Arkiv- Akademia përkujtimore për 20-vjetorin e rënies së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës - Foto: KALLXO.com

‘Zahiri, Hakifi e Edmondi, Tre Emra të Mëdhenj të Historisë së Kosovës’

Në 20 vjetorin e rënies së heronjve të kombit Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës është mbajtur akademi përkujtimore, e organizuar nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Në emër të Qeverisë, një fjalë rasti mbajti ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, i cili tha se puna e tyre e gjatë, e pakursyer për liri dhe pavarësi është shembulli më unikal dhe i veçantë i vendosmërisë së popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe sovran.

“Këta tre burra e patën guximin dhe kurajon që ta përcaktojnë fatin e vet, të flijohen për lirinë e këtij vendi. Kjo është më shumë se madhështore sepse nuk janë shumë njërëz që e kanë guximin dhe kurajon që ta përcaktojnë fatin e vet”, tha Hyseni.

“Sot 20 vjet pas, jemi mbledhur sërish në një 31 janar tjetër, të përkujtojmë me pietet të madh këta heronj që ranë në altarin e  lirisë, tre emra të mëdhenj të historisë së Kosovës”, shtoi ai.

Ministri Hyseni tha se ata u flijuan për një Kosovë të lirë, paqësore, për një Kosovë ku dominon dija dhe përparimi dhe se vlerat për të cilat u flijuan këta heronj duhet të kthehen në udhërrëfyes dhe tregues të pazëvendësueshëm të rrugës të cilën duhet ta ndjekim.

“Nderimi më i mirë që mund t’u bëjmë heronjve është nëse e ndërtojmë shtetin sipas vizionit që ta kanë pasur, nëse e zhvillojmë shtetin sipas vizionit që ata e kanë pasur, nëse e zvogëlojmë papunësinë në mënyrë drastike, nëse ndërtojmë konsensus nacional ndaj dhe karshi rreziqeve të çfarëdo natyre që mund t’i kanosen vendit tonë të ri”. potencoi ai.

http://kallxo.com/thaci-zahir-pajaziti-embleme-e-uck-se/

Në emër të luftëtarëve të Zonës Operative të Llapit foli Rrustem Mustafa – Komandant Remi, i cili theksoi se komandanti Zahir Pajaziti dëshmoi se forca e shpirtit liridashës është më e fortë se çdo forcë ushtarake e pushtuesit.

“Komandanti Zahir Pajaziti me shokë luftonin për liri kombëtare, por edhe për vlera demokratike si vlera më të çmuara njerëzore të jetës moderne, prandaj neve na takon që në këtë drejtim të mos ndalemi duke aspiruar dhe duke u përpjekur për më të mirën”, nënvizoi Mustafa.

Në emër të familjeve të heronjve foli Lumnije Rama, motra e Edmond Hoxhës, e cila tha se përkulemi para të gjithë dëshmorëve të rënë për liri, duke marrë forcë që të angazhohemi për një popull, për një Kosovë qysh ata e deshën para 20 viteve.

Sipas saj, realiteti i sotëm nuk përkon me idealin për të cilin Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha kanë luftuar.

“Realiteti i jetës që e kemi sot nuk ishte ideali i tyre. Ata nuk e donin Kosovën e copëtuar, nuk e donin murin ndarës brenda Kosovës, ata nuk e donin burgosjen e çlirimtarëve, ata nuk e donin një rini që pret mundësinë e parë të largohet nga Kosova”, tha Lumnije Rama.

Në këtë akademi përkujtimore ministri Skender Hyseni u bëri thirrje autoriteteve franceze ta lirojnë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Respekt për heronjtë, respekt për të rënët, respekt për luftëtarët e gjallë dhe unë këtu nuk mund të mos e përmend dhe të mos e shfrytëzoj këtë rast që të ftoj edhe drejtësinë franceze edhe autoritetet franceze që ta lirojnë nga qëndrimi i panevojshëm i mëtejshëm në Francë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj”, shtoi Hyseni.

Më 31 janar të vitit 1997 duke udhëtuar drejt Vushtrrisë, Zahir Pajaziti dhe dy bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ranë në një pritë të organizuar nga forca të shumta policore serbe.

Po ashtu, nën patronatin e kryeministrit Isa Mustafa sot u organizua ceremonia e rivarrimit të komandantit të UÇK-së Zahir Pajaziti në Kompleksin Memorial në Turuqicë të Podujevës.

Redaktoi: Naser Sertolli