Objekti i gjykatës në Pejë | Foto: KALLXO.com

Gjykata në Pejë Zgjidh 57 Për Qind të Lëndëve

Gjykata Themelore në Pejë gjatë vitit të kaluar zgjidhi 57.4 për qind të lëndëve, sipas një njoftimi të lëshuar prej saj.

Kjo gjykatë bashkë me tri degët e saj në Klinë, Istog dhe Deçan zgjidhi gjatë 2016-ës 3197 lëndë gjyqësore.

Gjykata e Pejës në njoftim suksesin më të madh në vitin që shkoi e konsideroi zvogëlimin e numrit të lëndëve të Departamentit të Krimeve të Rënda.

“Një prej arritjeve me të mëdha të Gjykatës Themelore të Pejës është zvogëlimi i numrit të lëndëve në Departamentin e Krimeve të Rënda. Në fillim të vitit 2016 kemi trashëguar 334 lëndë, ndërsa gjatë vitit 2016 në punë janë pranuar 275 lëndë. Numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe është 390, ndërsa kanë mbetur 219 lëndë,”thuhet në njoftimin për medie të gjykatës.

Gjykata bën me dije se në Departamentin e Përgjithshëm tre gjyqtarë përfunduan 958 lëndë nga 1183 që i kishin në punë.

Në njoftimin e Gjykatës së Pejës thuhet se vjet iu kushtua rëndësi zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit.

“Prioritet në zgjidhje u është dhënë edhe lëndëve të korrupsionit, ku vetëm gjatë vitit 2016 janë zgjidhur 29 lëndë të kësaj natyre. Nga këto lëndë të kryera kemi aktgjykime me dënim burgimi, aktgjykime me dënime me kusht, aktgjykime me dënime me gjobë, Aktgjykime liruese dhe refuzuese. Lëndë të kësaj natyre kanë mbetur edhe 22 lëndë dhe janë kryesisht lëndë të reja, që kanë ardhur gjatë vitit 2016,” thuhet në njoftimin e zëdhënëses së Gjykatës Themelore të Pejës, Selvane Bukleta.

Njoftimi i komunikatës thotë së efikasitet ka pasur edhe në tri degët e gjykatës në Klinë, Istog dhe Deçan.

“Nga numri i përgjithshëm i lëndëve në punë në degën e Deçanit janë zgjidhur 68.2% të lëndëve, dega e Istogut ka zgjidhur 62.9% të lëndëve, dega e Klinës ka zgjidhur 50.2% te numrit të përgjithshëm të lëndëve të cilat i kanë pasur në punë,” përfundon njoftimi për media.

KALLXO.com ka shkruar edhe për bilancin e punës së gjykatave tjera në vitin 2016.

http://kallxo.com/hyseni-gjykata-ne-ferizaj-zgjidhi-95-te-lendeve-te-korrupsionit/

 

http://kallxo.com/gjykata-e-gjilanit-burg-295-personave-ne-2016-en/