Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, duke folur për gazetarët | Foto nga Gent Shkullaku

Kryeministri Rama Shkarkon Ministrin e Drejtësisë

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen në internet të Këshillit të Ministrave tregoi se ka liruar nga detyra ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani, duke e emëruar në vend të tij kreun e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.

Kryeministria nuk ka dhënë detaje mbi arsyet që e kanë shtyrë kryeministrin Edi Rama për të shkarkuar ministrin e Drejtësisë.

“Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot lirimin nga detyra të Ministrit të Drejtësisë Z. Ylli Manjani dhe emërimin në këtë detyrë të Z. Petrit Vasili”, thuhet në njoftimin e shkurtër të publikuar në faqen në internet të Qeverisë.

Njoftimi është shoqëruar me një faksimile të propozimit të kryeministrit për emërimin e Petrit Vasilit si ministër i Drejtësisë.

Shkarkimi i Manjanit vjen pasi ai kishte mohuar gjatë fundjavës spekulimet në media në lidhje me një vendim të mundshëm të kryeministrit për ta liruar nga detyra.

“Nuk kam dhënë dorëheqje nga detyra! S’më ka shkuar ndërmend një gjë e tillë”, shkroi Manjani në “Facebook” të dielën në mbrëmje. “Nuk kam asnjë njoftim zyrtar që të jem shkarkuar”, shtoi ai.

Manjani ishte emëruar ministër i Drejtësisë më 9 nëntor 2015 pas shkarkimit nga detyra të ish-ministrit Nasip Naço, me propozim të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Më herët Manjani ka mbajtur detyrën e zëvendësministrit të Transporteve. Paralelisht me postet shtetërore, ai ka mbajtur edhe poste të larta drejtuese në Lëvizjen Socialiste për Integrim.

I lindur në vitin 1958, Petrit Vasili është aktualisht deputet dhe sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim. I diplomuar për Mjekësi në Universitetin e Tiranës, ai ka mbajtur gjatë dy dekadave të fundit një sërë funksionesh të larta politike dhe administrative, si dhe ka shërbyer si zëvendësministër i Shëndetësisë në vitet 2001-2003 dhe ministër i Shëndetësisë nga viti 2009 deri në vitin 2012.