Firma e Madeleine Albright në Tenderin e PTK-së

Qeveria e Kosovës ka pranuar aplikacionet e tetë kompanive që janë para-kualifikuar për blerjen e aseteve të ndërmarrjes publike Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës Sh.A, PTK.

Njëra ndër kompanitë që është para-kualifikuar është edhe firma e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright – Albright Capital Management LLC.

Në faqen zyrtare të kësaj firme këshilluese për investime në tregjet e reja, shkruan se ajo kryesohet nga Madeleine K. Albright, sekretarja e 64-të amerikane e shtetit.

Aplikimi i fundit për blerjen e 75 për qind të aseteve të PTK-së ka qenë 13 gushti.

Kompanitë tjera që janë parakualifikuar janë: Avicenna Capital LLC në konsorcium me Twelve HORNBEAMS ( Mbretëria e Bashkuar, Poloni ), Columbia Capital në konsorcium me ACP Axos Capital Gmbh (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani), Elkos LLC (Kosovë), Geni Capital (Luxemburg), M1 International Limited (British Virgin Islands), Monaco Telecom International SAM ( Monaco ) dhe Turkcell (Turqi ).

Komisioni Qeveritar i Privatizimit të PTK-së tha se ky numër i lartë i kompanive pjesëmarrëse në këtë proces tregon një interesim “shumë të madh dhe një konkurrencë të lartë për blerjen e aksioneve të kësaj ndërmarrje të rëndësishme publike”.

“Ofertat e pranuara, do të vlerësohen nga një komision profesional i përbërë nga zyrtarët e të gjitha ministrive të përfaqësuara në KQP. Komisioni vlerësues në punën e vet do të ndihmohet edhe nga këshilltari i transaksionit”, thuhet në komunikatën e ministrisë së zhvillimit ekonomik, MZHE.

Në tetorin e vitit kaluar, qeveria kishte anuluar tenderin e parë për privatizimin e PTK-së si pasojë e dështimit të procesit të para-kualifikimit.

Më 3 qershor 2011, u shpallën rezultatet e kualifikimit për këtë procedurë ku shkonin vetëm Hrvatski Telekom d.d. (HT) nga Kroacia dhe Telekom Austria AG.

Hrvatski Telekom kishte dërguar letër në Qeverinë e Kosovës, me të cilën e njoftonte për planin e saj të tërheqjes nga para-kualifikimi, mes tjerash, shkaku i problemeve me korrupsion në PTK.

Procesi i përgatitjes së tenderit për PTK-në, që nga viti 2008, i ka kushtuar autoriteteve kosovare rreth 5 milionë euro.