Arka Speciale për Tregun e Miliardave

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 12.03.2012

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), deri në muajin qershor të këtij viti, parasheh vendosjen e arkave speciale për bizneset të cilat për katër vite kanë importuar në vend derivate të naftës në vlerë prej afro 1 miliard euro. 

Ajo është duke diskutuar modalitetet me komunitetin e biznesit dhe pret që brenda muajit mars të vendosen dy arkat e para të veçanta në barkun e pompave të furnizimit me derivate, pajisje që pritet të rrisin edhe sigurinë edhe të hyrat tatimore nga ky treg. 

“Deri në qershor presim të realizojmë pajisjen me arka fiskale edhe për pompat e karburanteve. Është një model që zbatohet edhe në Itali e Shqipëri dhe që duket mjaftë i sigurt”, ka thënë Behxhet Haliti, drejtor i ATK’së, për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ato ishin paraparë të vendosen në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, por mbledhësi i tatimeve në vend pret që vendosja e tyre sado me vonesë tash të vendosë rend në këtë sektor. 

“Kjo e eviton ndikimin e faktorit njeri dhe neve na mundëson që më lehtë të dimë jo vetëm sasinë por edhe të bëjmë kontroll më të saktë. Operatorët aktualë do të bëjnë pajisjen edhe me këto arka dhe janë duke u bërë përgatitjet adekuate”, ka thënë Haliti. 

“Presim të realizojmë pajisjen me arka fiskale edhe për pompat e karburanteve. Kjo e eviton ndikimin e faktorit njeri dhe na mundëson të dimë jo vetëm sasinë por edhe të bëjmë kontroll më të saktë” Behxhet Haliti

Sipas ATK’së, në Kosovë janë 760 biznese që merren me shitjen e derivateve të naftës.  

“Bizneset që merren me shitjen e derivateve, për vitin 2011, kanë realizuar të hyra (për ATK)  në vlerë prej 4,050,334.31 euro”, ka thënë Valentina Bytyqi, zyrtare për media. 

Përveç kompanive të naftës, sipas ATK’së, deri më tash janë fiskalizuar rreth 80 për qind e të gjitha bizneseve që kanë qarkullim mbi 50 mijë euro. 

Bazuar në të dhënat e ATK-së janë 19 mijë biznese në Kosovë që kanë qarkullim vjetor mbi 50 mijë euro dhe ato përbëjnë nga 95 deri në 99 për qind të bruto qarkullimit vjetor në Kosovë dhe deri në 90 për qind të tatimpaguesve të vendit. Prej tyre deri më tash janë fiskalizuar mbi 15 mijë biznese. 

Naftëtarët: Arkat do të kushtojnë shtrenjtë

Arkat fiskale që përdoren aktualisht nga kompanitë që tregtojnë derivate të naftës – ato të zakonshmet – sipas zyrtarëve të “Al Petrol” nuk janë adekuate për këtë veprimtari.

Kjo kompani ishte pajisur me arka fiskale që nga muaji maj i vitit 2010. Por Tahir Zogaj, drejtor financiar i saj, thotë se “këto arka funksionojnë në atë mënyrë që pas furnizimit duhet të shtypet në mënyrë manuale kuponi fiskal ku duhet të jepen të dhënat për sasinë dhe llojin e mallit”. 

Kur të përdorën arkat speciale, sipas tij, duhet që kuponi fiskal të dalë automatikisht pas ndërprerjes së aparatit për furnizim në pikat e karburantit. 

Zogaj thotë se, megjithatë, problemi i arkave speciale që janë në shqyrtim nga Administrata Tatimore e Kosovës qëndron tek kostoja e tyre. 

“Këto pajisje sipas përllogaritjës do të jenë të kushtueshme dhe është vështirë të zbatohen në të gjitha pikat shitëse në Kosovë. Vetëm nëse shteti e bën financimin e tyre atëherë do të implementohet ky program”, ka deklaruar Zogaj.

 

 

 

“Këto pajisje sipas përllogaritjës do të jenë të kushtueshme dhe është vështirë të zbatohen në të gjitha pikat shitëse në Kosovë. Vetëm nëse shteti e bën financimin e tyre atëherë do të implementohet ky program” Tahir Zogaj 

 

 

Kjo kompani gjatë vitit të kaluar ka importuar rreth 37 mijë tonë dizel e benzin e rreth 4 mijë e 500 tonë gas. 

Taksa doganore e paguar gjatë vitit të kaluar duke përfshi akcizën dhe TVSH-në për dizel e benzin sipas Zogajt ka qenë rreth 24 milionë euro kurse për gas është paguar taksë doganore në vlerë prej 1 milionë e 500 mijë eurosh. 

Arkat fiskale, sipas tij, duhet të vendosen në pikat e shitjës me pakicë.

Operatorët që pajisin me arka fiskale ende nuk e dinë se sa do të mund të kushtojnë këto arka fiskale, por thonë se ato nuk do të kenë çmimin e njëjtë me arkat normale. 

Edhe një kompani tjetër e naftës, ajo “Patroni Company”, i vlerëson si të shtrenjta paralajmërimet për arkat fiskale speciale. “I kemi paguar më herët dhe duhet me i pagu tash prapë. Kostoja besohet se është shumë e madhe se i kemi 18 pika dhe duhet të shpenzohen rreth 300 mijë euro e nuk mundemi me e përballu këtë shifër”, ka thënë Driton Morina, drejtor financiar. 

Administratat Tatimore sipas tij po i obligon bizneset të shpenzojnë për instalim të arkave fiskale edhe në vende ku nuk është e nevojshme. “Ata (Administrata Tatimore ) kanë kërkuar edhe në depo të vendosen arka fiskale. Kjo nuk ka logjikë sepse aty nuk ka mundësi keqpërdorimi”, ka deklaruar Morina. 

Arkat fiskale, sipas tij, duhet të vendosen në pikat e shitjës me pakicë. Vend tjetër ku është e panevojshme të vendosen arkat, shton ai, janë edhe pikat e shitjës me shumicë. 

“Puna është me na i marr neve do pare. Është dikush që po don me fitu më shumë”, ka deklaruar Morina.  

“Puna është me na i marr neve do pare. Është dikush që po don me fitu më shumë” Morina

Gjatë vitit të kaluar sipas Morinës kjo kompani ka importuar 38 mijë litra naftë për të cilat ka paguar mbi 13 milionë euro akcizë. Kurse benzinë kjo kompani, sipas tij, ka importuar mbi 6 milionë litra ku ka paguar 2 milionë e 300 mijë euro akcizë.

Ndërkohë kompania tjetër e naftës “Hib Petrol” sipas zëvendësdrejtorit të saj, Kujtim Bucaliut, ka qenë importuesi më i madh i derivateve të naftës gjatë vitit të kaluar. 

Rreth 80 milionë litra naftë dhe benzinë ka importuar kjo kompani gjatë 2011-es. 

“Kompania jonë gjatë vitit 2011 ka paguar 52 milionë euro obligime gjatë importit dhe tatime tjera që parashihen me ligj”, ka deklaruar Bucaliu. 

Kjo kompani është pajisur me arka fiskale.

“Të të gjitha shitjet që bëhen i kemi të instaluara me printera fiska si të derivatet si të piceria e po ashtu edhe te marketi”, ka thënë Bucaliu. Fiskalizimi sipas tij duhet të bëhet tek të gjitha kompanitë në vend. 

“Ne nuk na dëmton fiskalizimi por na dëmton mos fiskalizimi i shumicës së pikave të karburantit të cilat funskionojnë pa arka fiskale”, ka deklaruar zëvendësdrejtori i Hib Petrol. 

Afro 1 miliard euro derivate të naftës hynë në Kosovë për katër vite 

Gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë futur derivate të naftës në vlerë prej 320 milionë eurove. 

Mbi 41 milionë euro bazuar në shënimet e Doganave të Kosovës ka qenë vlera e 86 milionë litrave mazut që janë futur në tregun e Kosovës gjatë vitit 2011. Naftë janë futur 347 milionë litra që kanë vlerë rreth 215 milionë euro, benzinë janë futur 101 milionë litra që kanë vlerë 57 milionë euro si dhe 14 milionë litra vaj solar që kanë vlerë rreth 7 milionë euro.

Në total, duke përfshirë periudhën katërvjeçare prej fillimit të 2008-es e deri në fund të 2011-es, sipas Doganave të Kosovës vlera e derivateve të naftës që ka hyrë në Kosovë ka qenë 960 milionë euro. Gjatë kësaj përiudhe katërvjeqare janë importuar mbi 2 miliardë litra derivate të naftës.  

“Ne nuk na dëmton fiskalizimi por na dëmton mos fiskalizimi i shumicës së pikave të karburantit të cilat funskionojnë pa arka fiskale” Kujtim Bucaliu

Benzina kryesisht importohet nga Maqedonia e Greqia. Një pjesë e saj importohet edhe nga vende si Izraeli e Republika e Koresë. 

Vaj Solar importohet vetëm nga Shqipëria. Ndërkaq më së shumti mazut vjen nga Maqedonia e cila ndiqet nga Bosnja e Herzegovina e Serbia. Pak mazut, diku 14 mijë litra, në 2010-en ishte importuar edhe nga SHBA-ja. 

Ndërkohë nafta importohet më së shumit nga Maqedonia e Greqia. Një pjesë e saj importohet edhe nga Franca, Irani, India, Republika e Koresë, Rusia, Gjeorgjia, Turkmenistani, Azerbajxhanit etj.