Katër Vjet për Shitjen e PTK-së

Qeveria po përpiqet të përmbyllë privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) në vitin e katërt të kësaj nisme, një proces i udhëhequr fillimisht nga ministri Ahmet Shala e më vonë Besim Beqaj, të dy profesorë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës dhe të dy biznesmenë që kanë udhëhequr biznese me emër të ngjashëm.

Shala kishte drejtuar një Qender për Gjuhë të Huaja me emrin “Cambridge” ndërsa Beqaj një gjimnaz në Pejë të quajtur “Cambridge School”.

Procesi i shitjes së PTK-së asnjërit nuk i kishte ecur mirë pasi tenderi i parë i hapur nga Qeveria kishte marrë shumë kohë për t’u përgatitur, shumë para dhe në fund kishte dështuar. Tash, ajo drejton tenderin e dytë ku pret që më në fund të gjejë blerës të shumicës së aksioneve të ndërmarrjes më profitabile publike në vend.

Fituesi i garës për blerjën e 75 për qind të aksioneve të PTK’së, sipas ministrit për Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, pritet të shpallet brenda tremujorit të fundit të këtij viti. E tenderi për blerjen e aksioneve, thotë ai, do të shpallet në shtator.

Në të kanë të drejtë të konkurrojnë vetëm pesë Operatorët Ekonomikë të cilat janë para-kualifikuar nga Komiteti Qeveritar i Privatizimit, të premten.

KQP’ja eliminoi të premten tri kompani tjera që kishin shprehur interesim për blerje aksionesh në PTK. Kompania “Elkos Group” e deputetit të AAK’së Ramiz Kelmendi, Monaco Telecom dhe GEN’i me bazë në Luksemburg nuk kishin plotësuar kriteret e Qeverisë së Kosovës për pjesëmarrje në këtë tender.

Në tenderë mund të konkurrojë “Albright Capital Management LLC” e ish-sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright e cila është në konzorcium me Portugal Telecom, kompania turke “Turkcell”, M1 International Limited nga Libani , konzorciumi i përbërë nga “Twelve Hornbeams” e “Avicena Capital LLC” , i cili ka bashkëpunim me Sofrecom që është pjesë e France Telecom si dhe si dhe  konzorciumi i përbërë nga “Columbia Capital” dhe  “ACP Axos Capital Gmbh”, i cili ka bashkëpunim me “British Telecom” .

Blerësi i mundshëm i PTK’së i lidhur me IPKO’në

Madeleine Albright, kryesuese e “Albright Stonebridge Group”, figuron ende si aksionare në kompaninë IPKO Telecomunications, që konkurron VALA’n në tregun e telefonisë mobile, sipas Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë për Tregti e Industri (MTI).

Kjo ngrehë dilema të monopolit pasi Vala e PTK-së dhe IPKO janë operatorët e vetëm në treg.
 
Albright Stonebridge Group nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se a i mban ende këto aksione ish-sekretarja amerikane e shtetit apo i ka shitur në kohën kur këtë e kishin bërë shumica e aksionarëve të IPKO’s.

Përgjigje për këtë deri më tash nuk ka dhënë as kompania IPKO dhe as themeluesit e saj të kontaktuar nga gazeta.

Në raportin vjetor të Telekom Slovenije për vitin 2011, thuhet se ajo ka 93.11 për qind të aksioneve në operatorin IPKO dhe pjesën tjetër e kanë “të tjerët”. Emrat e aksionarëve tjerë nuk përmenden në raport. Ai tregon se operatori kishte 70.4 milionë euro të hyra operacionale më 2011.

Por ekzistojnë raportime në internet, sikurse në dnevnik.si më 2011, ku Madeleine Albright referohet si ish-aksionare në Ipko. Kështu, ekziston konfuzion në lidhje me ndërlidhjen e saj aktuale me operatorin e dytë mobil kosovar.

Ndërkohë Ministria për Zhvillim ka dhënë disa shpjegime për profilin e firmës “Albright Capital Management LLC”, që kryesohet nga ish-sekretarja amerikane, në një kumtesë për media ku ka njoftuar për historikun e konkurrentëve.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga kjo ministri, firma është themeluar në vitin 2003 por që nga viti 2007 ka ngritur fonde për investime në vlerë prej mbi 600 milion dollarësh.

Po ashtu kompania ka asete nën menaxhim në vlerë prej mbi 700 milion dollarësh.

Ndërkohë, telekomi portugez, që është në konzorcium me ACM’në, sipas njoftimit të MZHE’së, operon në disa vende të botës dhe ka të hyra vjetore prej afër 4 miliardë eurosh.

Aferat për korrupsion larguan telekomin kroat

Edhe në tenderin e parë Qeveria e Kosovës pati bërë përzgjedhjen e pesë konkurrentëve për të garuar për fazën e para-kualifikimit në tenderin për shitjen e PTK-së ku bënin pjesë kompanitë “AlbTelecom”,  “Hrvatski Telekom” d.d , “Orascom Telecom Holding” S.A.E. nga Egjipti, “Telekom Austria” AG dhe “Sabafon” nga Jemeni.

Tri kompani ishin eliminuar nga Qeveria e Kosovës dhe në garë kishin mbetur vetëm “Telecom Austria” dhe “Hrvatski Telecom”.

Por, telekomi kroat ishte tërhequr dhe në një deklaratë dhënë mediave kishte shpjeguar se këtë e kishte bërë për shkak të akuzave për korrupsion të ngritura ndaj krerëve të PTK’së.

Ministri Beqaj më vonë në një konferencë shtypi kishte mohuar se kjo ishte arsyeja e vetme e tërheqjes së telekomit kroat pasi që, sipas tij, pronari i “Hrvatski Telecom” që është Deutche Telecom kishte disa probleme me afarizmin e saj dhe se kjo mund të ishte një prej arsyeve të mos konkurrimit në tender.

Pasi që kishte mbetur vetëm një ofertues në garë, Qeveria kishte anuluar tenderin. Ministri Beqaj nuk kishte pranuar ta quante këtë dështim të Qeverisë edhe përkundër shpenzimeve milionëshe që ishin bërë në përgatitjen e këtij procesi.

Për të joshur konkurrentët, Qeveria atëherë pati organizuar Konferencë të Investitorëve për blerjen e PTK’së në Prishtinë ku kishin marrë pjesë mbi 10 kompani ndërkombëtare.
Ndërkohë në tenderin e dytë Qeveria ka mbajtur dy Konferenca të Investitorëve ku njëra është mbajtur në Stamboll e tjetra në Londër.

Kur procesi i privatizimit kishte nisur, Qeveria pati caktuar një prag minimal të shitjes që ishte 300 milionë euro. Ministria për Zhvillim Ekonomik nuk ka dhënë një përgjigje nëse ky prag minimal vlen edhe për tenderin e dytë.

Qeveria harxhoi miliona për tu këshilluar

Para tri vitesh Ministria e Ekonomisë e Financave e udhëhequr nga Ahmet Shala kishte angazhuar kompanitë “Telco Ag” e “Wolf Theis” për të dhënë këshilla për procesin e privatizimit të PTK’së.

Kontrata e lidhur mes Qeverisë së Kosovës dhe këtij konzorciumi peshonte 1 milionë e 150 mijë euro. Veç kësaj, kompanitë mund të fitonin një bonus prej 0.39 për qind të vlerës së shitjes së kompanisë.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës përveç Këshilltarit të Transaksionit kishte angazhuar edhe një Këshilltar Strategjik.

“Hunton & Williams LLP” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte lidhur një kontratë në vlerë prej 550 mijë eurosh me Qeverinë e Kosovës për kryerjen e këtij shërbimi.

Pasi që tenderi ishte anuluar, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që të angazhojë një këshilltar të ri transaksioni në tenderit e dytë.

Për këtë kishte lidhur një kontratë në vlerë prej 2 milionë e 495 mijë eurosh me konzorciumin francezo-austriak  “Lazard Freres S.S.S dhe Raiffeisen Investment AG”.