Bejtullahu: Tregu Energjetik Kosovë-Shqipëri Lyp Sakrifica Politike

Kosova po ecën me shpejtësi drejt përfundimit të pjesës së saj të linjës së transmetimit 400 kilovolt me Shqipërinë.

Në anën tjetër të kufirit mbetet deri në qershor punë për të përfunduar punimet. Por kjo është vetëm një pjesë e infrastrukturës fizike. Zhvillimi institucional i projektit deri në krijimin e një tregu të përbashkët të energjisë mes dy vendeve kërkon punë dhe sakrifica shtesë, krahas kohës së vet.
Naim Bejtullahu, kryeshef i Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT), tregon përfitimet dypalëshe të këtij projekti, por edhe sfidat e shumta që ndodhen para qeverive të të dy shteteve.

Gazeta Jeta në Kosovë: Si po shkojnë punimet për linjën e transmetimit me Shqipërinë 400 kilovolt në pjesën e Kosovës?

Bejtullahu: Pjesa e Kosovës, financiarisht ka ardhur diku te 90%, kurse në aspektin vëllimor, i cili mund të ndryshojë në bazë të angazhimeve të ekipit në terren, është rreth 5% më pak.Prej gjithsej 241 shtylla, janë ngritur 231 dhe janë vendosur 38 themele. Janë vendosur rreth 50 kilometra përçues prej 99 kilometra që është totali. Aktiviteti i specialistëve tanë në terren është shumë i lartë për vendosjen e përçuesit. Sipas kontratës, e cila ka hyrë në fuqi dy vjet më parë në këtë kohë, projekti duhet të përfundojë në pjesën e dytë të shkurtit të vitit të ardhshëm, por me këto ritme, gjasat janë që projekti të kryhet para kohe. Nuk parashohim ndonjë problem në pjesën e punës që ka mbetur për t’u realizuar, apo të pikës ku kyçet fusha 400 kilovolt. Edhe ajo është në fazën përfundimtare. Mund të pritet që ajo të përfundojë diku në nëntor.

Gazeta Jeta në Kosovë: Si qëndron bashkëpunimi me OST-në e Shqipërisë në këtë pikë?

Ky projekt ka një komponent të përbashkët me Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST), dhe ajo çka është me rëndësi në këtë fazë, është i ashtuquajturi “rregullimi i përbashkët i sistemeve elektrike”. Rregullim do të thotë që disa rezerva të domosdoshme kur operohen këto sisteme do të jenë të përbashkëta.

Në këtë fazë, bëhet përcaktimi dhe infrastruktura është testuar, për rregullimin sekondar. Kjo do të thotë se ndryshimet që mund të ndodhin, qoftë në ngarkesë të gjeneratorëve, apo në anën e ngarkesës së konsumatorëve, sipas planit të dakorduar mes palëve, këto lëvizje mund të rregullohen duke ngritur apo zbritur sipas nevojës kapacitetet gjeneruese në sistem.
Sistemi i rregullimit sekondar- fuqi-frekuencë është vendosur dhe testuar. Tani do të punojmë në pjesën e infrastrukturës kontraktuale e cila është pothuajse në fazën finale, shërbim i cili pritet të vijë nga ana e Shqipërisë. Kjo duke qenë se Shqipëria ka kapacitete shumë fleksible në rezervuarë, posaçërisht Kaskada e Drinit. Kjo mund të vihet në operim dhe kjo është diçka e mirë.

Gazeta Jeta në Kosovë: Nëse po flasim për një infrastrukturë të përbashkët, cili është rendimenti i pritshëm dhe cilat janë gjasat e zhvillimit të një tregu të ri të mirëfilltë?

Bejtullahu: Po kjo infrastrukturë është e përbashkët, sepse kontraktualisht përcaktohet se kush do të jetë përgjegjës për një pjesë të caktuar të të dy sistemeve. Meqë Shqipëria i posedon këto kapacitete me bollëk, pritet që ajo të jetë koordinatore e këtij rregullimi të përbashkët.
Natyrisht kur është bërë studimi i fizibilitetit është llogaritur që këto dy sisteme elektroenergjetike do të punojnë në një regjim të përbashkët. Ky i fundit nënkupton ndërtimin e mekanizmave të një tregu të energjisë elektrike me shumicë, i cili mund të operojë mbi bazat e rregullave dhe standardeve të përbashkëta.
Vetëm në këtë mënyrë mund të pritet që rendimenti i kësaj linje të jetë maksimal. Në një treg të tillë, rëndësi të posaçme kanë interkonjeksionet. Gjithçka do të varet se me cilat kritere do të ndërtohet ky treg Kosovë-Shqipëri i energjisë elektrike.
Ka modele të ndryshme, por tregu më optimal është ai në të cilin kjo linjë, por edhe linja tjetër 220 kilovolt, do të trajtohen si linja të brendshme. Kjo do të thotë se ato nuk shkojnë në ndarje të tregtarëve. Linjat e tjera me vendet fqinje janë ato linja të cilat jepen në shfrytëzim ose ndarje për këdo që ka nevojë të kryejë transaksione të energjisë elektrike përmes tyre.

Kjo është e lehtë për ta thënë, por komplekse për ta ndërtuar. Sigurisht do të ketë nevojë për institucione të përbashkëta sepse pa to nuk funksionon. Një regjim tregtar i tillë, medoemos që duhet të ketë ndryshime në legjislacion, primar dhe sekondar, por dhe organizativisht një mekanizëm duhet autorizuar ta operojë këtë treg.

Për këtë çështje është themeluar një komitet i përbashkët mes dy qeverive, i cili pritet që në ditët e ardhshme të jetë më aktiv. Mund të them nga përvoja se ky mekanizëm pasi fillon të ndërtohet, mund të përfundohet brenda një periudhe 2-3 vjeçare.

Kjo kohë është e nevojshme sepse mund të pritet që në këtë proces të bëhej një studim fizibiliteti, i cili përcakton edhe veprimet që duhen ndërmarrë dhe kohën e tyre. Ka shumë vendimmarrje që janë edhe politike që nuk janë të lehta për asnjërën palë, për asnjë qeveri. Por këto duhen shikuar në planin afatgjatë, se cilat mund të jenë përfitimet e këtij bashkëpunimi.
Ndërtimi i zonës së përbashkët tregtare nuk përjashton edhe mekanizmat e tjera tregtare që secila nga palët ndërkohë mund t’i ndërtojë e që më vonë mund të bëhen të përbashkëta

Gazeta Jeta në Kosovë: Po në afatin e shkurtër, a ka një përfitim të menjëhershëm sa i takon shkëmbimeve dhe optimizimit të burimeve të të dyja vendeve?
Bejtullahu: Kosova dhe Shqipëria kanë aktualisht raporte mjaft të mira në shkëmbim të atyre kapaciteteve që janë të mundshme të shkëmbehen. Por diçka është evidente për të dy vendet. Të dy vendet kanë mungesë të kapaciteteve gjeneruese dhe janë importuese nga vende të tjera.
Ndaj dhe një treg ku të dy vendet operojnë me rregulla të përbashkëta mund të japë një sinjal shumë joshës ndaj investitorëve për të ndërtuar kapacitete gjeneruese, qofshin mbi bazën e linjitit në Kosovë apo atyre hidrike në Shqipëri.
Është rast shkollor ideal i diversifikimit të kapaciteteve gjeneruese linjit përkundër hidrik në nivel gati 50% me 50%. Nëse kemi një marrëdhënie ndërmjet ngarkesës më të madhe (pikut) dhe asaj më të vogël, në masën 50% të ngarkesës më të vogël ndërmjet dy vendeve, gjeneratorët termikë janë në operim dhe punojnë me rendiment më të lartë.
Por çka ndodh me kapacitet e rezervuarëve të Shqipërisë? Këto valorizohen sepse janë në kohën e pikut. Natyrisht nga këndvështrimi i vlerave të produktit të energjisë elektrike, kjo e pikut është më e shtrenjtë sepse valorizohet. Nga kjo mund të krijohen një sërë situatash të volitshme për eksport, të cilat kanë çmime të larta. Këto rezervuare në Shqipëri do të valorizoheshin shumëfish edhe duke qenë se ato tani shërbejnë për furnizim bazë. Shkëmbimi me Kosovën mundëson që ato mund të vihen në punë kur situata paraqitet më e volitshme. Ndaj ky shkëmbim e arsyeton veten.

Gazeta Jeta në Kosovë: Nëse kjo infrastrukturë përfundohet dhe vihet në punë, por nga ana tjetër mungojnë burimet e plota të prodhimit të energjisë elektrike, a mund të ndodhë që të kemi një autostradë mjaft të mirë energjetike, por pak çka të shkëmbejmë përmes saj?

Bejtullahu: Përkundrazi, këtu mund të bëhet një optimizim i mirë. Meqë jemi të dyja vendet importuese, optimizmi mund të bëhet tek importi. Derisa importojmë veç e veç për të mbuluar ngarkesat që secilit i mungojnë, edhe kosto është më e lartë. Kur importohet për një ngarkesë të përbashkët duke vënë në operim kapacitet ekzistuese me rendiment të maksimalizuar, natyrisht që edhe vlerat e importit janë më të vogla. Në këtë mënyrë, përfitohet edhe nga eksportet.
Kjo do të thotë se edhe në këto kushte, sistemi i përbashkët mund të optimizohet shumë mirë.
Po flasim për situatën e një tregu ku aktorët që bëjnë tregtimin kanë lirinë e veprimit. Ndaj nuk është e lehtë të ndërtohet. Është edhe sfidë e vendimmarrjes politike sepse duhet kaluar nga një regjim me të cilin jemi mësuar me vite të tëra. Kemi në Kosovë gjeneratorin publik që ka për detyrë të furnizojë publikun, ashtu si në Shqipëri.
Në këtë regjim të ri, nuk është më detyrë e gjeneratorit publik të furnizojë publikun, por e furnizuesve. Këta të fundit kur vendosen në këto sfida, ata mundohen të maksimizojnë përfitimet, ndaj kjo do të jetë një sfidë e së ardhmes, por në një treg të rregulluar mirë, diçka e tillë është sigurisht e mundur.
Duhet të ndodhin reforma thelbësore edhe në tregun me pakicë. Nuk mund të presim që me këto regjime tarifore të kemi treg të përbashkët. Reformat duhet të zbatohen në sjelljen e humbjeve të energjisë elektrike në nivelin e standardeve të kompanive eficiente, dhe kjo do të arrinte që investimet në sistemin e shpërndarjes të përshpejtohen dhe tarifat e shpërndarjes të jenë me kosto reflektive.
Por sfidat janë aftashkurtra dhe afatmesme, ku mund ta paraqiten probleme të natyrës së tillë. Me çfarë rendimenti mund të punojë gjeneratori termik? Nëse sot operimin vjetor e ka me ngarkesë maksimale, për shembull rreth 5500 apo 6000 orë, në këtë situatë të re mund të punojë me 7500 orë. Kjo automatikisht ul koston e prodhimit të tyre.

Gazeta Jeta në Kosovë: Nëse diçka e tillë mund të rezultonte në rritje çmimi për konsumatorin fundor, a do të prekeshin edhe shtresat në nevojë?

Bejtullahu: Kostoja e gjeneratorit publik mbahet për të adresuar problemet sociale, të cilat nuk janë të lehta. Por me një reformë të kujdesshme dhe të mençur, efikasiteti mund të rritet shumë dhe po ashtu edhe përfitimet. Kur arrihen këto fitime shumë të mëdha janë të lehta për t’u orientuar, çka mund të zbutin edhe reformat tarifore. Në krejt botën është një parim i tillë. Ngarkohen me çmime ekonomike ata që mund ta paguajnë. Ata që janë në nevojë subvencionohen nga këta të parët. Ky është mekanizmi i subvencionit për njerëzit në nevojë. Në kushtet e jetesës së përbashkët duhet të ekzistojë kujdesi që nevojtarët të subvencionohen.

Gazeta Jeta në Kosovë: Ky investim në një farë mase është edhe një “bast mbi të ardhmen”. Disa prej termocentraleve të Kosovës janë tepër të vjetruara, ndërsa kapacitetet hidrike të Shqipërisë në disa raste kanë vuajtur nga mungesa e reshjeve në periudha thatësie. Si mund të anashkalohen këto kufizime?

Bejtullahu: Me të vërtetë që një pjesë e kapaciteteve prodhuese të Kosovës janë të vjetruara. Kosova A është e vjetruar rreth gjysmë shekulli, por Kosova B mund të rritet gatishmëria e Kosovës B me investime shtesë. Por Kosova ka rezerva të mëdha linjiti, pra mund të ndërtohen kapacitete të reja. Sikurse në Shqipëri ka shumë rezerva ujore dhe mund të ndërtohen kapacitete të reja.
Kur themi vit i thatë që mund të ndodhë, por tejkalohet më lehtë kur kemi një sistem të përbashkët. Sikundër edhe ndonjë pengesë apo defekt i natyrës së përkohshme në Kosovë, balancohet edhe më mirë nga ana tjetër. Të dy sistemet aktualisht punojnë pa rezerva. Por në një treg të ri, të dy vendet mund të bëjnë një strategji të përbashkët të zhvillimit të kapaciteteve, qofshin ato gjeneruese apo të transmetimit duke përfshirë edhe rezervat e përbashkëta.

Gjithashtu, ky treg i përbashkët është shumë më joshës ndaj investitorëve të tretë, sesa i ndarë. Sepse ndërtohet një treg i shumicës me një diversifikim shumë të volitshëm, me një produkt që shitet në një rajon gjeografikisht më të madh dhe me numër më të madh konsumatorësh. Edhe eksportet me kapacitet të reja që mund të vendosen, ato valorizohen maksimalisht.

Edhe kapacitetet e përbashkëta të transmisionit mund t’i sjellin të hyra, të cilat zvogëlojnë kostot e sistemit.

E gjitha kjo duket e bukur, por nuk është e lehtë. Të gjitha sfidat janë të mundshme për t’u realizuar, nëse ka vullnet politik mes dy vendeve.

Gazeta Jeta në Kosovë: Përse vullneti politik është kaq i rëndësishëm?

Bejtullahu: Vullneti politik është kyç sepse të dy sistemet duhet të hyjnë në reforma, përfshi koston e energjisë elektrike që furnizohen konsumatorët fundorë. Nëse rryma nuk paguhet sipas kostos që ka, kush do ta paguajë diferencën? Një treg i tillë nuk duron mungesa të tilla dhe duhet të ketë likuiditet maksimal. Çmimet e këtyre produkteve duhet t’u nënshtrohen regjimeve të tregut.
Veçanërisht në fillimet e këtij projekti mund të ketë edhe situata që nuk mund të kuptohen, sa i takon luhatjeve të çmimeve. Por me kohën ato vijnë dhe stabilizohen.