Komuna Prenotohet në Hotel për Fjetje e Dreka Zyrtare

Hotel “Amazona”, që ndodhet në fshatin Babin Most të Obiliqit rrugës për Prishtinë, është pëlqyer nga autoritetet komunale të Vushtrrisë të cilat kanë bërë atje rezervime për dy vitet e ardhshme për fjetje dhe dreka zyrtare.
   
Edhe pse Komuna e Vushtrrisë ka dhjetëra hotele- restorante që kanë mbi 200 ulëse, zyrtarët komunalë më 24 dhjetor 2012 kanë lidhur kontratë në vlerë prej 57 mijë e 364 eurosh me pronarin e këtij hoteli për shërbime hoteliere.

Zëdhënësi i komunës, Bahri Bivolaku, thotë se kontrata është kornizë dhe, sipas tij, nuk do të thotë që shuma gjithsesi do të shpenzohet, por nuk guxon të tejkalohet.

“Edhe përkundër që Vushtrria ka hotele-restaurante, hotel ‘Amazona’ është përzgjedhur në këtë tender sepse ka pasur ofertën më të mirë”, tha Bivolaku.

Qazim Azemi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kritikon lidhjen e marrëveshjes me një biznes jashtë komunës, duke mos kontribuuar kështu në ekonominë lokale.

Ai e quan kontratën “luks të tepruar” të zyrtarëve të komunës.

Qendra e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Vushtrri thotë se edhe përkundër se Komuna e Vushtrrisë është ndër komunat më të varfra në Kosovë, udhëheqësit e saj kanë planifikuar që të “hanë mirë darka dhe dreka zyrtare” gjatë dy viteve të ardhshme.

“Si asnjë komunë tjetër, menaxhmenti i kësaj komune ka paraparë që të ushqehet mirë në hotel për raste të veçanta. Madje ka përzgjedhur një hotel jo në territorin e Vushtrrisë për relaks, ushqim ose fjetje të zyrtarëve komunalë ose mysafirëve të tyre”, thotë Sheremet Halili, nga Lëvizja “Vetëvendosje” në Vushtrri.

Merret vesh se i njëjti hotel ka pasur edhe më herët kontratë me Komunën e Vushtrrisë për shërbime hoteliere, përkatësisht për shfrytëzimin darkave dhe drekave zyrtare nga ana e komunarëve ose mysafirëve të tyre. 

“Komuna Vushtrrisë rezulton me një shkallë të konsiderueshme të shpenzimit të buxhetit në kategorinë e udhëtimeve, mëditjeve, darkave dhe drekave, telefonave dhe shpenzimeve të tjera të përafërta. GAP

Vitin e kaluar në një raport të Institutit për Studime të Avancuara (GAP), është bërë publike që autoritetet komunale, përkatësisht paria komunale brenda periudhës 8 mujore në vitin 2012 ka shpenzuar hiç më pak 19 mijë e 600 euro për dreka dhe darka zyrtare, përderisa në vitin 2011 zyrtarët e kësaj komuna kanë shpenzuar 39 mijë euro.

“Komuna Vushtrrisë rezulton me një shkallë të konsiderueshme të shpenzimit të buxhetit në kategorinë e udhëtimeve, mëditjeve, darkave dhe drekave, telefonave dhe shpenzimeve të tjera të përafërta”, thuhet në raportin e GAP-it për pasqyrat financiare të Komunës së Vushtrrisë.

Pushtetarët thonë se këto shpenzime nuk janë të mëdha në raport me investimet që janë bërë në dy vitet e kaluara në Komunën e Vushtrrisë e që, sipas zëdhënësit Bivolaku, janë rreth 25 milionë euro.