Hetohet Transaksioni i Gjilanit me Kompaninë Austriake

Një prokur i qarkut në Gjilan ka nisur hetimet ndaj udhëheqësve lokalë të kësaj komune nën dyshimin se ka pasur parregullsi në një proces të partneritetit publiko-privat (PPP) të përfunduar në maj të këtij viti.

Me këtë transaksion, komuna dhe kompania private “Moser Group” e përfaqësuar nga “Ecovision” bashkojnë mjetet dhe e kthejnë ndërmarrjen publike rajonale “Higjiena” – përgjegjëse për pastërtinë e hapësirës, të tregut dhe varrezave të qytetit dhe grumbullimin e mbeturinave – në një ndërmarrje të re me emrin “EcoHigjiena”.

Në “EcoHigjienë”, që tash për 15 vjet do të drejtohet nga kompania austriake, ndërmarrja “Higjiena” kontribuon me pajisjet e saj ndërsa e para obligohet të investojë 1.5 milionë euro për tri vjet. Kompania austriake ka 51 për qind të aksioneve dhe profiti ndahet në bazë të kësaj përqidnje.  

Zyra e Rregullatorit për Ujë e Mbeturina thotë se kompania publike gjilanase Higjiena kishte performancë të kënaqshme.

Prokuroria e Qarkut në Gjilan ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se ka nisur hetime për kontratën e lidhur përmes PPP-së.  

Jetish Maloku, kryeprokuror i Qarkut në Gjilan, ka konfirmuar se prokuror i rastit është caktuar Afrim Shefkiu.

“Mund të konfirmojmë se hetimet kanë nisur dhe është caktuar prokurori i rastit. Nuk mund të japim më shumë informata për shkak se mund të prishen hetimet sepse janë në fazën fillestare”, ka thënë Maloku. 

Edhe prokurori i rastit Shefkiu nuk ka dashur të japë më shumë informata rreth këtij rasti. Ndërkohë Njësia për Krime Ekonomike ka nisur të marrë në pyetje të përfshirët në këtë rast. 

Vetë kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa ka konfirmuar emrat e katër vetave që janë marrë në pyetje deri më tash. 

Mustafa ka pohuar se hetues policorë deri më tash kanë marrë në pyetje Hatixhe Dakun zyrtare e prokurimit, Veton Nevzatin që kishte pozitën e zyrtarit për negociimin e kontratave përmes PPP-së, si dhe Nazim Jasharin e Afrim Hotin që ishin angazhuar në cilësinë e këshilltarit të transaksionit në këtë proces.

“Mua deri më tash nuk më kanë intervistuar rreth kësaj çështje. Por këto hetime janë shumë normale. Prokuroria e ka për detyrë të kryejë punën e saj e të hetojë kur dyshon se ka parregullsi”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se hetuesit nuk do të gjejnë asgjë të kundërligjshme në këtë proces.

“Unë ia kam dhënë besimin njerëzve të mi për të udhëhequr këtë proces dhe e kemi bërë një punë për të mirën e qytetarëve. Në asnjë rrethanë nuk ka pasur shkelje ligjore në dhënien me partneritet publiko-privat të ndërmarrjës “Higjiena”’, ka thënë kreu i komunës së Gjilanit.

Bashkimi i kapitalit privat me atë publik, sipas kreut të Gjilanit, do të ndikojë në të ardhmen në të mirë të qytetarëve përmes shërbimeve më cilësore që do të kryejë ndërmarrja e përbashkët.

Marrëveshja

Marrëveshja e lidhur më 23 maj të këtij viti mes Qemajl Mustafës e Christian Moser parasheh krijimin e ndërmarrjë së re “EcoHigjiena”.

Në këtë ndërmarrje, për një përiudhë 15 vjeçare, “Moser Group” e përfaqësuar nga “Ecovision” me bazë në Gjilan do ti mbajë 51 për qind të aksioneve kompania, ndërkaq 49 për qind të aksioneve do të ketë Kompania Rajonale e Mbeturinave “Higjiena”.

Kryetari Mustafa ka vlerësuar se kompania “Moser Group” më herët kishte përfunduar sukseshëm një pilot-projekt për grumbullim mbeturinash në Gjilan.

Kjo ishte bërë duke u bazuar në një marrëveshje mirëkuptimi mes Komunës së Gjilanit e kësaj kompanie private.

“Edhe në tender ka qenë më i miri si konkurrent dhe ka fituar”, ka deklaruar Mustafa.

Kushtet, siç i kërkuan kompanitë fituese

Hapja e garës publike ishte bërë në gusht të vitit 2011.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se në shtator të vitit 2010 Christian Moser i kompanisë Moser Group dhe Senad Ramaj i kompanisë “Ecovision” i dërguan një shkresë Kuvendit Komunal të Gjilanit dhe kryetarit Qemajl Mustafa.

Përmes kësaj shkrese, dy biznesmenët kërkuan nga organet komunale që të hartohet një model PPP-je për bashkëpunim mes tyre dhe kompanisë “Higjiena”.

Afaristët kërkuan që së paku 51 për qind të aksioneve të jenë në pronësi të tyre.

Kështu edhe vendosi më vonë Komuna e Gjilanit.

Ndërkohë Mustafa, pas shkresës nga këta dy afaristë, kërkoi nga Komisioni i Aksionarëve të ndërmarrjës publike-rajonale me bazë në Gjilan që të kërkojë nga bordi i kësaj ndërmarrje të nisë përgatitjet për një proces të partneritetit publiko-privat.

Mustafa angazhoi dy veta në cilësinë e këshilltarit të transaksionit.

Nazim Jashari e Afrim Hoti u angazhuan për të këshilluar në këtë proces.

Më 26 gusht të vitit të kaluar Zyra e Prokurimit në Komunën e Gilanit shpalli Njoftimin për Kontratë.

Kjo zyrë parakualifikoi dy kompani më datën 1 dhjetor të vitit 2011: Kompaninë Metali nga Vitia si dhe Eco Vision e Moser Group.

Më 23 maj të vitit 2012, Komuna e Gjilanit nënshkroi marrëveshjën e PPP-së me kompaninë “Moser Group” e përfaqësuar nga “Ecovision”.
 
Po ashtu Christian Moser e Qemajl Mustafa nënshkruan në këtë datë edhe statusin e kompanisë së re “EcoHigjiena”.

Në marrëveshje parashihej investimi i 1.5 milionë eurove nga kompania private e cila në kompaninë e re ka 51 për qind të aksioneve.

Po ashtu, kompania private është e obliguar të paguajë mbi 37 mijë euro si tarifë të këtij transaksioni.

Tjetër marrëveshje, më herët

Komuna e Gjilanit kishte lidhur marrëveshje me këtë kompani austriake edhe para se të hapej tenderi në fjalë.

Më 7 dhjetor të vitit 2009, Qemajl Mustafa e Christian Moser nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi për zbatimin e një pilot projekti gjashtë-mujor për testimin e sistemit të mbledhjës së mbeturinave.

Para se të lidhej kjo marrëveshje mirëkuptimi, kompania austriake më 27 tetor të vitit 2009 kishte bërë në Gjilan një prezantim të sistemit të mbledhjës së mbeturinave.

Njëri prej konsulentëve që punoi në këtë projekt adreson kritika për modelin e PPP-së që përzgjodhi tash komuna e Gjilanit.

Nazim Jashari ka pohuar për Gazetën Jeta në Kosovë se komuna nuk përzgjodhi modelin që u propozua nga këshilltarët e transaksionit.

“Ne kemi propozuar një model kontraktual të PPP-së. Në këtë rast investitori duhej të kishte një tarifë fikse që duhej t’i jepte komunës si profit’, ka thënë Jashari.

Ai tha se përzgjedhja që bëri komuna nuk është e kundërligjshme, por në këtë rast investitori duhet të monitorohet më shumë.

“Modeli që zgjodhi komuna – me ndarje të fitimit në bazë të aksioneve – lë hapësirë për manipulim të fitimit nga kompania private”, tha Jashari.

Jashari përmendet nga Mustafa si njëri prej njerëzve që është marrë në pyetje nga hetuesia. Jashari e ka mohuar këtë. Edhe konsulenti tjetër Afrim Hoti ka mohuar se është marrë në pyetje.

Ndërkaq Veton Nevzadi ka konfirmuar se është marrë në pyetje.

“Çështjet për të cilat kemi bashkëbiseduar kanë pasur të bëjnë me informacionet lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dhënies me koncesion 15 vjeçar te KRM “Higjiena” – Gjilan nga Kuvendi Komunal i Gjilanit”, ka deklaruar Nevzadi.

Ndërkohë Hatixhe Daku, zyrtare prokurimi, ka deklaruar se nuk është marrë në pyetje por vetëm se i ka dhënë komplet dosjen e këtij tenderi hetuesve policorë.

“E kanë kërkuar dosjën komplete dhe ua kam dhënë. Mua nuk më ka pyetur asnjë hetues për mbarëvajtjen e procesit”, ka deklaruar Daku.

Drejtues të  “Moser Group”  që kanë në pronësi kompaninë “Ecovisio”, nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës nëse janë marrë në pyetje nga hetuesit policorë dhe nuk kanë komentuar procesin e PPP-së.

Vërejtjet e autoriteteve qëndrore

Drejtuesit e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Higjiena” kishin kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Ujë e Mbeturina një intepretim ligjor rreth vendimeve të Komunës së Gjilanit për lejimin e një operatori privat që të angazhohet në një pilot projekt të mbledhjës së mbeturinave.

ZRRUM-i kur kishte marrë vesh për këtë e kishte vlerësuar si të papranueshëm vendimin e Komunës së Gjilanit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar shkresën që Mejreme Cërnabregu, kryesuese e Departamentit për Çështje Ligjore e Licencim, i ka dërguar drejtuesve të KRM “Higjiena”. Ndërmarrja Publike “Higjiena”, sipas kësaj shkrese, ishte e licencuar nga ZRRUM dhe ka obligim për të përmbushur licencën e saj.

“Në këtë kontekst, Pilot Projektin për testimin e sistemit të grumbullimit të mbeturinave e konsideroj si diçka të befasueshme (pa pranueshme) nga fakti se kompanitë të cilat i licencon ZRRUM-i obligohen të ofrojnë shërbime sipas standardeve dhe rregullave të nxjerra nga ZRRUM-i”, theksohet në këtë shkresë.

KRM “Higjiena”, konstaton ZRRUM-i, kishte kryer punën siç duhet pasi që një hulumtim mbi kënaqësinë e konsumatorëve të këtij shërbimi kishte treguar se kompanitë e licencuara për këtë veprimtari po tregojnë rezultate të kënaqshme.

Vërejtje ndaj këtij procesi ka dhënë edhe Ministria për Zhvillim Ekonomik përkatësisht Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike.

Kryeshefi Ekzekutiv i KRM Higjiena, Bajram Isufi, kishte kërkuar një intepretim të Ligjit për Ndërmarrje Publike për shkak të rrethanave të krijuara nga vendimet e organeve komunale në Gjilan.

Ramadan Sejdiu, drejtor i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në shkresën drejtuar Isufit, kishte gjetur vërejtje për sa i përket regjistrimit të ndërmarrjës së re të dalë pas procesit të partneritetit publiko-privat.

“Pas një njoftimi të KE te KRM Higjiena mbi këtë proces dhe shikimit të statutit të entitetit në partneritet, kemi vërejtur se ky entitet me aksione të përbashkëta ishte si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar dhe komenti ynë ishte që: pasi ky entitet është i përbërë prej aksioneve të përbashkëta, mbështetur në Ligjin mbi Shoqëri tregetare, do të duhej të ishte Shoqëri Aksionare e jo SHPK”, ka deklaruar Sejdiu për Gazetën Jeta në Kosovë.

“MZHE nuk ka ingerencë për marrjen e masave lidhur me këtë , por Agjencioni i Regjistrimit te bizneseve sigurisht se do ta këtë parasysh këtë”, ka thënë ai.

Ndërkohë këtë e ka pranuar edhe Mehdi Pllashniku, koordinator për çështje juridike e praktike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Pllashniku ka deklaruar se kjo ndërmarrje nuk është dashur të regjistrohej si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar. Por, ai nuk ka dhënë një përgjigje nëse ARBK-ja do ta çregjistrojë këtë ndërmarrje si Sh.P.K dhe do ta regjistrojë si Shoqëri Aksionare.
 
Humbësi i tenderit pretendon se Komuna veproi kundërligjshëm

Kompania “Metali” nga Vitia, që konkurroi në këtë tender, ishte para-kualifikuar nga Komuna e Gjilanit.

Zyra e Prokurimit e kësaj komune e njoftoi këtë kompani se ishte kualifikuar si konkurrent i dytë dhe do të ftohej në negociata nëse komuna e Gjilanit nuk do të lidhte marrëveshje me të parakualifikuarin e parë në rënditje që ishte “Moser Group” .

Kjo kompani u ankua në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Por, ky autoritet e shpalli të pavlefshme ankesën e kësaj kompanie pasi ishte dorëzuar në OSHP jashtë afatit ligjor.

Bazuar në vendimin e OSHP-së kompania është dashur të ankohej atëherë kur është parakualifikuar si operator i dytë në rënditje e jo tek pas nënshkrimit të kontratës së Komunës së Gjilanit me fituesin e tenderit.

Por, Elbasan Alidema, pronar i kompanisë “Metali”, tha se përkundër këtij vendimi të OSHP-së ka vazhduar të ankohet kundër vendimit të qeverisë komunale në Gjilan.

Alidemaj është intervistuar nga Njësia për Krime Ekonomike në Gjilan ku ka folur për pretendimet e tij kundër këtij vendimi.

“Kompania që e ka lidhur kontratën nuk ka plotësu asnjë kriter. Komuna e ka bërë publik vetëm njoftimin për parakualifikim por jo edhe njoftimin për dhënie të kontratës”, ka deklaruar Alidemaj.

Fillimisht, sipas tij, në Njoftimin për Kontratë është specifikuar se kohëzgjatja e partneritetit Publiko-Privat ishte vetëm dhjetë vite.

Por, pasi kanë nisur negociatat, Kuvendi Komunal ka vendosur që kohëzgjatja të jetë 15 vite.