Ramush Haradinaj me policinë franceze. Foto: Jean-Francois Badias/BETA.

Haradinaj Akuzon Serbinë për ‘Abuzim me Ligjin’

Ramush Haradinaj tha në një intervistë të botuar të enjten se arrestimi i tij për krime lufte më herët këtë muaj ishte “i padrejtë” dhe kritikoi përpjekjen e Serbisë për të siguruar ekstradimin e tij që të dalë në gjyq në Beograd.

“Është abuzimi me ligjin, e cila po i ndodh një personi që i ka kryer detyrimet e tij me ligjin vendas dhe atë ndërkombëtar”, tha Haradinaj për agjencinë franceze të lajmeve AFP.

Ai po i referohej faktit se ai është liruar dy herë nga akuzat nga Gjykata e Hagës për krime lufte të kryera gjatë konfliktit në Kosovë në vitet 1998-1999.

Megjithatë, zyrtarët serbë këmbëngulin se ata kanë prova që Haradinaj ishte i përfshirë në krime të tjera lufte për të cilat s’është ndjekur ende penalisht.

Ata thonë se ai dyshohet për vrasjen e civilëve, përfshirë vrasjen e një foshnje dyjavëshe, torturimin dhe përdhunimin e një të mituri.

Ata kanë kërcënuar gjithashtu se do të marrin hak nëse Parisi nuk e dërgon atë në Beograd.

Një gjykatë në qytetin francez Colmar e liroi Haradinajn me kusht më 12 janar, por urdhëroi që ai të qëndrojë në Francë nën mbikëqyrje juridike ndërsa autoritetet shqyrtojnë nëse duhet ta dërgojnë apo jo atë në Beograd që të dalë në gjyq.

Arrestimi i tij në një aeroport francez pasi u nis nga Kosova ka rritur tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ai ka shkaktuar gjithashtu protesta nga shqiptarët në Kosovë dhe jashtë saj, duke bërë thirrje për lirimin e tij dhe duke e dënuar arrestimin e tij si një gjest politik.

Ministria e Jashtme e Francës ka këmbëngulur se arrestimi i tij nuk ishte politik dhe tha se Parisi “mban marrëdhënie të afërta dhe miqësore” me Kosovën pavarësisht debatit mbi ndalimin e Haradinajt.

Në intervistën me AFP, Haradinaj, i cili tani udhëheq Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, akuzoi liderët politikë të Prishtinës se nuk po përballen me Beogradin.

“Sa keq që Prishtina mban një qëndrim zyrtar kaq inferior dhe servil”, tha ai për AFP.

Ai përsëriti gjithashtu kritikat e tij për dialogun e vazhdueshëm Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga Brukseli në Prishtinë, i cili synon të normalizojë marrëdhëniet.

“Vetëm një çështje është e hapur për diskutim me Serbinë; njohja e Kosovës. Nëse Serbia është gati ta pranojë këtë, le të ulemi e të bisedojmë. Nëse jo, le të presim”, tha ai.

Presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel të mërkurën në një përpjekje për të qetësuar tensionet e shkaktuara nga ndalimi i Haradinajt dhe përpjekja e Beogradit për të dërguar një tren pasagjerësh të mbushur me slogane ku thuhej se “Kosova është Serbi”.