Nuk Shqetëson ‘Occupy Prishtina’

Rasti i Sevdije Sadikut është i njohur për Presidencën, EULEX’in dhe Avokatin e Popullit. Njëzetekatërvjeçarja, e cila dikur jetonte në lagjen e boshnjakëve në Mitrovicë, ka diplomë masteri për juridik. Por, shkollimi nuk iu ka kthyer asaj në punë.

Sevdija ka tentuar të gjejë një vend pune në 109 konkurse ku ka aplikuar, por që të gjitha i kishin shkuar huq. Tani ajo me dyshim duhet të vështrojë të dhënat për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies sociale. 

Qeverisë thotë se norma e zhvillimit ekonomik vjet ishte pesë për qind ndërsa sivjet do të jetë edhe 0,5 për qind më e lartë. Në periudhën afatmesme rritja planifikohet në mes 7-8 për qind. Kjo, parimisht, duhet të ndikojë që papunësia të zbutet kah 10 për qind. 

Të gjitha këto shifra do të duhej të ndikonin edhe në zbutjen e varfërisë. Mirëpo, kjo nuk  po  ndodhë. Sikur Sevdija, në fund të qershorit, ishin 3 mijë e 821 persona të cilët kanë diplomë universitare, kurse në zyrat rajonale evidentohen të papunë. Ky numër është 7 për qind më i lartë se në dhjetor të vitit të kaluar dhe 12,5 për qind më i lartë se në fund të vitit 2009.   

Kosova nuk e ka problem vetëm punësimin e të diplomuarve nga fakultetet. Papunësia dhe varfëria janë ndër problemet kryesore shoqërisë ndërsa Qeveria nuk ka ndonjë plan specifik se si do të zbus ato.

Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, në fund të qershorit ishin 336.126 të papunë, ose 886 veta më pak se gjashtë muaj më herët dhe 2269 më pak se në fund të vitit 2009. Nga ana tjetër një hulumtim i UNDP’së për gjendjen sociale, i prezantuar për ditën e varfërisë javën e kaluar, tregon se papunësia është në rritje dhe në këtë gjendje janë 48 për qind e popullatës së aftë për punë, norma e varfërisë është 5 për qind, kurse në gjendje mjerimi janë 15 për qind e popullatës.

Krejt komunat më pak se një ministri

Tregues të tjerë, megjithatë, sfidojnë nivelin e lartë të papunësisë dhe të varfërisë. Së pari norma e rritjes ekonomike prej pesë për qind që do të rritet edhe sivjet si dhe investimet publike këtë vit do të jenë 200 milionë euro më të larta se vitin e kaluar kur shifra ishte 400 milionë. Edhe investimet private janë rritur për 6 për qind.

Muhamet Sadiku, prodekan në ‘AAB-Riinvest’ dhe doktor i shkencave ekonomike, thotë se në Kosovë ende nuk ka vetëdije për implikimet sociale dhe të mirëqenies.

“Disa sektorë të ekonomisë për nga natyra organike e kapitalit vështirë shpërndahen në benefite për të gjithë”, thotë Sadiku. “Përvojat tregojnë se përmirësimi i situatës së papunësisë më së miri do ta shprehë cilësinë e rritjes ekonomike ose kur do të sigurojmë një rritje për të gjithë. Prandaj duhet një rritje e qëndrueshme, ku investimet publike nuk do të jenë bartës kryesor të saj”.

Ai thotë se mosshpërndarja e pasurisë ndikon në mënyrë esenciale në kushtet e jetesës. Sadiku thotë se hulumtimet shkencore kanë treguar se banorët e Fushë-Kosovës marrin vetëm 54,5 për qind të nivelit të hyrave të banorëve të Prishtinës ndonëse qytetet janë aq afër njëra-tjetrës ndërsa kjo shifër thellohet në 46,5 për qind në Malishevë. 

Kjo laramani e shifrave është e dyshimtë për zëvendëskryeministren Mimoza Kusari-Lila pasi ajo thotë se vendi ka statistika të kufizuara, kurse edhe ato që ekzistojnë vuajnë për saktësi. 

“Mirëpo mund të pajtohem se nuk ka pasur rënie të papunësisë dhe zvogëlim të varfërisë në proporcion me rritjen ekonomike”, thotë ajo. “Një pjesë e përgjigjes qëndron tek fakti që rritja ekonomike është shtyrë nga shpenzimet publike të cilat nuk kanë arritur ta ‘elektrizojnë’ sektorin privat”.

Ilustrimi më i mirë  për shtrirjen e pavolitshme të investimeve publike del nga buxheti i Kosovës për vitin 2011 dhe nga Korniza e Shpenzimeve Afatmesme. Shuma më e madhe e parasë publike thithet nga ‘autostrada e kombit’, përkatësish pjesa kosovare prej Vërmicës deri në Merdare.  

Autostrada merr 81 për qind (275 milionë) të totalit të buxhetit për investime kapitale të Ministrisë së Infrastrukturës, e cila do të ketë rritje të vazhdueshme deri në vitin 2013. Në shumën e përgjithshme për investime publike në tërë vendin ajo merr pjesë deri në 20 për qind.  

Nga ana tjetër, në këtë projekt numri i të punësuarve është i kufizuar, deri në dy mijë veta – por punësimi është i paqëndrueshëm. Ata mund të punojnë deri në mbyllje të punimeve, me rrezik që sërish të kthehen të papunë në kohën kur kushtet klimatike nuk lejojnë ekzekutimin e projekteve, si do të ndodhë gjatë dimrit të sivjetmë.

Po ashtu, sivjet vetëm 12 për qind të parasë kanë shkuar për projekte të reja, kurse të gjitha komunat e vendit së bashku nga buxheti marrin më pak se vetëm një agjenci buxhetore – Ministria e Infrastrukturës.  

Pritet që edhe kur të kryhet autostrada ajo nuk do të sjell efektet ekonomike të proklamuara, e as që premton për kthim të investimeve.

Shpërndarja jo e barabartë e investimeve publike dhe ngecja e atyre private krijojnë një hartë elastike sociale. Kështu Mitrovica dhe Prishtina kanë përafërsisht numër të njëjtë të të papunëve të evidentuar – nga afër 65 mijë – si edhe të familjeve që përfitojnë ndihma sociale – nga 9,5 mijë – ndërsa në kryeqytet jetojnë 11,5  për qind  e popullatës së tërësishme ndërsa në qytetin  e dikurshëm industrial 4,2  për qind e saj, sipas regjistrimit të fundit.

Për Kusari-Lilën, kjo mungesë barazie ka rrënjët në histori por edhe në disa veçori që kanë komunat. “Pabarazia është ndikuar nga faktorët historikë, mungesa e industrializimit, shkatërrimet që ndodhën nga lufta, mungesa e traditës prodhuese etj.”. 

“Por, kanë ndikuar edhe trendët e kohëve të fundit, përkatësisht zhvillimi i politikave që kanë ndikuar në cilësinë e investimeve publike në rajone të caktuara dhe lëvizjet e popullatës drejt qyteteve, përkatësisht kah kryeqendra”. 

Kush ka xhirollogari me vlerë

Ata mund të kenë llogarive rrjedhëse nëpër banka, por 1,4 milionë kosovarë nuk do të thotë se kanë edhe para në to. Mirë, më shumë sesa kërkohen për ta mbajtur llogarinë të hapur.  Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, që dalin nga një raport vjetor i saj i miratuar në shtator nga Parlamenti, rreth 70 për qind të pronarëve të kontove, në depozita kanë deri në dy mijë euro. 

Occupy Prishtina
Foto: www.flickr.com

 

Rasti i Bankës Kreditore në likuidim është ilustrues pasi aty ku deri në fund të vitit 2010 ishin rimbursuar 50.92 për qind e shumës së depozitave, respektivisht 99,80 për qind e numrit të llogarive. Nga kjo del se shumën më të madhe të parave e kanë 30 për qind të pronarëve të llogarive.

Një indikator tjetër i shtrirjes së pasurisë është mënyra e qarkullimit të kësaj paraje. Bankat komerciale ka dy vite kanë ndërmjet 400 e 500 milionë euro para të lira që plasojnë kryesisht jashtë vendit. Ndërkaq, në fund të dhjetorit në kredi kishin afër një miliard e 400 milionë euro. 

Ndërmarrjet, përkatësisht bizneset, kanë marrë 70,5 për qind të kësaj shume, kryesisht tregtia dhe shërbimet. Se pak përfitojnë degët prodhuese, të cilat kanë një ndikim më të madh në punësim, tregon fakti se bujqësia këtu merr pjesë vetëm me 3,7 për qind. E nga ana tjetër, pa marrë parasysh se Kosova ka afër 105 mijë biznese të regjistruara, qarkullim më të madhe se 2,5 milionë euro në vit kanë afër 400 biznese, aq sa janë të evidentuar si tatimpagues të mëdhenj.

Nga kjo del se bankat janë barometri më i qartë, i cili tregon se paraja është në duart e një numri të vogël të njerëzve dhe qarkullimi i saj nuk jep efekte të mëdha sociale. Ndërkaq individëve të caktuar u sjell shumë fitime. 

Pra, edhe në Kosovë duket se aplikohet afërsisht formula tash shumë aktuale – “ 1% vs. 99%”, e dëgjuar në protestat “Occupy Wall Street”. Që nga mesi i vitit 2010 lëvizja organizon protesta në New York, por që janë zhvilluar edhe në qytete tjera, kundër pabarazisë ekonomike dhe sociale si dhe pushtetit të gjerë të korporatave. 

Por, “Occupy Prishtina” nuk duket në horizont se do të fitojë aso përkrahje. As kur është e qartë se investimet nuk po sjellin të mira të përgjithshme, varfëria dhe papunësia mbeten të palëkundura, kurse kapitali bankar qarkullon brenda një rrethi të ngushtë të njerëzve për të cilët shteti ka një përkujdesje më të madhe se ndaj pjesës shumicë të popullatës. 

 

Grupi i vogël ka shprehur pakënaqësinë e vet para qeverisë së Kosovës me protestat e tij. Protesta ishte mbajtur më 18 tetor 2011 duke korresponduar me ato jashtë vendit ku është protestuar për ndryshimet globale. Kjo lëvizje ka rreth 400 adhurues në Facebook por ka zgjuar kërshëri vetëm të një grup i ngushtë në ditët e protestave, deri më tash.

Mirëpo, njëri prej organizatorëve, Yll Rugova, thotë se protestat e ‘Occupy Prishtina’ janë në përparim e sipër dhe se numri i protestuesve po shtohet.”Nuk është me rëndësi numri i pjesmarrësve sa është krijimi i mundësisë për me mbajtë gjallë një grup dhe grupim ku njerëzit munden me protestu për pakënaqësitë e tyre”, ka thënë Rugova. “Iniciativa nuk është e ngarkuar ideologjikisht”.

Protesta e rradhës mbahet të Shtunën, 29 Tetor përsëri para qeverisë dhe grupi është në diskutim e sipër për organizime tjera në nëntor. 

 

Shteti kosovar ishte i gatshëm që edhe të paguaj me paratë e tatimpaguesve për të korrigjuar dështimet eventuale individuale brenda sistemit bankar kur Qeveria në vitin 2009, duke e parë gjendjen globale financiare, pati deklaruar se i ka në dispozicion 200 milionë euro të intervenojë nëse i njëjti lëkundet.

Nuk u manifestua as ndonjë brengosje e madhe edhe për faktin se afër 80 milionë euro të kursimeve pensionale humbën për shkak të investimeve të këqija, përkatësisht rënies së çmimit të aksioneve, por as nga fakti se humbja po vazhdon dhe çmimet e aksioneve po bien.     

Agron Demi, menaxher ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara – GAP, nënvizon mungesën e praktikës së demonstrimit nga ana e kosovarëve për gjendjen ekonomike. 

“Të gjitha protestat e deritashme kanë pasur preokupim çështjet politike”, thotë Demi. “Por, tash protestat nuk përjashtohen. Udhëheqësit politikë gjithnjë e më shumë po pasurohen, kurse qytetarët po varfërohen. Kjo po krijon mosbesim në politikën e vendit, që vërehet me rënien e vazhdueshme të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje”.

Ai përmend rastin e vreshtarëve të Rahovecit kur vitin e kaluar kundërshtuan me ca sukses kushtet që ofronin grumbulluesit e rrushit. Tani, thotë Demi, shkas mund të jetë edhe privatizimi i dështuar i ndërmarrjeve shoqërore dhe ndarja e 20 përqindëshit për punëtorët. 

Nuk ka indikacione se gjendja mund të përmirësohet shpejt dhe as se prej nga ajo mund të vijë. Sektori privat nuk ka ambient për një cikël të fuqishëm investues, siç tregoi edhe një raport i këtij muaji i Bankës Botërore, kurse investimet kapitale të buxhetit të vendit edhe për një kohë do të jenë të orientuara në infrastrukturë, duke reduktuar paranë që mund t’iu jepet komunave. 

Lumir Abdixhiku, drejtor i institutit “Riinvest”, thotë se modeli zhvillimor i Kosovës mbështetë idenë e një shpërndarje të pabarabartë të rritjes ekonomike.

“Shkak kryesor prapa një modeli të tillë është paaftësia e sektorit privat për të qenë shtytës kryesor i rritjes.  Përderisa rritja ekonomike udhëhiqet nga sektori publik dhe korrupsioni determinon shpërndarjen e parasë nga ky sektor, atëherë çdo gjenerim i vlerës së re do të grumbullohet rreth grupeve të ngushta të interesit, kryesisht përfitues të parasë publike”.

Prandaj, thotë Abdixhiku, nuk është aspak i çuditshëm fakti se përkundër rritjes ekonomike parametrat e papunësisë dhe varfërisë mbesin të pandryshuar.