Ilustrim

Shtatë të Akuzuar për Fluturimet e Anuluara Më 2009

Më shumë se 1600 udhëtarë kosovarë të ardhur për pushime nga Gjermania kishin ngelur në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës verën e 2009-tës pasi që kompania spanjolle “Pronair” nuk e kishte dërguar aeroplanin për t’i bartur ata për në Gjermani.

Për disa ditë me radhë, në muajin gusht të atij viti, aeroporti i Prishtinës mbushej me udhëtarë të cilët kaluan pushimet në Kosovë dhe duhej të ktheheshin.

Ata kërkuan të dinin për pezullimin e fluturimit dhe nëse do të kompensoheshin për biletat e tyre kthyese që i kishin blerë në Gjermani. Asnjëri nga ata nuk u kompensua edhe pse ekzistonte një garanci bankare për këtë qëllim.

Në tetor 2009, prokuroria speciale e Kosovës filloi hetimet. Më 7 mars 2013, prokuroria ngriti aktakuzë ndaj shtatë personave të dyshuar për gjashtë vepra penale.

Prokurori i rastit, Ali Rexha, akuzon Sibush Hazirin dhe Hamzi Rrahimin për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.  

Haziri ishte pronar ndërsa i pandehuri tjetër, Hamzi Rrahimi, drejtor i agjencisë turistike “Air Kosova Biz” me seli në Prishtinë. 

I vetmi gabim të cilin e kam pranuar se ekziston është gabimi teknik i datës së garancionit të ri, tek i cili nuk është ndërruar data. Të gjitha dokumentacionet ekzistojnë dhe nuk ka as një falsifikim Besnik Mustafa

Të pandehurit akuzohen për mashtrim sepse kanë ndryshuar tri herë garancionin bankar pa njoftuar Zeqir Smajlin i cili kishte vënë shtëpinë e tij si hipotekë, ku fillimisht marrëveshja mes tyre ka qenë që të sigurohet avio-kompania spanjolle “Pronair” në relacionin Gjermani – Kosovë. 

Të pandehurit kishin futur edhe tri avio-kompani tjera në transakcion që, sipas aktakuzës, kishin marrë në mënyrë jo-ligjore garancinë nga ministria e transportit (sot ministria e infrastrukturës).

Dy zyrtarët nga ministria janë të përfshirë në aktakuzë. Ismajl Berisha dhe Nexhat Bala, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autorizimit zyrtar dhe marrje ryshfeti. Berisha është kryesues i Divizionit për Aviacion civil ndërsa Bala udhëheqës i sektorit për rregullim ekonomik te aviacionit civil në këtë divizion.

Për pikën keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, Bala dhe Berisha akuzohen se i kanë lejuar Sibush Hazirit, pronarit të kompanisë “Air Kosova Biz”, i cili kishte lidhur marrëveshje me kompaninë spanjolle  “Pronair”, që të marrë garancionin bankar në MTPT, për tri herë radhazi, dhe ka bërë ndryshime në të duke e zgjeruar listën me avio kompani tjera. 

Në aktakuzë, një kopje të së cilës e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, thuhet se të pandehurit Bala dhe Berisha nuk kanë respektuar procedurën e rregullt për lëshimin e garancisë bankare.

Në shkurt të vitit 2009, MTPT kishte sjellë një rregullore e cila i obligonte kompanitë të cilat kryejnë fluturimet çarter (fluturime me aeroplanë të huazuar ose me qira) që të kenë një garanci bankare prej 500 mijë eurosh ashtu që të ruheshin pasagjerët nga dështimet eventuale të fluturimeve. Po ashtu, tour operatorët ishin të detyruar të sigurojnë garanci bankare prej 100 mijë eurove ndaj aeroportit të Prishtinës.

Mirëpo, ky rregull mbrojtje ndaj udhëtarëve nuk ishte aplikuar në rastin e gushtit 2009 kur 1656 udhëtarë kishin mbetur të ngujuar në aeroportin e Prishtinës, pasi që avio-kompania spanjolle “Pronair” kishte pezulluar fluturimet për në Gjermani.


Ali Rexha, prokuror i rastit

Prokurori, në këtë pikë akuzon Berishën dhe Balan “se nuk i kanë përmbush detyrat e tyre zyrtare, pasi që nuk kanë  kërkuar ekzekutimin e garancisë bankar G0009/196 të datës 1 prill 2009, në momentin e shkaktimit të dëmit me datë 7 gusht kur Avio Kompania ‘Pronair airlines’ ka dështuar në transportin e udhëtarëve në relacionin Kosovë – Gjermani”. 

Për veprën penale marrje ryshfeti, prokurori nuk ka mundur të sigurojë prova kundër tyre.

“Jemi në proces gjyqësor dhe nuk kam çka të deklaroj më shumë”, tha i akuzuari Nexhat Bala nga ministria e infrastrukturës. 

Fillimisht, Sibush Haziri kishte arritur të sigurojë garancionin bankar pasi që kishte bindur Zeqir Smajlin nga Ferizaj, i cili është pronar i agjencisë turistike “Kosova Voyages” me seli në Zvicër, që të lë shtëpinë e tij si hipotekë në bankë.

Garancioni bankar ishte bërë për angazhimin e kompanisë ajrore “Fly Baboo SA” të Zvicrës për të bartur udhëtarët nga Prishtina për në aeroportet në Duesseldorf, Hamburg, Hanover, Munchen dhe Stuttgard të Gjermanisë.

Haziri kishte arritur të bëjë ndryshimin e garancionit bankar në BpB për tri herë radhazi duke futur edhe kompaninë spanjolle “Pronair”, pastaj “Corendon Airlines” dhe “Transavia Arilines C.V”.

Prokurori akuzon edhe tre zyrtarë nga BpB, në mesin e tyre edhe Besnik Mustafën, djalin e kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa. Dy zyrtarët tjerë të BpB-së janë Seladin Ujkani dhe Shefqet Qerkini. 

Këta të tre akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autorizimit zyrtar dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Sipas aktakuzës, Mustafa, Ujkani dhe Qerkini kanë bërë shkelje ligjore pasi që secili prej tyre kishin nënshkruar nga një garanci bankare kur kishte kërkuar Sibush Haziri për të shtuar avio kompani tjera.

Ata e kishin bërë këtë pa njoftuar Zeqir Smajlin, dhënësin e hipotekës për këtë garancion. 

Besnik Mustafa mohon akuzat. Ai thotë se ndryshimi i garancionit bankar është bërë me vendim të këshillit kreditor të bankës, ku edhe ai ka qenë anëtar.  

Ai tha se zyrtari përgjegjës për garancinë bankare ka përpiluar atë dhe ia ka sjellë Mustafës për ta nënshkruar dhe se e ka bërë të duke u bazuar në vendimin e këshillit kreditor.


Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës |Foto: airportpristina.com

Mustafa shtoi se Haziri e kishte sjellë garancinë, që e kishte marrë nga MTPT-ja e atëhershme, dhe ka kërkuar që të futen operatorë tjerë shtesë, duke mos kaluar vlerën e aprovuar prej 500 mijë eurove.

“I vetmi gabim të cilin e kam pranuar se ekziston është gabimi teknik i datës së garancionit të ri, tek i cili nuk është ndërruar data. Të gjitha dokumentacionet ekzistojnë në arkivin e Bankës për Biznes dhe nuk ka as një falsifikim të dokumentacionit”, Mustafa i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

“Ftoj organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës që sa më parë ta thirrin seancën gjyqësore dhe të nxirret e vërteta rreth këtij garancioni”, shtoi Mustafa.

Njëra nga agjencitë DT-Travel, me pronar Xhavit Ramshaj i kishte shitur 558 bileta kthyese për diasporën kosovare, thotë se ka qenë në shumë raste i kërcënuar për jetë nga udhëtaret e frustruar. 

Ramshaj thotë se kompania e tij, në atë kohë, kishte angazhuar një aeroplan të avio-kompanisë Hamburger International për t’iu ofruar mundësinë e udhëtimit të 100 udhëtarëve përmes Shkupit. Ai thotë se shpenzimet kishin arritur në 32.000 euro. Tani ai kërkon dëmshpërblim. 

Do të kërkojmë kompensimin e dëmit të shkaktuar për pasagjerë dhe dëmit të shkaktuar agjensionit tonë. Xhavit Ramshaj

“Do të kërkojmë kompensimin e dëmit të shkaktuar për pasagjerë dhe dëmit të shkaktuar agjensionit tonë. Këto pasoja i ndjejmë edhe sot e kësaj dite, pasi ata udhëtarë nuk nxjerrin më bileta tek ne me bindje se ne jemi fajtorët për ngjarjen në fjalë dhe se ndoshta prapë ju ndodhë një gjë e tillë”, Ramshaj i tha gazetës.

Kompanitë DT-Travel, Arbi-Reisen dhe Kosova-Fly u kishin shitur bileta mërgimtarëve kosovarë. Më së shumti kishte shitur kompania e Xhavit Ramshaj, DT-Travel, në shumë prej 247,007 euro. 

Arbi-Reisen ka paraqitur dëmin e kompanisë prej 190,058 euro dhe Kosova-Fly kishte shitur bileta të cilat për shkak të anulimit të fluturimit, ka deklaruar se shuma e udhëtarëve që duhej të dëmshpërbleheshin ishte 38,580 euro.

Shuma e përgjithshme e dëmeve të supozuara arrin në 475,445 euro. Garancioni bankar mund të mbulonte këtë shumë.

Më shumë në lidhje me këtë temë lexoni këtu:
Si Mbetën 1600 Udhëtarë të Pambrojtur nga Shteti