AKP Mbetet e ‘Paralizuar’

Kanë kaluar njëzetë e nëntë muaj prej se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka telashe me Bordin e Drejtorëve. 

Që nga ajo kohë kjo trupë drejtuese ishte ‘paralizuar’ nga dorëheqja e tre anëtarëve nga tetë sa ka Bordi i Drejtorëve.

Përkundër se kanë kaluar më shumë se dy vite autoritetet përgjegjëse-Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës-ende nuk kanë lëvizur drejt kompletimit me emra të rinj të këtij organi udhëheqës të privatizimit.

Mos lëvizja e autoriteteve ka quar deri aty sa edhe anëtarëve të mbetur iu ka skaduar mandati. 

“Agjencia Kosovare e Privatizimit nga data 20 shkurt 2015 nuk ka Bord të Drejtorëve”, thotë Veton Hajdini, kryesues i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

 

Përgjegjësinë për të nominuar emrat për bord të drejtorëve e ka Qeveria e Kosovës. Kuvendi i Kosovës vendos për emërimin apo jo të të nominuarve nga Qeveria e Kosovës.

Zyrtarë të lartë qeveritarë kanë dhënë premtime të shpeshta gjatë këtij viti se do të dërgojnë së shpejti në kuvend emrat e drejtuesve të privatizimit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar një përgjigje nga Zyra e Kryeministrit se pse ende nuk ka lëvizur drejt dërgimit në parlament të emrave të anëtarëve të rinj të bordit të AKP-së.

ZKM-ja ende nuk ka dhënë përgjigje.

E zvarritja qeveritare i krijon problem Agjencisë Kosovare të Privatizimit pasi që shumë vendime nuk mund të merren për shkak të mungesës së drejtuesve të agjencisë.

Bordi i Drejtorëve, bazuar në Ligjin për AKP-në, vendos për shpalljet e reja të valëve të shitjes, për shpërndarjen e mjeteve nga pjesa e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore , për shpërndarjen e mjeteve nga procesi i likuidimit të NSh-ve,  bartjen e mjeteve tepricë në buxhetin e Kosovës e shumë vendime tjera të përcaktuara me Ligj që janë në kompetencë të Bordit.

“AKP i ka njoftuar me kohë dhe në vazhdimësi institucionet vendimmarrëse për nevojën urgjente që ka. AKP pret zgjedhjen e Bordit dhe shpreson se në afatin sa më të shpejtë të mundshëm të bëhen emërimet e drejtorëve të Bordit në mënyrë që të kompletohet Bordi dhe të ushtroj mandatin e plotë ligjor”, thotë Veton Hajdini, kryesues i Zyrës për Marrëvedhënie me Publikun në Agjencinë e Privatizimit.

Ai shton Agjencia e Privatizimit pas krijimit të Bordit të Drejtorëve do të vazhdojë me shpalljet e valëve të privatizimit  si dhe shitjet e aseteve përmes likuidimit.

Zvarritjet qeveritare po kritikohen nga ekspertë të ekonomisë. 

Agron Demi, drejtor i institutit GAP, i rikujton kryeministrit Isa Mustafa premtimet që ka bërë gjatë fushatës zgjedhore.

 “Gjatë fushates zgjedhore, LDK e cila tani udhëheq me Qeverinë, kishte dhënë një sërë premtimesh sa i perket AKP-së, duke filluar nga ndryshimi i legjislacionit, vendosja e një afati kohor për përmbylljen e procesit të privatizimit, përgatitjen e një Strategjie Kombetare për përdorimin e fondeve të privatizimit, etj”, thotë Demi.

 Por, sipas tij, Qeveria nuk ka njoftuar ende se ka lëvizur në këtë drejtim. 

“Mirepo, në vitin e parë të qeverisjes, nuk është kompletuar ende as Bordi i AKP-së, si organi më i lartë vendimmarrës, pa të cilin është bllokuar e tërë puna e Agjencisë. Nuk ka informata nëse është filluar diqka në drejtim të ndryshimit të bazes ligjore apo pergatitjes së strategjisë, mirëpo deri me tani nuk është publikuar asgjë për publikun”, shton Demi. 

Agjencia Kosovare e Privatizimit, sipas tij, është një prej institucioneve më të rëndësishme në vend i cili është keqmenaxhuar dhe duke u udhëhequr nga anëtarë të PDK-së e LDK-së që janë në koalicion qeverisës.

“Kuvendi si organ themelues i AKP-së duhet të funksionalizoj Bordin e AKP-së dhe të filloj procesin e hetimeve parlamentare për privatizimet e gjerëtanishme, sidomos të atyre kompanive të privatizuara me spin off special”, shton Demi.

Mestitull: Si nisen problemet?

Problemet me këtë trupë drejtuese të AKP-së nisën që nga muaji maj i vitit 2013.

Brenda një jave kishin dhënë dorëheqje tre anëtarë bordi përfshirë edhe kryetarin Blerim Rexha.Rexha nuk kishte bërë as 100 ditë në krye të AKP-së. 

Ai u propozua nga Qeveria Thaçi e udhëhequr nga PDK-ja pjesë e së cilës ishte vetë Rexha. 

Rexha më herët kishte mbajtur pozitën e zv/ministrit për energji në qeverinë “Thaçi 1” e po ashtu ishte njëri prej drejtuesve të “Qeverisë nën Hije të PDK-së”,  në kohën kur kjo parti ishte në opozitë. 

Rexha kishte arsyetuar dorëheqjën me pamundësinë për të punuar drejtë në krye të këtij institucioni.

Ai në njoftimin për dorëheqje i kishte kërkuar falje qytetarëve të Kosovës dhe deputetëve që nuk ka mundur të zbatojë rekomandimet e tyre për rritje të transparencës dhe ndryshimin e modelit të privatizimit, të dala nga rezoluta e Kuvendit e tetorit e vitit 2012.

“Se AKP duhet të ndërroj qasjen ndaj pronës, aseteve që privatizon dhe menaxhon tani më është e padiskutueshme. Sigurisht se kjo sfidë kërkon njerëz të rinj”, pati pohuar Rexha.

Pas dorëheqjes së tij Ambasada Amerikane tërhoqi përfaqësuesen e saj në Bord dhe pohoi se Qeveria e Kosovës duhet të emërojë njerëz me etikë në krye të AKP-së. 

Rexha i ishte kundërpërgjigjur kësaj akuze duke thënë“ishte i keqkuptuar dhe se nuk është antiamerikanë”. 

Edhe Dardane Peja dha dorëheqje por nuk dha shpjegime se pse u tërhoq.  Para Blerim Rexhës në krye të AKP-së ishte Dino Asanaj. 

Ai ishte një mik i Hashim Thaçit që ishte kryeministër në kohën kur  Asanaj u emërua në krye të privatizimit.

Asanaj ndërroi jetë në qershor të vitit 2015. Autopsia gjeti se ai kishte nëntë plagë dhe konkludoi se Asanaj ishte vetëvrarë.