte zbuluar se qeveria kishte paguar rreth 350 mijë euro TVSH për importimin e pasaportave që, sipas kontratës ishin obligime që i takonin kompanisë.
 
E dyshuara kryesore Natali Velija, e cila kishte pranuar pagesat nga MPB-ja përmes “Eu Consulting” është në paraburgim, kurse ministri i brendshëm Bajram Rexhepi kishte suspenduar tre zyrtarë të ministrisë.
 
Saga e pasaportave ende vazhdon, por Rexhepi javën e kaluar arriti ta mbajë postin meqë një ftesë për mocion mosbesimi kundër tij – ndonëse proceduralisht jo në rregull pasi mocion mund të merret vetëm kundër kryeministrit ose tërë qeverisë – nuk kaloi në Parlament.

Sllovenët nuk gjejnë mirëkuptim nga gjykata e tenderëve

Kur në mëngjesin e së enjtes së kaluar, ministri Rexhepi po sqarohej para deputetëve, paralelisht edhe përfaqësuesi i kompanisë sllovene CETIS, para panelit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, paraqiste ankesat lidhur me tenderin e ri për furnizim me pasaporta.
 
Përfaqësuesi i kompanisë sllovene që ishte në garë për tenderin për furnizim me pasaporta biometrike në Kosovë për 36 muajt e ardhshëm erdhi të enjten nga Lubjana në Prishtinë.
 
Ales Sifrer provoi ta bind panelin e OSHP-së që tenderin milionësh së paku ta kthejë në rivlerësim.

CETIS-i e humbi garën nga kompania G&D më 28 shkurt 2013, shkaku i ofertës së këtij të fundit për dizajnimin dhe sjelljen e pasaportave më shpejt, ndonëse sllovenët kishin ofertë rreth 200 mijë euro më të lirë se kontrata prej rreth 6.6 milionë euro.

Vendimin e vet përfundimtar OSHP-ja pritet ta marrë gjatë kësaj jave, por nga ato që u thanë në këtë “gjykatë” tenderësh, shanset nuk përkrahin sllovenët. Ata ishin ankuar pa sukses edhe kur më 2011 kishte fituar OeSD.

Eksperti i OSHP-së pasi i kishte shqyrtuar dosjet e tri palëve – CETIS-it si ankues, G&D-së si fitues dhe MPB-së si kontraktuese e tenderit – i dha mbështetje panelit vlerësues të ministrisë së brendshme. 

…Pretendimet e operatorit ekonomik ankues (CETIS) nuk kanë përputhje me nenet e cekura”

Në seancën e drejtuar nga Hysni Hoxha, kryetar i panelit, morën pjesë Ales Sifrer nga kompania CETIS, Zeqir Fetoshi, ekspert shqyrtues, Fatmir Thaçi nga MPB-ja dhe anëtarët e panelit: Tefik Sylejmani e Osman Kryeziu.

Në seancë, situata për kompaninë sllovene shkonte mbrapsht.

Ankesën prej 9 faqesh parashtruar në OSHP më 7 mars 2013, ajo e kishte mbështetur në 18 nene të Ligjit të Prokurimit Publik. Ajo pretendonte se gjatë vlerësimit të ofertave, MPB-ja kishte shkelur të gjitha këto nene.

Por Zeqir Fetoshi, eksperti shqyrtues, tha se kompania sllovene në shumicën e neneve është referuar gabimisht. Ai tha se nenet i takojnë ligjit të vjetër të Prokurimit Publik kurse ligji i ri ka hyrë në fuqi në muajin gusht 2011.

“…Pretendimet e operatorit ekonomik ankues (CETIS) nuk kanë përputhje me nenet e cekura”, tha Fetoshi. “Qëndroj në tërësi pranë raportit dhe konstatimeve të bëra në raportin e datës 27 mars 2013”.
Raporti i Fetoshit i jepte të drejtë vlerësimit të MPB-së dhe rrëzonte pretendimet për parregullsi të kompanisë CETIS.

Përfaqësuesi nga kompania sllovene CETIS tha se kishte parregullsi në këtë tender.
 
“Afatin prej 15 ditësh pas dizajnimit të pasaportave të ofruar nga G&D, në mënyrë vetanake e krye në vete, MPB-ja e ka supozuar-përcaktuar si afat të sjelljes së pasaportave në afat prej 30 ditësh”, tha Sifrer. “Ky afat nuk gjendet në ofertën e G&D-së”.

Fatmir Thaçi nga ministria e brendshme, lidhur me këtë pikë të ankesës së kompanisë CETIS, tha se në dosjen e tenderit në mënyrë të saktë është kërkuar që afati i dizajnimit të broshurës të pasaportës mos të jetë më i gjatë se 15 ditë nga nënshkrimi i kontratës.
 
“Sjellja e pasaportave të para prej 10.000 copash është kërkuar të mos jetë më larg se 90 ditë kalendarike nga data e nënshkrimit të kontratës”, tha Thaçi.

“Kompania fituese ka ofruar sjelljen e 10,000 pasaportave për 15 ditë pas dizajnimit të pasaportave”.

Përfaqësuesi slloven u ankua se nuk kanë pasur qasje të plotë në ofertën e G&D-së.“Kemi kërkuar nga MPB-ja raport të spastruar të ofertës, por nuk e kemi marrë sepse ndoshta do të gjenim edhe aty lëshime të tjera”, tha Sifrer.


Përfaqësuesit e kompanis CETIS, para panelit të OSHP-së

Në këtë pikë, Zeqir Fetoshi, eksperti shqyrtues, duke i nxjerrë dokumentin përpara, i rikujtoi CETIS-it se edhe kompania e tij ka dorëzuar në dosjen e tenderit kërkesën që një pjesë e të dhënave të jenë konfidenciale për shkak se janë “sekret biznesor”.

S’largohen nga Kosova

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, në procedura normale kontrata ndërmjet MPB-së dhe G&D-së nuk mund të nënshkruhet para se OSHP-ja të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ankesën e deponuar nga CETIS-i.

Vendimi përfundimtar i OSHP-së pritet të merret gjatë kësaj jave. Në rast se ky organ i jep të drejtë komisionit vlerësues të MPB-së që për fitues ka rekomanduar kompaninë G&D, atëherë kontrata nuk pritet të nënshkruhet para 7 ditësh.
 
Zyrtarë të MPB-së thanë për Gazetën Jeta në Kosovë se brenda kësaj periudhe, kompania fituese duhet të regjistrojë biznesin në Kosovë, të hapë xhirollogarinë e këto të dhëna t’i dorëzojë në ministri.

“Këtë duhet ta bëjë në afat prej 7 ditësh. Pastaj kontrata pritet të nënshkruhet pas këtyre 7 ditëve”, tha zyrtari i lartë në MPB. 

Veçanërisht në rastin e pasaportave, ne ende besojmë se do të duhej ta fitonim tenderin e do të ishim më të favorshëm për taksapaguesit e Kosovës sepse kishim çmimin më të lirë e kualitetin më të mirë”

Në rast se OSHP-ja merr vendim që nuk i pëlqen kompanisë CETIS, atëherë bazuar në Ligjin Për Prokurim Publik (Nr. 04/L042), ka mundësi të ndërmarrë edhe një hap tjetër, të niset drejt Gjykatës Supreme të Kosovës. Kjo bazuar në nenin 119 të këtij Ligji.

“Nëse parashtruesi i ankesës mendon se vendimi përfundimtar ose konstatimi i një paneli shqyrtues ose OSHP është në kundërshtim me faktet ose me këtë ligj, parashtruesi i ankesës mund të kërkojë nga Gjykata Supreme shqyrtimin e vendimit”, thuhet në këtë nen ku jepen edhe afatet ligjore.

“…Kërkesa duhet të dorëzohet brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e publikimit të vendimit të OSHP-së…”.
 
Megjithëkëtë, ligji nuk parashikon anulimin e kontratës eventuale ndërmjet MPB-së dhe G&D edhe nëse do t’i jepte të drejtë CETIS-it. Krejt çfarë mund të ndodhte është që MPB-ja të kompensonte CETIS-in.

Zyrtarë të kompanisë sllovene thonë se ende nuk e dinë nëse do t’i drejtohen gjykatës, për shkak se janë në pritje të vendimit përfundimtar të panelit të OSHP-së.
 
Por thonë se një gjë e dinë. “CETIS-i përfundimisht do të konkurrojë edhe në tenderët e ardhshëm në Kosovë dhe kjo është e sigurt”, thotë Ales Sifrer për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai thotë se kompania e tij ende beson se procedurat e prokurimit publik në Kosovë bëhen në mënyrë transparente dhe në përputhje me ligjin.

“Në rastin e pasaportave, vlerësimi nga ana e bordit dhe dëgjimi nga ana e tyre të arsyeve tona, dëshmon se ata kujdesen për transparencën dhe jo-diskriminim”, thotë Sifrer.

“Veçanërisht në rastin e pasaportave, ne ende besojmë se do të duhej ta fitonim tenderin e do të ishim më të favorshëm për taksapaguesit e Kosovës, sepse kishim çmimin më të lirë e kualitetin më të mirë”.

Vlera e ofertës nga G&D për prodhimin dhe sjelljen në Kosovë të rreth 1 milionë pasaportave të të gjitha llojeve është 6 milionë e 631 mijë e 896 euro.

G&D ka dalë fituese me 98.11 pikë, krahasuar me kompaninë “CETIS” nga Sllovenia, që është vlerësuar me 93.33 pikë. Më e shtrenjtë për rreth 140 mijë euro se kompania sllovene, por ka marrë përsipër të sjellë më shpejt pasaportat.

Ofertat e kompanisë gjermane G&D dhe ajo sllovene CETIS kanë qenë të përgjegjshme, ndërkohë që dy të tjerat, AKD-KING ICT nga Kroacia dhe MORPHO nga Holanda nuk ishin kualifikuar.