Kompanitë Ankohen se u Dëmtuan nga Çmimet e Thëngjillit

Ndërmarrja “Tulltorja” nga Landovica e Prizrenit merret më pjekjen e tullave. Për të zhvilluar këtë veprimtari asaj i duhet si lëndë djegëse – thëngjill.

Xhemajl Zeqiri, udhëheqës komercial i kësaj ndërmarrjeje, thotë se në mungesë të thëngjillit në Kosovë, janë detyruar të importojnë nga vendet e rajonit. Thëngjillin e importojnë nga Plevle, Mali i Zi.

Zeqiri tregon se importimi i thëngjillit u kushton dyfish më shtrenjtë në krahasim me çmimin që e merrnin në Kosovë – kjo shkaku edhe i transportit.

“Një ton thëngjill nga Plevle ndërmarrjes i kushton rreth 96 euro”, tha Zeqiri, për Gazetën Jeta në Kosovë. “Çmimin për një ton në Kosova Thëngjill, e paguanim përafërsisht 44 euro”.

Bazuar në të dhënat që ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, ndërmarrja “Tulltorja” vetëm gjatë vitit 2012 ka importuar 543.48 tonë thëngjill.

Përkthyer në çmim, del se “Tulltorja” vetëm gjatë kësaj periudhe të vitit 2012 ka blerë 52,174.08 euro thëngjill nga importi, kurse do të harxhonte 23.913.12 euro me thëngjill kosovar.

“Këto çmime e kanë dëmtuar tej mase ndërmarrjen tonë ”, tha Zeqiri.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar javën e kaluar se sipas një draft-strategjie të Qeverisë së Kosovës vendi ka rreth 12.5 miliardë tonë rezerva thëngjilli, e një raport i Bankës  Botërore  i vitit 2005 thotë se këto rezerva kapin shifrën e 15 miliardë tonë.

Por që nga 15 nëntori i vitit të kaluar KEK-u nuk ka vazhduar kontratën me “Kosova Thëngjill” sh.a. – me të cilën ishte ndarë në vitin 2003  -ndërmarrje që merrej me përpunimin e thëngjillit. 

Sipas një shkrese të “Kosova Thëngjillit” të dërguar në Parlamentin e Kosovës më 4 shtator, që atëherë industria e vendit dhe institucionet publike (si shkollat) blejnë thëngjillin nga importi. E gjithë kjo, sipas saj, i ka kushtuar vendit mbi 8 milionë euro

Që nga fillimi i vitit 2012 janë importuar nga vendet e rajonit rreth 97.922 tonë thëngjill nga 23 ndërmarrje kosovare, tregojnë të gjeturat e Gazetës Jeta në Kosovë. Kompanitë ankohen se janë dëmtuar.

Ndërmarrja “Elshani”, e cila gjendet në fshatin Medvec të komunës së Prizrenit, gjatë periudhës nëntë mujore të këtij viti ka importuar 286 tonë nga Mali i Zi dhe Bosnja.

Mejdi Elshani, njëri prej drejtuesve të kësaj kompanie, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se tani importi nga vendet e rajonit kapë shifrën e 130 eurove për një ton thëngjill.

“Ndërmarrja jonë që 20 vite importon nga jashtë, por me mbylljen e ‘Kosova Thëngjill-it’, është rritur çmimi i importit”, tha Mjedi Elshani, për gazetën Jeta në Kosovë.

Elshani tregon se qymyrin e importojnë nga “Xehrorja e Thëngjill-it” në Plevle, si dhe nga Bosnja. “Tani, një ton thëngjill e paguajmë katërfish më shumë”.

Me qymyrin e importuar nga jashtë, ndërmarrja “Elshani”, shet dhe furnizon sipas kërkesave që kanë brenda Kosovës. “Po punojmë thuajse pa fitim”, tha Elshani.

Të dhënat e siguruara nga gazeta tregojnë se listës së 23 importuesve i prijnë “Newco Ferronikeli” me rreth 90 mijë tonë, “New Lepenci” me rreth 4 mijë tonë, “Remateks” me rreth 1500 tonë thëngjill të importuar.

Qeveria e Kosovës është zotuar se deri në fillim të tetorit do të rregullohet gjendja e prodhimit të thëngjillit për tregun e brendshëm nga KEK-u.