KEK-u Investon në Kompaninë e Shitur

[E plotësuar – E martë, 15:19]

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) gjatë këtij muaji ka bërë katër kontrata për punë në rrjetin distribuiv dhe zgjerim të disa trafostacioneve.

Shuma e këtyre kontratave është 437,304 euro.

Punimet në përforcim dhe zgjerim të rrjetit janë paraparë në divizionin e Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës. Ato do t’i kryejë konzorciumi “Monting” dhe “Montkomerce” në shumë prej 339,158 eurosh.

Tri kontratat tjera parashohin zgjerim të trafostacioneve në Ferizaj (Monten), në Pejë (Eling) dhe Prizren (Inzhinjering DASS dhe Eco Trade), në shumë prej 98,146 eurosh.

Disa nga kompanitë thonë se punët që parashihen me këto kontrata veç i kanë kryer më herët.

KEK nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës për këto investime deri pas publikimit të artikullit.

Ato janë paraparë të bëhen në Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) e cila në tetor të vitit të kaluar i është shitur konzorciumit Kosovo Çalik Limak Energy Sh.A.

Kompanitë në këtë konzorcium janë Calik Enerji Sanayi Ticaret A.S. & Calik Elektrik Dagitim A.S. dhe Limak Yatirim Enerji Uretim Isletme Hizmetleri ve Insaat A.S.

Më 17 tetor 2012, Qeveria e Kosovës, respektivisht ministria e zhvillimit ekonomik, ka nënshkruar kontratën për shitjen e KEDS-it me blerësin e ri Kosovo Çalik Limak Energy.

Ministria thotë se kompanitë turke, blerëse të KEDS-it, do të fillojnë punën në maj të këtij viti.

Fllanza Hoxha, menaxhere e projektit të privatizimit të KEDS-it, tha se çdo investim që bën KEK-u do të vazhdojë të realizohet dhe paguhet nga buxheti i ndërmarrjes për investime kapitale.

“Kjo vetëm deri më 6 maj të këtij viti, kur pritet të bëhet përmbyllja financiare dhe bëhet transferimi i pronësisë të distribucionit dhe furnizimit te kompania fituese – Kosovo Çalik Limak Energy”, Hoxha i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

“Andaj edhe puna nuk mund të ndalet apo të stagnojë për arsye të privatizimit dhe duhet të vazhdojë sipas planit të paraparë nga menaxhmenti i KEK” Fllanza Hoxha

Sipas saj, atëherë përveç transferimit të pronësisë tek blerësi i ri, do të transferohen edhe të gjitha kontratat e nënshkruara nga KEK-u dhe të cilat do të jenë ende valide më 6 maj 2013.

Hoxha tha se KEK i bën këto investime sepse i konsideron të nevojshme.

“Ato nuk mund të ndryshohen apo ndalen, as mund të dalin jashtë kornizave që i ka lejuar ZRrE”, shtoi ajo. “Andaj edhe puna nuk mund të ndalet apo të stagnojë për arsye të privatizimit dhe duhet të vazhdojë sipas planit të paraparë nga menaxhmenti i KEK dhe aprovimi i këtij plani nga rregullatori”.

Tenderët me Procedura të Negociuara

Korporata Energjetike e Kosovës për tenderët e lartë-përmendur kishte shfrytëzuar procedurat e negociuara.

Sipas ligjit për prokurim publik, tenderët përmes këtyre procedurave mund të bëhen në raste të veçanta, si për shembull, nëse natyra e shërbimeve të kërkuara bën që nuk mund të përgatiten specifikacionet e kontratës në përpikëri në mënyrë që të lejojnë dhënien e kontratës duke zgjedhur tenderuesin më të mirë.

KEK nuk ka komentuar për këto procedura deri pas publikimit të artikullit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me kompanitë që kanë fituar këta tenderë dhe ka vërejtur se disa nga kompanitë fituese nuk janë në dijeni për punët që KEK i ka kërkuar nga ata.

Dukagjin Vesvesja, pronar i kompanisë “Montkomerce” nga Gjakova, tha se punimet në këtë qytet i kanë kryer më herët.

“Nuk më kujtohet saktësisht, por e di që ka qenë kah fundi i viti të kaluar”, Vesvesja i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Kompania e tij ka qenë në konzorcium me kompaninë “Monting” në tenderin për “përforcim dhe zgjerim të rrjetit distributiv” në shumë prej 339,158 euro.

Sami Ahmeti, pronar i kompanisë “Monting” i tha Gazetës Jeta në Kosovë se tenderi i fundit është pjesë e tenderit të parë të shpallur në vitin 2010 nga KEK-u.

“Ka kaluar afati i ankesës dhe të hënën do të nënshkruajmë kontratën”

Në shtator 2010, KEK-u i kishte dhënë kontratë konzorciumit “Monting” dhe “Montkomerce” për zgjerimin dhe përforcimin e rrjetit distributiv me shumë prej 4,3 milionë eurosh.

Ahmeti thotë se është në dijeni për tenderin e fundit por shpreh habi se pse nuk e kanë ftuar që të nënshkruajë kontratën.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, data e planifikuar për nënshkrim të kontratës ishte planifikuar 11 shkurti 2013. 

Nexhmi Ahmeti, pronar i kompanisë “Monten”, po ashtu thotë se kompania e tij kishte kryer punët për të cilat ka qenë i angazhuar në zgjerimin e trafostacionit në Ferizaj.

“Punët janë kryer para vitit të ri. U kry një punë shumë e mirë”, Ahmeti i tha gazetës. Edhe tenderi për kompaninë Monten kishte paraparë nënshkrimin e kontratës më 20 shkurt.

Po ashtu, Ymer Mehmeti, zyrtar nga kompania “Engineering DASS” nga Ohri i Maqedonisë, thotë se punët janë kryer për tenderin që kishte fituar në konzorcium me “Eco Trade”.

Pronari i “Engineering”, Sandre Tropovski, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se nuk është shumë në ngjarje me këtë tender duke kërkuar kohë për të verifikuar me stafin e tij në Prishtinë.

Më vonë, ai shpjegoi se kontrata e fundit me KEK do të nënshkruhet të hënën, 25 shkurt pasi që ka kaluar afati i ankesave.

“Ka kaluar afati i ankesës dhe të hënën do të nënshkruajmë kontratën”, tha Tropovski. Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, data për nënshkrimin e kontratës është 13 shkruti 2013.

“Tjetër nuk di. Nuk jam shumë i udhëzuar”, tha Tropovski.  

Po ashtu, edhe partneri i tij nga kompania Eco Trade, Mehdi Zhugolli, nuk është në dijeni për thirrje të nënshkrimit të kontratave. “Kam dëgju për aneks kontratë por nuk më kanë thënë gjë për të nënshkruar”, tha Zhugolli.

KEK-u flet pas publikimit të artikullit. Calik-Limak-ut nuk i interesojnë aktivitetet e KEK-ut

Vetëm pas publikimit të hulumtimit të Gazetës Jeta në Kosovë, KEK-u ka komentuar të hënën kontratat në fjalë duke thënë se obligimet financiare do t’i kryej pronari i ri i distribucionit. 

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala tha se bëhet fjalë për punë të mbetura nga kontrata më 2010 me punime që kanë vazhduar edhe vitin tjetër 2011. “Pra, punë shtesë për arsye të ndryshme si probleme pronësore, pengesa gjatë implementimit të kontratës dhe pengesa tjera. Është shtyrë për këtë vit sepse vitin e kaluar nuk ka pasur buxhet”, ka thënë Buzhala.

Sipas tij, këto nuk janë investime të KEK-ut.

“Projektet janë vazhdimësi, ose më mirë të themi punime të cilat kërkohen të kryhen me Aneks Kontratë, janë punime në projektet të cilat kanë filluar me kontratën e lartë cekur dhe angazhimi i një kontraktori të tretë ose kryerja e punimeve nga ndonjë pale tjetër paraqet rrezik në bartjen e përgjegjësisë dhe afatin garantues të projekteve në fjalë”, tha Buzhala, i pyetur se përse KEK-u ka zgjedhur procedurën e negociuar të kontratave.

Ai tha se kjo ndërmarrje e ka “njoftuar pronarin e ri lidhur me këtë projekt dhe në bazë të arsyeshmërisë së projekteve ka marrë pëlqimin e tij që të vazhdojë me implementim”. 

“Pagesat do të mbesin të kryhen nga pronari i ardhshëm, pasi që janë të ndërlidhura me progresin ne terren. Tani jemi ne dimër dhe deri ne pranverë nuk do të fllojnë punimet për shkak të kushteve atmosferike”.

Por Ferhat Dinc, përfaqësues i konzorciumit Calik Limak Energy, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, i pyetur se a ka marrë KEK-u miratim nga konzorciumi, është përgjigjur: “Ne do ta marrim distribucionin në maj. Nuk na interesojnë aktivitetet e KEK-ut”.