Lobistët e Thaçit Sjellin McDonaldsin në Kosovë

Kompania e diskutueshme e fast-foodit është biznesi i vetëm që është dhënë me emër si subjekt i lobimit nga firma “Patton Boggs”, në takimet e saj për të promovuar Kosovën si një vend për të bërë biznes.

Sipas dokumenteve të paraqitura në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së nga “Patton Boggs”, firma e lobimit iu shkroi e-maila, iu telefonoi dhe mbajti një takim me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, në lidhje me hapjen e zinxhirit të hamburgerëve në Kosovë.

“Patton Boggs” paguhet nga Zyra e Kryeministrit për t’i ofruar Kosovës “shërbime këshilluese në çështjet ligjore dhe avokim për t’u përdorur për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe”.

Kompania po ashtu, është menduar, “të nxisë investimet dhe mundësitë tregtare për Kosovën, si dhe mbledhjen e fondeve nga programet e ndihmës së huaj”. Për këtë, ajo është paguar 50.000 dollarë në muaj.

Kosova – We’re Not Loving It

McDonalds është zinxhiri më i madh botëror i restoranteve të ushqimit të shpejtë të hamburgerit, që shërben rreth 68 milionë konsumatorë përditë, në 119 vende të botës, por ende nuk ka të hapur një përfaqësi në Kosovë. Shkupi është vendi më i afërt për ata që duan të shijojnë një Big Mac.

Por, sipas raportit të aktiviteteve të “Patton Boggs”, të publikuara në bazë të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Jashtëm, lobistët që punojnë për zyrën e Thaçit janë përpjekur që të sigurojnë që pulat McNuggets të jenë në dispozicion në shtetin e dytë më të ri në botë.

Në shkurt, firma e lobimit kontaktoi me punonjësit e Departamentit të Shtetit shtatë herë “lidhur me McDonaldsin në Kosovë”.

Gazeta Jeta në Kosovë pyeti McDonaldsin nëse kishin ndonjë plan për të hapur një përfaqësi në Kosovë, por nuk mori asnjë përgjigje.

Zyra e Kryeministrit gjithashtu nuk pranoi të përgjigjej nëse McDonaldsi shihet si një prioritet tregtar për vendin.

Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit Thaçi, tha se krejt çka mund të thotë është se kompania amerikane lobuese “Patton Boggs” është kontraktuar për të lobuar në favor të Kosovës, për të rritur numrin e shteteve të cilat e njohin Republikën e Kosovës dhe për të avancuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Megjithëse paguhet nga Zyra e Kryeministrit, sipas Çollakut, kjo natyrë e punës mbulohet nga Ministria e Punëve të Jashtme. “Ata janë kompetentët të cilët në baza ditore kanë bashkëpunim me këtë kompani dhe mund  të japin një raport të detajuar për fushëveprimin e kësaj kompanie deri më tani”.

Pyetjet më pas iu janë drejtuar edhe zyrtarëve për informim të MPJ-së, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pasur përgjigje.

Patton Boggs ka listuar pothuajse 70 qasje të ndryshme te zyrtarët amerikanë në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Shtatë kanë të bëjnë me McDonaldsin, tri për “punë” të përgjithshme dhe një i lidhur me një “rafineri në Kosovë”. McDonaldsi është biznesi vetëm i emërtuar në listë.

Kontakte të tjera lidhen kryesisht për njohje të reja dhe dërgimin e mesazhit të Kosovës për siguri në veriun e trazuar.

Vendet në shënjestër si pjesë e lobimit për njohje të reja përfshijnë Xhamajkën, Meksikën, Libinë dhe Tunizinë. Asnjëra prej tyre nuk ka vendosur marrëdhënie me Kosovën, deri më sot.

Sipas përmbledhjes së aktiviteteve të “Patton Boggs”, firma “kontaktoi zyrtarë të Kongresit për t’iu dhënë hollësira rreth gjendjes politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës dhe për të avokuar për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së dhe të NATO-s”.

Firma gjithashtu “iu bëri thirrje zyrtarëve të administratës dhe të Kongresit për të mbështetur pavarësinë dhe integritetin territorial [të Kosovës], veçanërisht në lidhje me njohjen diplomatike nga kombet e tjera dhe sovranitetin e saj të plotë mbi zonat serbe etnike, në pjesën veriore të vendit”.

Firma gjithashtu “korrespondoi me zyrtarë të administratës për të diskutuar mundësitë për investime amerikane në Kosovë”.

Të Punësuar Pa Tender

Qeveria e Kosovës angazhoi në mënyrë të fshehtë shërbimet lobuese të “Patton Boggs”, gushtin e kaluar, pasi u detyrua të anulojë një marrëveshje identike të nënshkruar vitin e kaluar, për shkak se theu ligjet e prokurimit publik.

Edhe pse marrëveshja me kompaninë është nënshkruar, me sa duket, më 31 gusht 2011, ajo kurrë nuk u bë publike nga qeveria, e cila u detyrua të anulojë një kontratë të ngjashme në vitin 2010.

Frank Wisner, këshilltar për çështje të jashtme i “Patton Bogg”, u takua me Thaçin në Shtetet e Bashkuara, një muaj para se marrëveshja e parë të nënshkruhej. Sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, u diskutuan “zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe të arriturat deri më tani nga institucionet e Kosovës”.

Wisner është i njohur më herët si mbështetës i Kosovës. Condoleezza Rice, sekretare e Shtetit gjatë presidencës së George Bushit, e emëroi më 2005 Wisnerin si përfaqësues Special të SHBA-së për bisedimet për statusin e Kosovës. Wisner luajti një rol thelbësor në negociatat për pavarësinë e Kosovës.

Më pas në shtator të vitit 2010, qeveria votoi për të punësuar “Patton Boggs” me një çmim prej 50.000 dollarë amerikanë në muaj [38.000 euro].

Qeveria u detyrua të anulojë vendimin në nëntor, pasi BIRN-i zbuloi se ky veprim kishte thyer ligjin mbi prokurimin publik.

Kjo, pasi kabineti thjesht kishte zgjedhur “Patton Boggs”, në vend se të mundësojë një proces konkurrues tenderimi. Kabineti nuk kishte arsyetuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, përse vendosi të shkojë me tender njëburimor.

Zyrtarët qeveritarë thanë se e prishën marrëveshjen për këshillim ligjor, por mohuan se thyen rregullat e prokurimit.

Ministria e Jashtme tha se e kishte dhënë kontratën pa tender, në koordinim me Agjencinë e Prokurimit, por kishte kërkuar që marrëveshje të mbahej sekret.

Më Shumë Lobues

Qeveria e Hashim Thaçit nënshkroi me një lobist të dytë me bazë në Uashington, në më pak se një vit, me një kosto prej 50.000 dollarësh në muaj, në mars të këtij viti.

Sipas marrëveshjes, e cila është publikuar nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA, “Podesta Group” u angazhua “për të studiuar dhe analizuar çështjet shqetësuese” të Kosovës.

Kontrata gjithashtu përshkruan se si “Podesta” do të këshillojë Kosovën “në politikat amerikane të interesit, aktivitetet në Kongres dhe në degën e Ekzekutivit dhe zhvillimet në skenën politike të SHBA-së në përgjithësi; dhe të mbajë kontakte, sipas nevojës, me anëtarë të Kongresit dhe stafin e tyre, zyrtarët e Ekzekutivit, anëtarë të shtypit, si dhe organizatat joqeveritare “.

Kreu i “Podesta Group”, Tony Podesta, është vëllai i John Podesta, i cili ishte shefi i stafit të Bill Clintonit, në kohën e luftës në Kosovë.

Vëllezërit Podesta fillimisht ngritën firmën, e quajtur atëherë “Podesta Associates”. Johni tani drejton Qendrën për Përparimin Amerikan, një “think-tank” liberale në Washington.

Lobistët Amerikanë me Lidhje me Kosovën

Lobimi për autostradën në emër të Bechtelit:
Shërbimet e Mark Tavlarides në Qeverinë e SHBA-së kulmuan me një pozitë të lartë në stafin e Këshillit për Siguri Kombëtarë në Shtëpinë e Bardhë, organizata nëpërmes se cilës presidenti ushtron detyrat esenciale për mbrojtjen e vendit. Si drejtor i Marrëdhënieve Legjislative, Tavlarides kishte një rol kyç në Politikat e Jashtme të Administratës Clinton, siç ishin përfundimi i luftës në Kosovë dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Greqisë dhe Turqisë.

Shawn Sullivan loboi për kontratën e PTK-së:
Në vitin 2001, NATO-ja emëroi Sullivanin, këshilltar Politik të Komandantit Gjeneral të NATO-së në Kosovë dhe përfaqësues personal të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së në Serbi. Në këtë post, Sullivan ishte negociatori kryesor për zgjidhjen e konfliktin e armatosur ndërmjet autoriteteve të Qeverisë së Serbisë dhe një grupi paramilitar të inspiruar nga UÇK-ja në jug të Serbisë. Para caktimit në këtë posti nga NATO-ja, Sullivan ishte këshilltar politik i katër komandantëve të KFOR-it amerikan në Kosovë. Sullivan po ashtu ka një eksperiencë të madhe politike në zgjedhjet kombëtare, shtetërore dhe lokale.

Frank Wisner, lobim ndërkombëtar për Kosovën nëpërmes Patton Boggs:
Wisner është i njohur qysh herët si mbështetës i Kosovës. Condoleezza Rice, sekretare e Shtetit gjatë presidencës së George Bushit, e emëroi më 2005 Wisnerin si përfaqësues Special të SHBA-së për Bisedimet për Status të Kosovës. Wisner luajti një rol thelbësor në negociatat për pavarësinë e Kosovës.

Podesta Group lobon për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik:
John Podesta në vitin 1998 u emërua shef i Stafit të Presidentit Bill Clinton, në mandatin e tij të dytë, dhe e ushtroi këtë detyrë deri në fund të mandatit, në janar 2001. Ai tashmë e ka lëshuar Podesta Group, ndërsa kryeson Qendrën për Progres Amerikan, një kompani “think-tank” liberale në Washington.