Zhduken Evidenca Korrupsioni në KEK

OLAF, Zyra e BE-së Kundër-Mashtrimit, kishte gjetur se kontratat mes KEK-ut dhe një firme të ndërlidhur me një prej zyrtarëve të lartë të saj, Fadil Ismajlit, ishin dhënë pa “konkurrencë të drejtë” dhe e akuzonte këtë të fundit për konflikt të interesit. 

Ismajli kishte qenë bashkëpronar dhe drejtor i përgjithshëm i firmës Komtel deri më 1999, dy vjet përpara se tenderët t’i jepeshin kësaj firme. 

Ekipi i hetuesve të Zyrës Europiane Kundër-Mashtrimit (OLAF), Zyrës së Mbikëqyrjes së Shërbimeve të Brendshme të Kombeve të Bashkuara me seli në Vjenë dhe Guardia Di Finanzas,i kishte rekomanduar në një letër, të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë, shefit të UNMIK’ut Joachim Ruecker më 2008, derisa ia zbulonte detajet, se hetime të mëtejme duhej të bëheshin dhe që evidencat të përcilleshin në KEK ashtu që masat disiplinore ndaj Ismajlit të nisnin. (shkarko dokumentin)

Duket se, megjithatë, rasti mbeti i heshtur deri më tash. Një zëdhënës i UNMIK-ut nuk ka mundur të tregojë nëse rekomandimet ishin ndjekur ose nëse një hetim kishte pasuar. EULEX-i, që kishte trashëguar të gjitha rastet nga UNMIK-u në fund të vitit 2008, ka thënë se nuk ka marrë asnjë informacion nga UNMIK-u për këtë çështje, përderisa KEK-u nuk dinte asgjë për hetimin.

Një burim i besueshëm në KEK, megjithatë, sugjeron se rasti ishte “heshtur”. 

Vetëm disa muaj pasi që raporti i ishte dërguar kreut të UNMIK’ut, kompania e dyshuar, Komtel, ka fituar një tender 8 milionë eurosh nga KOSTT, autoriteti publik përgjegjës për transmisionin e rrymës. Në këtë kohë, Ismajli kishte lëvizur nga KEK-u për t’u bërë udhëheqës i KOSTT. 

Që atëherë Komteli ka fituar një varg tenderësh publikë përfshirë edhe në KEK, Aeroportin Ndërkombëtar dhe Gjykatën Kushtetuese nën menaxhimin e Vegim Gashit, ish-kandidatit të AKR-së për kryetar të Prishtinës më 2009.

Përkundër sugjerimeve të hetuesve për masa disiplinore, Ismajli ka mbajtur detyrën e tij të punës për të cilën paguhet 42 mijë euro në vit si udhëheqës i KOSTT-it, dhe, sipas deklaratës së tij të pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion, edhe pasurinë e tij të majme, që përfshin toka, vetura dhe aksione në disa kompani. 

Ismajli ka mohuar se ai ka ndikuar për t’i dhënë tenderë Komtelit. Ai ka thënë se nuk ka pasur ndonjë ndalesë që kjo kompani të konkurronte në tenderë publikë.   


EULEX-i nuk e kishte marrë hetimin

Raporti i ishte dërguar ish-udhëheqësve të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), shefit Joachim Ruecker dhe zëvendësit Larry Rossin, më 6 qershor 2008. 

foto  
Joachim Ruecker  

 

Hetimet kishin të bënin me tenderin për furnizimin me softuerë dhe harduerë të kompjuterëve të KEK-ut në vitin 2001 në vlerë prej 2,868,800.89 eurosh. Informatat shtesë që hetuesit kishin gjetur tregonin se Komtel gjithashtu, gjatë vitit 2001 dhe 2003, kishte fituar kontrata për të dizajnuar dhe implementuar Sistemin Qendror të Kontabilitetit (Central Accounting System – CAS) dhe Pakon e Përkujdesit të Konsumatorit (Customer Care Package – CCP) – të dyja në vlerë prej rreth 450 mijë eurosh. Gjatë vitit 2006 e njëjta kishte fituar kontratë për të furnizuar komunat me pajisje IT (149,150 euro) dhe një tjetër për pajisje për policinë kufitare (1,218,340 euro). 

Por duket se niveli udhëheqës i UNMIK’ut asnjëherë nuk e adresoi këtë hetim. 

Zëdhënësi i misionit Olivier Salgado ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se UNMIK-u i ka dorëzuar të gjitha rastet që ka pasur në mbikëqyrje të hetimeve tek misionit europian, EULEX, i cili ka zbarkuar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. 

Mirëpo EULEX-i mohon se ka pranuar këtë rast nga UNMIK-u. 

“Prokurorët e këtij misioni thonë se nuk kanë pranuar dhe nuk kanë dëgjuar për këtë rast”, ka thënë Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it, për Gazetën JnK.

Kur gazeta u kthye sërish për të pyetur UNMIK-un, misioni nuk ishte në gjendje të konfirmojë nëse rasti ishte mbyllur para se të dorëzohet në EULEX. 

“Nëse hetimi arriti në përfundimin se aty ishte kryer një vepër penale, atëherë rasti do të kishte shkuar në prokurori e cila ose ka vendosur për ta ndjekur penalisht, e në këtë rast do të ishte tek prokurorët e EULEX’it që nga fundi i vitit 2008, ose prokurori e mbylli çështjen për shkak të mungesës së provave a fakteve vepruese, e në këtë rast lënda do të mbyllej”, ka thënë zëdhënësi Salgado.

Përveç EULEX’it, as KEK-u, që është ndërmarrje publike, nuk kishte vepruar. Zëdhënësi Viktor Buzhala thotë se ndërmarrja nuk është në dijeni për ndonjë raport me hetime ndaj disa tenderëve që ka fituar Komteli. 

Ai tha se KEK-u nuk ka pranuar e as trashëguar nga menaxhmenti i kaluar asnjë kërkesë nga ana e OLAF-it dhe ndonjë institucioni tjetër, vendor a ndërkombëtar, në lidhje me kompaninë Komtel. 

“Po ta kishte pranuar KEK-u ndonjë kërkesë për parregullsi në tenderë, menjëherë do të ndërmerrte masa duke e vënë në listë të zezë të kompanive që nuk mund të konkurrojnë nëpër tenderë e procese tjera konform ligjeve dhe rregulloreve në fuqi”, tha Buzhala.

Një burim i gazetës, i njohur me proceset tenderuese në KEK, megjithatë, thotë se rasti kundër Ismajlit me tenderët e fituar nga Komteli, është fshehur që thjeshtë personat e përfshirë të mos ndiqen penalisht.

“Komteli ka lidhje me persona të fuqishëm në Kosovë dhe për këtë është bërë presion që thjesht të heshtet ky rast përkundër fakteve të forta që i kishte gjetur hetimi i dokumentuar i OLAF-it”, thotë një zyrtar i lartë në KEK.

Fiton kompania joekzistuese

Raporti për disa tenderë të dhënë nga KEK-u (financuar nga Agjencia Europiane për Rindërtim) kompanisë Komtel Project Engineering hedh dyshime rreth rolit të Fadil Ismajlit i cili ishte drejtor i përgjithshëm i firmës fituese deri pak pas përfundimit të luftës. 

Tash pronar i Komtelit është Vegim Gashi, kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR) për kryetar të Prishtinës gjatë zgjedhjeve komunale të vitit 2009.

Hetuesit kishin mbledhur dokumentet nga KEK-u, Agjensioni Europian për Rindërtim (EAR), Agjensioni i Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID), Autoriteti Qendror Fiskal (AQF) dhe Agjensioni i Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), përfshirë edhe raportet e auditorëve të jashtëm për këtë çështje.

Tenderi që kishte të bënte me Sistemin Qendror të Kontabilitetit për KEK’un ishte i fituar nga Datkom më 2 maj 2001, dhe mbi 2,8 milionë euro.

Sipas raportit, për këtë tender kishin marrë pjesë kompanitë Ingra Co., DTT, Elasag dhe Datamat S.p.A. Afati i fundit për aplikim ishte 12 shkurt, 2001, ora 16h.

Sipas ofertës së asaj dite, 12 shkurtit 2011, Datamat dhe Komtel kishin ngritur një ndërmarrje të përbashkët të quajtur Datkom. Në “Evaluimin Teknik dhe Financiar” nga autoriteti kontraktues, të datës 14 shkurt 2001, Datkom nuk ekzistonte fare.

Në raportin e pranimit të aplikacioneve asnjë dëftesë nuk ishte lëshuar për Datamat, por vetëm për Komtel. 

Fituesi i tenderit ishte kompania Datamat e cila kishte pasur një sigurim bankar nga banka San Paolo IMI S.p.A, me seli në Romë. 

“Anëtarët e panelit për tenderin e sipërpërmendur, të përfshirë në atë proces vlerësimi, me sa duket nuk dinin se cila kompani në fund ishte kandidate për procedurën në fjalë”, thuhet në raportin e OLAF-it.

Hetuesit theksojnë se bordi i vlerësimit ka vlerësuar kompaninë e gabuar dhe në fund kanë shpërblyer kompaninë që nuk ekziston – Datkom-in. 

“Në fund, kontrata është nënshkruar ndërmjet AER-it dhe Datamat S.p.A për dhe në emër të kontraktorit ‘Datkom’”, shkruan raporti.

Në emër të KEK’ut voton ish-drejtori i Komtelit

Hetusit kanë analizuar edhe pozitën e Fadil Ismajlit, i cili në atë kohë kishte të drejtën e votimit në bordin e vlerësimit të ofertuesve në emër të KEK’ut. Ai kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe besueshmërisë, ku ka deklaruar se nuk ka lidhje me tenderuesit, individët ose nën-kontraktorët.

Hetuesit e kishin intervistuar Ismajlin në tetor 2007 dhe ai kishte konfirmuar përvojën e tij të kaluar me Komtel-in, ku kishte qenë partner biznesi, dhe se për këtë e kishte informuar bordin ekzekutiv të KEK-ut. Në raport përmendet edhe se ai kishte shërbyer si drejtor i përgjithshëm në këtë kompani të ngritur më 1994 dhe se figuronte si bashkëpronar. 

Hetuesit kishin marrë për bazë edhe raportin e auditorit PriceWaterHouseCoopers, të cilët ishin kërkuar nga Jan Reutergardh që të hulumtojnë në tenderin për serverët e blerë në vitin 2001.

Reutergardh, ishte udhëheqës i ekipit të SwedPower, konzorcium i cili kishte fituar një kontratë për asistencë teknike për KEK-un.

Reutergardh kishte thënë se ka shqetësime që Ismajli është i lidhur me Komtelin dhe vendimi për të shfrytëzuar këtë furnizues ishte i njëanshëm për shkak të marrëdhënieve që kanë Ismajli dhe Gashi.

Një raport tjetër i PriceWaterHouseCoopers për pasqyrën e rrjedhjes së parasë për KEK-un, me datë 20 qershor 2002, po ashtu përmban dyshime kundër Fadil Ismajlit, si përgjegjës i KEK-ut për tregti të energjisë, i përfshirë në disa kontrata të dyshimta për import dhe eksport të rrymës.

“Akuzat e Pabaza”

Fadil Ismajli i mohon këto akuza dhe dyshime të ngritura kundër tij duke thënë se këto janë bërë vetëm për ta diskredituar.

foto  
Fadil Ismajli  

 

“Asgjë nuk është e vërtetë. Asnjë ndikim nuk kam pasur në ata tenderë. Vetëm ndikim fizik nëse mund t’i themi”, Ismajli i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ai konfirmon bisedën që ka bërë me hetuesit e UNMIK-ut në vitin 2007 duke iu dhënë shpjegime për tenderët në fjalë dhe se ka qenë bashkëpronar i Komtelit. 

Ismajli tha se vendimet për tenderët janë marrë nga të huajt – përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe EAR-it. 

Ai shtoi se pozita e tij në KEK dhe miqësia e tij me Vegim Gashin, ish-partnerin e biznesit, nuk kanë mundur të ndikojnë që ai t’i japë tenderë Komtelit. “Kosova është e vogël. Kemi shokë gjithkund”, Ismajli i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Drejtori i Komtelit, Vegim Gashi, thotë se nuk është në dijeni për hetimin dhe për raportin e bërë në qershor të vitit 2008.

Gashi mohoi që Komteli ka mundur të fitojë tenderë nga KEK’u “në mënyrë joparimore apo më saktë joligjore”.

Komtel Fiton Tenderë me Vlera Milionëshe pas Qershorit 2008  

Komtel Project Engineering ka fituar disa tenderë edhe pas daljes së raportit të hetimeve në qershor 2008.

Së pari, ajo fiton tender në aeroportin e Prishtinës në vlerë prej 70.377 euro për “Furnizim me licenca të Microsoftit”, në tetor 2010.

Në KEK ka fituar një tender me vlerë prej 231,000 euro për “Furnizim me grupe matëse multifunksionale”, në qershor 2011.

Po ashtu, kjo kompani ka fituar tender edhe në Gjykatën Kushtetuese “Furnizimi dhe instalimi me pajisje të IT-së për fazën e dytë të digjitalizimit” në shumë prej 40,347.50 euro, më 13 korrik 2011.  

Neni 65 i Ligjit të Prokurimit Publik që flet për pranueshmërinë e tenderuesve në një prokurim publik parasheh ndalesa për kompanitë private drejtuesit e të cilave janë dënuar për mashtrim, janë përfshirë në asociacion të përbashkët me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm si dhe që janë dënuar nga një gjykatë kompetente për përfshirje në praktikat e korrupsionit e avantazhit.

Por drejtori i Kometelit, Vegim Gashi, thotë se “përderisa nuk ka pasur ndalesë administrative, respektivisht është respektuar ligji dhe janë plotësuar kriteret e autoritetit kontraktues, Komtel-i ka fituar tenderë”.

Ndër të tjera, pas atij raporti hetimi, në nëntor 2008, Komtel në konzorcium me kompaninë franceze Alstom (Ish-Areva) fitojnë pjesën e parë të projekti kapital për instalimin e sistemit komandues dhe monitorues të Sistemit Elektroenergjetik, në shumë prej mbi 8 milionë euro, dhënë nga KOSTT. 

Fadil Ismajli, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT, prapë thotë se ai nuk ka pasur kurrfarë dore në dhënien e këtij tenderi dhe nuk e sheh në kundërshtim me ligjin pjesëmarrjen e Komtelit në garë, pavarësisht raportit të qershorit 2008 të hetimeve. 

“Jo vetëm Komtel por të gjithë ata që fitojnë tender në KOSTT i nënshtrohen procesit të selektimit në bazë të Ligjit të Prokurimit të Kosovës dhe rregullave shumë strikte për përzgjedhje”, tha Ismajli.

Ai shtoi se KOSTT nuk ka të dhëna për kufizime të asnjërës nga kompanitë fituese dhe ato ishin zgjedhur për shkak të çmimit dhe teknologjisë së ofruar. “Përzgjedhja ka qenë plotësisht meritore”, tha ai.

Edhe zëdhënësi i KEK’ut Viktor Buzhala thotë se Komtel nuk ka qenë në listë të zezë të kësaj ndërmarrje dhe se kjo e fundit është detyruar ta shpall fituese në bazë të ligjit.

“Kjo kompani ka fituar tenderin pasi ka plotësuar kushtet më së miri në tender të hapur”, tha Buzhala.