Vetëm 910 iPhone të Zhdoganuar

Vetëm 910 telefona mobilë “iPhone” të prodhuesit amerikan “Apple” janë zhdoganuar gjatë 3 viteve nga Doganat e Kosovës. 

Sipas të dhënave zyrtare të doganës, në vitin 2010 asnjë “iPhone” nuk është zhdoganuar në këtë institucion, ndonëse mijëra të tillë kanë qenë në duar të kosovarëve. 

2011-ta, sipas doganës, ka qenë viti kur në Kosovë janë importuar më së shumti “iPhone”, gjithsej 820, të tipit 3,4 dhe 5.

Gjatë 2012-tës në Kosovë janë importuar 90 “iPhone” të tipit 4 dhe 5-së. Origjina e importit është kryesisht nga Kina.

Çmimet e këtij produkti sillen nga 400 deri në 700 euro në treg.

“Apple” që nga viti 2007 ka dyqanet e autorizuara “Molla” në Kosovë ku shiten produktet e kësaj marke. Sevdaim Zeneli, menaxher në pikën e shitjes “Molla” në Ulpianë, thotë se produktet e tyre të gjitha janë origjinale dhe vijnë nga Amerika.

“Ne jemi të licencuar dhe të gjitha produktet vijnë prej Amerike”, thotë ai. “Por mobishopat tjerë po sjellin prej Dubait, prej Kinës produkte fals”. 

Sipas Zenelit, shitja e produkteve false të “iPhone”në dyqanet e pa autorizuara ka bërë që “Molla” të punojë me humbje për çdo vit. 

Kemi hapur edhe pikën tjetër në Ulpianë, për t’i vetëdijesuar klientët, por kot. Për çdo vit po punojmë me humbje prej 140 deri 160 mijë euro. Sevdaim Zeneli

“Sivjet e kemi hapur edhe pikën tjetër në Ulpianë, për t’i vetëdijesuar klientët, por kot. Për çdo vit po punojmë me humbje prej 140 deri 160 mijë euro”, thotë Zeneli.

Ai thotë se “iPhone”gjen në çdo mobishop të paautorizuar.

“Mobishopat po fusin ‘iPhone’ me nga 200 e 300 euro ilegalisht. Askush s’po i pengon. Inspektorët më shumë po e vizitojnë pikën tonë sesa ilegalët”,thotë Zeneli.

Për importin e një telefoni në mënyrë të rregullt duhet të paguhet dogana në vlerë prej 10 për qind, si dhe TVSH-ja 16 për qind.

Shitësit e telefonave në mobishope të kryeqytetit nuk pranojnë të flasin se sa telefona importojnë e sa i shesin.

Doganat e Kosovës ende janë në fazën e implementimit të projekteve për t’u marrë me këtë problematikë.

Zëdhënësi Adriatik Stavileci pranon se numër i madh i telefonave mobilë, posaçërisht “iPhone”, futen në Kosovë duke u kontrabanduar. 

“Zhdoganimi ka shkuar duke u rritur nga viti në vit, por edhe kontrabandimi po shkon krahas saj”, tha Stavileci.

Sipas tij, lidhur me kontrabandën e telefonave mobilë janë duke bashkëpunuar me një projekt të përbashkët me Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit (ART) dhe Ministrinë e Financave për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme.

“Dogana është duke punuar rreth një projekti për ta përfunduar një herë e përgjithmonë këtë çështje”, tha Stavileci.

 
Dogana zhdoganon iPhone fals

Dogana ka zhdoganuar edhe “iPhone” të falsifikuar. 

Në të dhënat zyrtare të këtij institucioni shihet se në vitin 2011 janë zhdoganuar edhe “iPhone” të tipit 5. Ky tip i “iPhone” në treg ka dalë tek në qershor 2012. 

Gjithashtu të dhënat zyrtare të këtij institucioni tregojnë se në vitin 2012 janë zhdoganuar 90 “iPhone”, kurse në “Molla” thonë se gjatë këtij viti kanë zhdoganuar diku pre 40 deri në 50 “iPhone”

Kjo tregon se gjatë atij viti edhe dogana ka zhdoganuar rreth 50 “iPhone” fals.

Në anën tjetër, gjatë dy viteve të fundit, dogana, si rezultat i shkeljes së markës tregtare, ka shkatërruar telefona Apple në sasi prej 71 copash dhe vlerë prej 17,150 eurosh, si dhe pajisje përcjellëse të telefonave me markën tregtare Apple në sasi prej 773 copash dhe vlerë prej 8,080 euro. Ajo ka shkatërruar edhe 20 mbështjellës telefonash në vlerë të 200 eurove.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesi i autorizuar i “Apple” në Kosovë, Florim Lata, thotë se në Kosovë konsumatori po dëmtohet vazhdimisht. “Kur mund të blesh adapter 5 euro, dëmtohet”, tha ai.

Ai tha se i është kërkuar inspektoratit të tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe policisë të veprojnë për konfiskimin e produkteve fals. 

Apple, që ndoshta është brendi më i kërkuar në planet, kishte kërkuar të mbrojë markën e saj tregtare në Doganat e Kosovës në maj të 2011-ës, por miqësia me Kosovën e firmës së njohur për teknologji të avancuar daton që nga viti 2007.

Zhdoganimi ka shkuar duke u rritur nga viti në vit, por edhe kontrabandimi po shkon krahas saj. Adriatik Stavileci

Qindra mijë telefona

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës gjatë 3 viteve të fundit në Kosovë përmes këtij institucioni janë zhdoganuar 105 mijë e 739 telefona.

Për të zhdoganuar këta telefona është paguar një shifër prej 2 milionë e 598 mije e 775 eurosh.

Vetëm vitin e kaluar institucionet e Kosovës shpenzuan rreth 70 mijë euro për blerjen e telefonave mobilë të llojeve të ndryshme.

Në ueb faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik(KRRPP) figuron se vetëm Postë Telekomi i Kosovës(PTK) gjatë 2012-ës, në katër tenderë të ndryshëm, për blerjen e telefonave ka shpenzuar rreth 21 mijë euro, 9950 euro ka shpenzuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, 8385 euro Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, 6050 euro Policia e Kosovës, 5400 euro Ministria e Zhvillimit Ekonomik, 2560 euro Ministria e Integrimit Integrimit Europian, 1400 euro Ministria e Infrastrukturës si dhe 1260 euro Ministria e Administratës Publike. 

Kompania “Apple”, e cila e prodhon telefonin “iPhone” e ka konfirmuar pozitën e saj udhëheqëse si kompania më e madhe e teknologjisë në botë. 

Menjëherë pas lansimit, “iPhone 5” u bë telefoni me shitjen më të shpejtë në botë. 

Brenda 24 orëve të para, Apple shiti më shumë se 2 milionë njësi për ta përmbyllur fundjavën e parë me 5 milionë njësi të shitura.