Konjufca reagon për vrasjen e gruas në Pejë: Është urgjente konsolidimi i mekanizmave të sigurisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar në lidhje me vrasjen e gruas në Pejë, Gjyljeta Ukella nga i dyshuari bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi.

Konjufca tha se është urgjente konsolidimi i mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë që raste të tilla të mos ndodhin më.

“Vërtetë u zgjuam sot me një lajm të trishtueshëm, vrasje edhe një gruaje tjetër në Pejë, pas asaj që ndodhi këtë javë edhe në Ferizaj, ku një grua u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Ajo që është urgjente dhe duhet të ndodhë është konsolidimi i mekanizmave tanë të sigurisë dhe gjyqësisë që raste të tilla mos të ndodhin, meqenëse se shumica e rasteve që po ndodhin në Kosovë kundër grave dhe vajzave e dhuna e tmerrshme ushtruar ndaj tyre është kryesisht nga persona të cilët edhe më herët kanë pasur raste penale dhe sistemi i drejtësisë me shumë lehtësi i liron ata dhe kjo është parapërgatitje edhe për raste edhe më të rënda siç ishin dy vrasjet”- ka deklaruar Konjufca gjatë fjalimit të tij në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Qyteti i Pejës është tronditur sot, më 16.04.2024, nga vrasja e një gruaje, nga i dyshuari burri i saj, i cili është arrestuar nga Policia. Krimi dyshohet se u krye në banesën e çiftit në Pejë.

Gruaja që mbeti e vrarë sot në qytetin e Pejës, Gjyljeta Ukella ishte e angazhuar si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

Vrasja e gruas në Pejë, bashkëshorti i saj dorëzohet në Polici