Rekomandoi Ortakun për Këshilltar në Agjenci Shtetërore

Valdrin Lluka e Serton Ajeti figurojnë si bashkëpronarë në “Dardanica”, një kompani që merret me konsulencë biznesi.

Përveç ndarjës së hises në biznesin privat, ata kanë punuar së bashku në Agjencinë për Promovimin e Investimeve të Kosoës (APIK). Lluka mban pozitën e kryeshefit në këtë agjenci shtetërore dhe e kishte Ajetin këshilltar tetë muaj.
 
Ajeti ishte paguar nga fondet e Bankës Botërore. Te ky institucion ndërkombtar Ajetin e kishte rekomanduar vetë Lluka. Këtë e ka konfirmuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Lluka ishte punësuar në muajin gusht të vitit 2011 në MTI në kuadër të së cilës operon Agjencia për Promovimin e Investimeve të Kosovës. Një muaj më pas, në shtator të atij viti, ishte punësuar Ajeti.

Para se të Ajeti të angazhohej nga Lluka në MTI, kishte punuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Në atë institucion më herët kishte punuar edhe Lluka. Po ashtu të dy kishin studiuar në Universitetin Amerikan në Bullgari.

Lluka në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 ishte kandidat për deputet. Ishte pjesë e grupit të ekspertëve E-15 që ishte pjesë e Koalicionit për Kosovën e Re të udhëhequr nga partia e Behxhet Pacollit – Aleanca për Kosovën e Re. Ai nuk kishte fituar votat e mjaftueshme për të qenë deputet.

Ministria ku tani ai punon udhëhiqet nga anëtarja e Aleancës për Kosovën e Re, Mimoza Kusari, e cila në zgjedhje ishte kandidate për kryeministre.

Banka Botërore thotë se nuk u informua për lidhjet mes kryeshefit e këshilltarit

Banka Botërore thotë se nuk e ka ditur se a ka pasur lidhje ndërmjet të propozuarit për këshilltar dhe kryeshefit të APIK-ut.

“Asnjë informatë për ndonjë konflikt interesi ekzistues ose potencial që konsulentët mund të kenë pasur nuk i është bërë me dije Bankës”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.

Banka Botërore thotë se do të kishte reaguar në rast se do të kishte pasur informata për parregullsi gjatë përzgjedhjës së kandidatëve. 

“Asnjë informatë për ndonjë konflikt interesi ekzistues ose potencial që konsulentët mund të kenë pasur nuk i është bërë me dije Bankës” BB

 “Nëse Banka kupton për ndonjë parregullsi gjatë procesit të selektimit, ajo e ka përgjegjësinë të hulumtojë në mënyrë adekuate dhe t’i propozojë palës së kundërt masat përmirësuese”, thotë Banka Botërore.

Në përgjigjen e saj, banka shton se nuk bën hulumtime të kandidatëve potencialë gjatë procesit të selektimit.

Sipas Bankës Botërore, është detyrë e komisionit selektues të analizojë me kujdes informatat lidhur me kandidatët dhe të bëjë zgjedhjen e duhur.

Konsulentët, sipas BB-së, u angazhuan në kuadër të programit BETA, një projekt i Asistencës Teknike që kishte për synim të përkrahë qeverinë në përmirësimin e mjedisit për biznes, forcimin e të drejtës së pronës dhe ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve qeveritare për të zbatuar këto reforma në mënyrë të qëndrueshme.

Por, ajo nuk dha informacion kur u pyet se sa paguheshin këshilltarët që i angazhoi për të ndihmuar Kryeshefin Ekzekutiv të APIK-ut.

Këtë informacion nuk e dha as Ministria për Tregti e Industri.

MTI: Lluka e Ajeti janë profesionistë

Ministria e Tregtisë e Industrisë, nëpërmjet zëdhënëses së saj Arta Istrefi, thotë se edhe Lluka por edhe Ajeti kishin plotësuar kriteret kur ishin bërë pjesë e Agjencisë Kosovare për Promovimin e Investimeve të Kosovës e cila operon në kuadër të kësaj ministrie.

Ministria konfirmon që për angazhimin e Ajetit kishte dhënë rekomandim vetë Lluka.

“Është rekomanduar nga z. Lluka dhe është përzgjedhur nga projekti BETA i Bankës Botërore”, thotë Arta Istrefi zëdhënëse e MTI-së.

Bashkë me Ajetin ishin angazhuar edhe dy këshilltarë tjerë në projektin BETA që i kishte dhënë ndihmë direkte Kryeshefit të APIK-ut.

“Serton Ajeti ka punuar për 8 muaj nga shtatori i vitit 2011 deri në maj të vitit 2012”, thotë Istrefi.

Zëdhënsja e MTI-së thotë se Ajeti ka të përfunduar studimet në Universitetin Amerikan në Bullgari dhe se ka magjistruar në Itali. Sipas MTI’së Ajeti më herët kishte punuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Serton Ajeti u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë rreth angazhimit të tij në MTI, por ai nuk pranoi të japë përgjigje.

Ndërkohë Ministria e Tregtisë e Industrisë thotë se edhe Luka kishte plotësuar kriteret kur ishte përzgjedhur Kryeshef Ekzekutiv.

“Është rekomanduar nga z. Lluka dhe është përzgjedhur nga projekti BETA i Bankës Botërore” Arta Istrefi

Lluka, ish-kandidati për deputet i koaliconit për Kosovën e Re, ku bënte pjesë edhe ministrja Kusari, sipas MTI-së, ka përvojë në fushën e menaxhimit.

MTI-ja thotë se ai kishte punuar më herët në kompaninë “Deloitte”, Agjencinë Kosovare të Privatizimit,  “Carlson Consulting Enterprise”, Universitetin e Minesotës si dhe për kompaninë kosovare Z-Mobile.

MTI-ja thotë se Lluka ka përfunduar studimet në Universitetin Amerikan në Bullgari ndërsa studimet master i kreu në SHBA.

Po ashtu MTI-ja thotë se Lluka një kohë të gjatë ka shërbyer si partner menaxhues në kompaninë Dardanica.

Ndërsa për Ajetin pohon se ka punuar dhe vazhdon të punojë si konsulent për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, si partner në kompaninë “Dardanica”.

Të dytë figurojnë si aksionarë në Dardanica në faqën zyrtare të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

MTI-ja nuk dha një përgjigje nëse angazhimi i Ajetit përbente konflikt interesi.

Po ashtu as Agjencia Kundër Korrupsion nuk dha një përgjigje nëse kjo përbente një konflikt interesi.

Lluka – i dënuar nga gjykata

Lluka nuk kishte deklaruar me kohë pasurinë në kohën kur kishte marrë pozitën e kryeshefit.

Agjencia Kundër Korrupsion kishte ngritur padi ndaj tij për mos deklarim të pasurisë me rastin e marrjës së detyrës ashtu siç kërkohet me Ligjin për Deklarmin, Prejardhjën dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë.

Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prishtinës më 7 dhjetor të vitit 2011 mori vendim që të shqiptojë gjobë në vlerë prej 300 eurosh ndaj Llukës.

Agjencia Kundër Korrupsion kishte parashtruar kërkesën me datën 26 tetor 2011 për fillimin e procedurës së kundërvajtjës.

 “Nëse Banka kupton për ndonjë parregullsi gjatë procesit të selektimit, ajo e ka përgjegjësinë të hulumtojë në mënyrë adekuate dhe t’i propozojë palës së kundërt masat përmirësuese” BB

Lluka në gjykatë kishte thënë se ishte emëruar më 27 korrik të vitit 2011 por ia kishte nisur më 11 gusht të vitit 2011.

Ai kishte deklaruar se me datë 6 shtator 2011 ka pranuar një mesazh përmes postës elektronike nga Udhëheqësja e Divizionit të Personelit me të cilin është njoftuar për obligimin e deklarimit të pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion.

Lluka kishte deklaruar se përkundër këtij njoftimi nuk kishte mundur të deklaronte pasurinë në afatin e paraparë ligjor për shkak të ngarkesës në punë si dhe udhëtimeve jashtë vendit.

Ai kishte kërkuar nga gjykata që të ketë parasysh rrethanat e tij në momentin kur do të vendoste ndaj tij.

Por, gjykata vendosi ta dënojë.

“… të pandehurit iu shqiptua dënimi me gjobë në lartësinë si në dispozitiv duke konsideruar se edhe me këtë do të arrihet efekti i sanksionimit ashtu që i pandehuri në të ardhmen t’u shmanget kryerjes së veprave të tilla apo të ngjashme kundërvajtëse”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë.

Ndonëse me vonesë, Lluka dorëzoi në Kundër Korrupsion formularin e deklarimit të pasurisë më 27 tetor të vitit 2011.

Ai shënoi se ka një shtëpi e një banesë dhe një veturë.  Shënoi se ka dy kredi në banka dhe se i ka 6 mijë e 700 euro para të gatshme në një bankë.

Po ashtu shënoi se që nga dhjetori i vitit 2006 posedon 50 për qind të aksioneve në “Dardanica Group”.

Tek të hyrat vjetore ka shënuar se merrë një pagë vjetore prej 10 mijë e 800 eurosh në vit nga Ministria e Tregtisë e Industrisë si dhe një meditje prej  2 mijë eurosh nga ky institucion.

 Ndërkohë merrë 24 mijë euro në vit nga puna si konsulent në REV Europe. Në këtë kompani ai punon që nga 15 dhjetori i vitit 2010.

Lluka ka deklaruar pasurinë edhe në vitin 2012.

Në këtë formular ai ka shënuar si pasuri të re një biznes në të cilin posedon aksione bashkëshortja e tij.

“Business Development Institute”, është kompania ku bashkëshortja e tij ka 33.33 për qind të aksioneve.